Jo profesorë kinezë për drejtshkrimin, po politika shtetërore për gjuhën

Analizë Opinion

Nga Rami Memushaj

Ditë më parë, në ceremoninë e çeljes së një ekspozite, Kryeministri i vendit mbajti një fjalë në të cilën u ndal edhe te mënyra se si i zbatojmë ne shqiptarët normat e gjuhës standarde. Duke pranuar se në shkresat e vetë Kryeministrisë dhe të ministrive ka plot gabime drejtshkrimi e pikësimi, ai lavdëroi punonjësit e ambasadës së Kinës, që i shkruajnë shkresat pa asnjë gabim gjuhësor, dhe propozoi që drejtshkrimin në Fakultet ta japë një profesor kinez! Por a do të ndryshonte gjendja sikur t’i mbushnim departamentet e gjuhës shqipe të universiteteve tona me profesorë kinezë të drejtshkrimit? Aspak. Se puna është jo te mësimdhënësit, po te disiplina gjuhësore, të cilën e imponon me ligj e me vendime shteti.

 


 

Nuk është hera e parë që Kryeministri ynë, ndër më të ndjeshmit në punë të gjuhës, shpreh pakënaqësinë e tij për nivelin e ulët të ligjërimit tonë të shkruar. Por a e di Kryeministri se fajtor për këtë gjendje fare të papëlqyer është shteti dhe, për kohën që po qeveris, ai vetë? Shteti është përgjegjës jo vetëm për ekonominë, mbrojtjen, shëndetësinë, mjedisin, arsimin e kulturën, po edhe për gjuhën. Ky është një detyrim që buron nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila në nenin 14 të saj thotë: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja” dhe në nenin 59 pika 1g  të saj e ngarkon shtetin që “brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon”, të sigurojë “mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”.

Gjuha standarde është në radhë të parë gjuha zyrtare e shtetit, mjeti që administrata shtetërore përdor në komunikimin e saj të përditshëm. Si i tillë, ky mjet ka nevojë për kujdesin e shtetit, madje, në rastin e shqipes, të të tri shteteve që e kanë gjuhë zyrtare. Po çfarë kanë bërë për të zbatuar këtë detyrim kushtetues qeveritë e Shqipërisë që kanë ardhur në fuqi pas viteve ’90? As e kanë vënë ujët në zjarr për punët e gjuhës, në mos në ndonjë periudhë u kanë dhënë mbështetje financiare e morale nismave për “rishikimin” e saj, gjoja për ta bërë të lehtë për folësin e thjeshtë. Kryeministri Rama, edhe pse gjatë këtyre 6 vjetëve ka bërë konstatime të gjendjes së pakënaqshme dhe premtime për ndreqjen e saj, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për rritjen e kujdesit për gjuhën, po vetëm fjalë që i ka marrë era.

Nga çfarë vuan shqipja sot? Gjuhëtarë vendas e të huaj kanë vënë në dukje se shqipes po i hapen plagë të thella, që, po s’u shëruan me kohë, do ta çnatyrojnë e bastardojnë. Ajo sot është nën trysninë e gjuhëve të mëdha, si anglishtja, italishtja etj., po edhe të gjuhëve në kontakt, si serbishtja, maqedonishtja e greqishtja. Në strukturën e saj sintaksore po depërtojnë si viruse ndërtime të gjuhëve të huaja: ndërtime të anglishtes e të italishtes në Shqipëri, ndërtime serbe e angleze në Kosovë dhe ndërtime të maqedonishtes në Maqedoninë e Veriut, të cilat folësi i thjeshtë e ka të pamundur t’i dallojë e t’i mënjanojë. Në morfologji po merr të përhapur moslakimi jo vetëm i emrave të përveçëm të huaj, po edhe të shqipes; po dalin jashtë përdorimit dëshirorja e habitorja dhe ngatërrohen format e foljeve, veçanërisht të foljeve me ndërrime (sidomos në Kosovë).  Fjalori i shqipes po mbushet me fjalë të huaja të panevojshme, të cilat jo vetëm po lënë në hije fjalë të vjetra e të bukura të shqipes, por sjellin me vete edhe një sintaksë të huaj, duke e infektuar edhe më strukturën gramatikore të shqipes; në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, si rrjedhim i mungesës së një terminologjie të njësuar, po krijohen terma paralelë për koncepte e dukuri të njëjta. Për shkak të formimit të mangët gjuhësor, folësit televizivë po ndikojnë te folësit e brezit të ri me gjedhe të huaja të theksimit të fjalëve e me skema melodike të huaja, duke tronditur prozodinë e shqipes. Në qytetet dhe në fshatrat e vendit, ku emrat shqip të lokaleve dhe të njësive të shërbimit hasen shumë rrallë, gjuha jonë e ka humbur betejën, ashtu siç e ka humbur edhe në fushën e emrave të përveçëm të njerëzve. Pra, kolonat e ngrehinës sonë gjuhësore kanë marrë të krisur.

Duke vlerësuar situatën e pagrat në të cilën ndodhet gjuha jonë sot, Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, u është drejtuar dy herë institucioneve shtetërore për të marrë disa masa që do ta përmirësonin gjendjen. Vite më parë iu drejtuam ministres së Teknologjisë dhe të Informacionit me një paketë propozimesh lidhur me përdorimin e shkronjave ë dhe ç në shtyp, në aktet noteriale e në dokumentacionin shtetëror, për zbatimin e normave të gjuhës standarde etj. Por askush në atë Ministri nuk e vuri ujët në zjarr. Në maj të këtij viti, iu drejtuam Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila na mundësoi një takim në Ministrinë e Arsimit, ku zëvendësministrit Shtino i lamë një dokument me propozime për përmirësimin e punës me gjuhën amtare në shkollë dhe në mediet e shkruara, duke kërkuar, ndër të tjera, rritjen e cilësisë së dhënies dhe të nxënies së gjuhës shqipe në arsimin parauniversitar, përmirësimin e përmbajtjes së teksteve të gjuhës dhe shmangien e gabimeve gjuhësore në to, përfshirjen e fjalorit të shqipes në paketën e nxënësit, pajisjen periodike të bibliotekave të shkollave me libra letrarë e shkencorë, licencimin e korrektorëve gjuhësorë etj. Por deri tani heshtje edhe nga kjo Ministri.

Përkundër këtij qëndrimi shpërfillës të deritanishëm të shoqërisë dhe të shtetit ndaj gjuhës, është bërë urdhëruese që qeveria, shkolla, media dhe tërë ata që gjuhën e kanë objekt të punës së tyre të përditshme, të zgjohen nga përgjumja e gjatë dhe të punojnë për rritjen e cilësisë së ligjërimit të shkruar e të folur. Kjo është jo vetëm një detyrë kushtetuese, po edhe atdhetare.

Çfarë mund të bëjë shteti për gjuhën? Mendojmë se mjafton të riaktivizohen vendimi i janarit 1974 i Këshillit të Ministrave “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” dhe urdhrat e Ministrisë së Arsimit  në zbatim të këtij vendimi, pasi, pavarësisht nga ndryshimet politike, jemi në një shtet dhe çdo qeveri që zëvendëson një tjetër, duhet t’u referohet përvojave pozitive të mëparshme, natyrisht duke i pasuruar ato me elemente të reja në përshtatje me kohën.

Për shpëtimin e shqipes nga lëngata që e ka zënë dhe për ruajtjen e njësisë së saj në të gjitha shtetet e trevat ku flitet, mendojmë se duhen marrë një varg masash urgjente, ndër të cilat miratimi i ligjit për gjuhën, që do të vendoste disiplinën gjuhësore të munguar, është një domosdoshmëri. Se si mund të ndikojë ky ligj në përmirësimin e situatës sonë gjuhësore, mjafton të shohim Maqedoninë Veriore, ku, pas miratimit të ligjit për gjuhën shqipe, është themeluar Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, e cila, me ndihmën e gjuhëtarëve shqiptarë të tri shteteve, nisi menjëherë punën për shqyrtimin e normësisë së emërtimeve shqip të institucioneve qendrore e vendore të atij shteti. Programi i kësaj Agjencie të bën optimist se edhe për shqipen në Maqedoninë e Veriut shumë shpejt do të vihen në zbatim sanksionet e parashikuara nga ligji për maqedonishten, gjë që do të krijojë premisa për një rritje të shpejtë të kulturës gjuhësore të bashkësisë shqipfolëse të atjeshme.

Si hap tjetër shohim krijimin e një këshilli ndërshtetëror (Shqipëri–Kosovë–Maqedoni) për gjuhën, me autoritetet më të spikatura të fushave themelore të saj. Këtë këshill e shohim si vijim të Komisionit të Përhershëm për Pastërtinë e Gjuhës, që funksionoi gjatë viteve 1979–1990. Ashtu si ai, edhe ky organizëm i ri duhet të ketë si detyra themelore punën për pasurimin e leksikut të shqipes dhe pastrimin e tij nga huazimet e panevojshme, shqipërimin dhe njësimin e terminologjisë tekniko-shkencore që përdoret në hapësirat ku flitet shqipja, kujdesin për zbatimin e normave të gjuhës letrare në veprimtarinë ligjërimore të shkruar dhe në ligjërimin e folur publik, luftën kundër ndotjes gjuhësore të mjedisit shqiptar me emërtime e emra të përveçëm të huaj, si dhe mundësitë e shfrytëzimit të teknologjive të reja për rritjen e kulturës gjuhësore të popullatës. Për përmbushjen e këtyre detyrave, ky këshill do të ngarkonte me detyra dy akademitë e shkencave, institutet e gjuhësisë dhe departamentet e gjuhës shqipe.

Problemet e krijuara gjatë këtyre 30 vjetëve në përdorimin e gjuhës standarde nuk mund të zgjidhen duke ringjallur organizma tashmë të diskredituar, siç ishte Këshilli Ndërakademik, i mbushur me kundërshtarë të gjuhës standarde dhe me njerëz pa ndihmesa në fushat e gramatikës, të leksikologjisë e të fonetikës, të cilët kishin si synim jo zgjidhjen e këtyre problemeve, po shkatërrimin e kodeve normative të shqipes. Akademikët e seksionit të shkencave shoqërore dhe kryesia e Akademisë sonë duhet ta kuptojnë mirë se problem nuk janë vetë normat e gjuhës letrare, po moszbatimi i tyre. Prandaj ringritja e një këshilli që do të fillonte të merrej me normat, është një akt që e diskrediton Akademinë tonë të Shkencave, duke e vënë atë në krahun e gabuar. Jo në krahun që punon për forcimin e njësisë kombëtare, po në krahun që punon, për hir të miopisë, inercisë a të simpative, në shërbim të interesave partikularistë, që na ndajnë gjuhësisht e na përçajnë kombëtarisht.

Share: