Shqipni, e mjera Shqipni, sa do paguash për pushtetin e tij!

Analizë Editorial

NGA AGIM NESHO


Në takimin e fundit të Asamblesë së Partisë-Shtet, Rama ndjehej i arritur në veprimet e tij, jo vetëm se po përmbushte vizionin e tij “madhështor”, por ky vizion duhej të mbetej modeli i brezave që vijnë pas, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet. I dashuruar me vetveten, i lumturuar dhe frymëzuar nga ata që janë vetëm numra në mbretërinë e tij të madhe të pushtetit, ai kërkon kohë që vizioni i tij të shtrihet më shumë se 2030-a, deri në pambarim, për të realizuar Shqipërinë magjike të 10 milionë turistëve, …20 milionë, të cilët do të shijojnë parajsën shqiptare.

Historikisht, liderët me vizion kërkojnë të ndryshojnë vendin e tyre me ide revolucionare, që populli i tyre të zhvillojë shkencën, të industrializojë vendin me teknologji të avancuar, të zhvillojë arsimin, ndërsa Rama vizionin e tij e ka të bazuar te kullat e larta të ndërtuara për të pastruar paratë e pista, të rezorteve luksove për milionerët që duan të shijojnë rivierën shqiptare, të jahteve dhe porteve të sheikëve arabë që duan të fitojnë më shumë dhe të rrisin interesat e tyre gjeopolitike, të kanabizimit të vendit për të jetuar në delir dhe për të harruar varfërinë ekstreme që përjeton populli.

Vizioni i tij malinj është për një Shqipëri të bukur për të tjerë, ku populli shqiptar të vazhdojë të mbetet i varfër dhe pa shpresë, që Shqipëria të jetë në shitje dhe shqiptarët të jenë mëditësit dhe shërbëtorët në pronat që ju përkasin atyre. Një vizion që shkëlqen me luksin që vret të milionerëve në një vend ku historia, tradita, kultura shitet në funksion të turizmit elitar.

Por çfarë përfitojnë shqiptarët nga ky vizion pazarxhiu i kryeministrit të tyre? Le të shqyrtojmë dy shembuj të zhvillimit të vendeve të tyre nga regjime të tjera autokratike.

Për të zhvilluar një zonë turistike në Egjipt, kompanitë e Emirateve të Bashkuara kanë blerë tokën shkretëtirë të Egjiptit në brigjet në brigjet e Mesdheut, me 120 euro m2 , duke investuar në vlerën e 24 miliardë euro, plus ndihmës financiare shtesë për Egjiptin prej 11 miliardë euro. Në Shqipëri falen nga prona publike e vendit mbi 3.5 miliardë vlerë tokë, duke përfshirë edhe Portin historik të Durrësit, që investitori arab të ndërtojë port jahtesh dhe apartamente banimi. Kush përfiton nga investimi? Kompanisë së z. Kushner, “Affinity Partners”, me fonde prej 2 miliardë dollarë të Arabisë Saudite i jepet për zhvillim zona turistike e Vlorës, Sazani dhe Zvërneci. Por, sa do të paguajnë ata për këtë pronë publike të popullit shqiptar? Kush përfiton nga zhvillimi i kësaj zone dhe investimi në to, përveç milionerëve që do blejnë vila dhe apartamente?

Rama ka kohë që po shet interesat e Shqipërisë me gjykimin se po zhvillon vendin dhe ndan përgjegjësinë në politikat me partnerët ndërkombëtarë. Kështu veproi edhe me projektin Rama-Meloni, duke dhënë hapësira territori për të ndihmuar kryeministren Meloni. Për të njëjtin projekt bashkëpunimi Tunizia kërkoi 2 miliardë dollarë për vendin e saj për të realizuar projektin. Rama asgjë. Pa vlerësuar rreziqet sociale dhe të sigurisë së projektit, por me vlerat që mund të përfitoheshin prej tij, pensionet do të rriteshin dyfish, rroga e mësuesve, mjekëve do të arrinte në standarte të tjera. Po sikur koncesionet e rivierës shqiptare të vlerësoheshin në standartet e tokave afrikane, sa do të përfitonte buxheti i shtetit?

Fatkeqësia e Shqipërisë sot është se zoti Rama e quan Shqipërinë pronën e tij personale dhe vepron me të sipas interesave te tij personale. Ai Shqipërinë e ka kthyer në një plaçkë tregu që herë ua hedh oligarkëve të tij, dhe herë të tjera për të blerë influencë në politikën ndërkombëtare. Ai mbulon kështu korrupsionin galopant që ka kapur shtetin, manipulimin e votës së lirë dhe instalimin e regjimit të tij putinesk. Ai është i gatshëm t’i japë koncesione biznesmenit Kushner si dhëndri i D. Trump, por e ka të vështirë që investimet strategjike të Shqipërisë t’i bashkërendojë me SHBA dhe BE. Ai në këtë strategji mbetet peng i lidhjeve okulte me Turqinë, Emiratet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite. Vizioni i tij mbetet autokracia lindore, pushteti i pakufizuar dhe për këtë kërkon të blejë influencë dhe heshtje nga ata që kanë pak vëmendje për Shqipërinë.

Sot pas 35 vjet demokraci, Shqipëria ka mbetur peng e një satrapi që kërkon ta zhbëjë për të krijuar lidhje, pasuri, të blejë influencë për të mbajtur pushtetin e tij të pakufizuar. Shqipëri e mjera Shqipëri.

Share: