Skema se si do të bëhet vlerësimi i nxënësve në arsimin fillor

Aktualitet Kryesore Sociale

Skema e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit parauniversitar do të realizohet nëpërmjet pesë niveleve për klasat e para, deri tek e treta, si dhe katër niveleve për klasat e katërta dhe të pesta. Si rrjedhojë e zbatimit të kurrikulës së re për këtë cikël të arsimit të detyruar, ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë përcaktuar edhe nivelet e arritjes së kompetencave të nxënësve sipas 10 fushave të studimit.

Vlerësimi për 10 fushat e studimit

Prej disa javësh mësuesve të këtyre profileve u është dhënë skema përkatëse me nivelet e arritjeve që nxënësit duhet të gëzojnë në këto fusha studimi: gjuhët dhe komunikimi, ku përfshihen lënda gjuhë Shqipe dhe gjuhë e huaj, fusha “ matematikë”, fusha“shkencat e natyrës”, fusha“ shoqëria dhe mjedisi” ku përfshihen lëndët  histori dhe edukim për shoqërinë/qytetari, në fushën “tik dhe teknologji” ku përfshihen lëndët tik dhe aftësim teknologjik , në fushën “arte”  ku përfshihen lëndët muzikë, “art pamor”, si dhe kërcim, si dhe fusha e fundit që përfshin lëndën e edukimi fizik, sportet dhe shëndetin. Referuar këtyre fushave të përcaktuara, ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit bëjnë me dije se për nxënësit nga klasa e parë dhe deri tek treta, vlerësimi do të jepet i përshkruar me fjalë për të pesë shkallët e përcaktuara që janë: Arritje të pakënaqshme”, “Arritje që kanë nevojë për

përmirësim”, “Arritje të kënaqshme”, “Arritje shumë të kënaqshme”, si dhe “Arritje të shkëlqyera”, kur nxënësi plotëson të gjithë treguesit e përcaktuar nga kurrikula përkatëse. Ndërsa për klasën e katërt dhe të pestë, vlerësimi do të bëhet me  nota nga 4 në 10, ku për secilën prej tyre në vijim të shkrimit do të gjeni edhe shpjegimin përkatës të arritjeve që nxënësi duhet të përmbushë gjatë procesit mësimor. Për këto dy klasa janë përcaktuar katër nivele arritje, pasi në këtë grupmoshë fillon të rritet pesha e njohurive dhe e formimit akademik në vlerësimin e nxënësit dhe vlerësimi nuk bazohet më në kriterin e normës Po ashtu bëhet e ditur e nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë do të vijojnë të aplikohen këto katër nivele të arritjeve të njohurive, aftësive dhe qëndrimeve që demonstron nxënësi, të cilat gjenden të detajuara në vijim të shkrimit.

Qëllimi i kurrikulës së re

Nivelet e arritjes shprehin kritere të njësuara për vlerësimin e njohurive, të shkathtësive dhe qëndrimeve të nxënësve sipas fushave përkatëse. Këto nivele janë hartuar për t’i mundësuar mësuesve, që të përcaktojnë arritjen e kompetencës nga nxënësi në fund të klasës së tretë dhe të pestë. Vlerësimi rigoroz, bazuar në nivele të përcaktuara krijon besim për vlerësimet e mësuesve, jep siguri te prindërit që të gjithë nxënësit i kanë arritjet e tyre në përputhje me pritshmërinë”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit rreth skemës së vlerësimit të nxënësve të arsimit të detyruar.

Sipas tyre, në veçanti nivelet e arritjes ndihmojnë mësuesin për të planifikuar mësimdhënien individuale, punën e diferencuar sipas nivelit të nxënësit, për të ndikuar pozitivisht në progresin e tij, si dhe për të raportuar të nxënit e nxënësit. Për të përcaktuar nivelin e arritjes së nxënësit duhen bërë një sërë vëzhgimesh dhe duhen përdorur një sërë instrumentesh vlerësimi, të cilat do të shërbejnë më pas për progresin e tij.  “Qëllimi i kurrikulës së re është të realizojë zhvillimin e plotë të potencialit të çdo nxënësi, duke u mbështetur te anët dhe cilësitë e tij më të forta për të kapërcyer pengesat dhe vështirësitë në të nxënë. Në të gjitha fushat e të nxënit/lëndët, nuk do të përmendet niveli 1, sepse qëllimi i shkollës është që çdo nxënës të arrijë sukses në shkollë”, bëjnë me dije autoritetet e këtij instituti.

Zhvillimi i arsimit bazë

 Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare.  Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit parauniversitar, arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Ndërsa arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.

5 nivelet e arritjes së kompetencave për nxënësit klasa e I-III

  • Niveli 1: “Arritje të pakënaqshme”, kur nxënësi nuk përmbush kërkesat bazë të të nxënit.
  • Niveli 2: “Arritje që kanë nevojë për përmirësim”, kur nxënësi ka arritur vetëm pak nga kërkesat bazë të të nxënit dhe kërkohet mbështetje dhe punë e vazhdueshme nga ana e tij dhe e mësuesit.
  • Niveli 3: “Arritje të kënaqshme”, kur nxënësi ka përmbushur kërkesat bazë të të nxënit dhe, kur me mbështetjen e mësuesit, arrin të përparojë.
  • Niveli 4: “Arritje shumë të kënaqshme”, kur nxënësi ka përmbushur pjesën më të madhe të kërkesave të të nxënit.
  • Niveli 5: “Arritje të shkëlqyera”, kur nxënësi përmbush plotësisht dhe me cilësi kërkesat e të nxënit të programit lëndor.

Vlerësimi i nxënësit në klasat IV dhe V bëhet:

  • Niveli I (pamjaftueshëm, nota 4),kur nxënësi nuk përmbush kërkesat bazë të të nxënit.
  • Niveli II (mjaftueshëm, notat 5-6), kur nxënësi ka arritur disa nga kërkesat bazë të të nxënit dhe kërkohet mbështetje dhe punë e vazhdueshme nga ana e tij për të përparuar.
  • Niveli III (mirë, notat 7-8), kur nxënësi ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të kërkesave bazë të të nxënit dhe, kur me mbështetjen e mësuesit, vazhdon të përparojë.
  • Niveli IV (shumë mirë, notat 9-10), kur nxënësi përmbush plotësisht dhe me cilësi kërkesat e të nxënit të programit lëndor.

Organizimi i arsimit parauniversitar

Arsimi parashkollor

Arsimi parashkollor ofrohet në kopshte e në klasa përgatitore që frekuentohen nga fëmijë të moshave 3 deri 6 vjeç dhe nuk është i detyruar. Kopshtet funksionojnë me tri grupe: grupi i parë (3-4 vjeç), grupi i dytë (4-5 vjeç) dhe grupi i tretë (5-6 vjeç). Klasat përgatitore funksionojnë në shkollat e arsimit bazë dhe frekuentohen nga fëmijë 5 vjeç që nuk kanë ndjekur arsimin parashkollor. Procesi i të nxënit në këtë nivel arsimor zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa, në kopshtet që ndodhen në zonat e banuara nga pakicat kombëtare (greke apo maqedonase), ai zhvillohet në gjuhën amtare. Ky proces zhvillohet sipas një kurrikule që konkretizon standardet e miratuara.

Arsimi bazë

Arsimi bazë u ofrohet moshave mbi 6 vjeç, zgjat 9 vite dhe është i detyruar. Nxënësit i frekuentojnë institucionet arsimore që ofrojnë arsim bazë deri në moshën 16 vjeç. Personat që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të pjesshme. Rreth 92 për qind  e nxënësve që përfundojnë arsimin bazë vazhdojnë të marrin arsim të mesëm të lartë. Raporti mësues nxënës për arsimin bazë është përafërsisht 1:16.

Arsimi i mesëm

Arsimi i mesëm, aktualisht, ofrohet si arsim i mesëm i përgjithshëm (gjimnaz), arsim profesional dhe arsim i orientuar (artistik, sportiv, etj).  Sipas kushteve tw përcaktuara, arsimi i mesëm nuk është i detyrueshëm.Arsimi i mesëm ofrohet me kohë të plotë, me kohë të pjesshme, si dhe në distancë. Forma e arsimimit në distancë ende nuk ka gjetur zbatim. Frekuentimi i arsimit të mesëm të orientuar kufizohet nga kritere preference dhe kryesisht merite. Arsimi i mesëm me kohë të plotë është i hapur për t’u frekuentuar nga të gjithë nxënësit që përfundojnë arsimin bazë, me moshë jo më të madhe se 18 vjeç. Forma alternative e arsimimit (me kohë të pjesshme), për këtë nivel arsimor, është e hapur.

Share: