Rruga e gjatë e Erionit drejt fronit!

Analizë Opinion

Nga Dritan Hila

Prezantimi që Edi Rama i bëri Erion Veliajt si kandidat i PS-së për Tiranën, u komentua si caktim nga ana e shefit të Rilindjes i pasardhësit të tij.
Në fakt është ca i nxituar ky klasifikim për skeptërmbajtësin e radhës në partinë qeverisëse, pasi rruga e Erionit deri aty është e gjatë, madje shumë e gjatë.
Si fillim nuk duhet ngatërruar shfaqja elektorale që Rama ofron për shkak të situatës me ceremoninë e dorrëzimit të fronit. Pavarësisht se u përpoq ta paraqiste momentin politik sa më të lehtë, e vërteta është që situata është e komplikuar, qoftë edhe sikur të ketë marrë aprovimin në perëndim që të bëjë zgjedhje pa opozitën. Nuk mund t’i lejojë vetes asnjë gabim dhe aq më pak të rrezikojë Bashkinë e Tiranës për të cilën nuk ka përgatitur ndonjë kandidat tjetër. Por kjo nuk do të thotë se po i lëron me gaz e hare kolltukun Erionit.
Duke iu rikthyer parashikimit afatgjatë, pengesa e parë e Veliajt drejt fronit është mosha e Edi Ramës. Rama është ende shumë i ri për të caktuar pasardhësin. Me siguri në planet e tij ka edhe një tur tjetër qeverisjeje. Asgjë për t’u habitur për standardet shqiptare, kur mendon se në këtë moshë Berisha ende nuk kishte marrë mandatin e dytë.
Pengesa tjetër është karakteri i sundimtarëve shqiptarë, të cilët nuk lënë një pasardhës mbretvrasës, por tradita është të jetë i s’qullët. Veliaj nuk është qefull por, piranja, ndaj nuk i jep garanci Ramës për paprekshmërinë e tij në të ardhmen.
Veliaj ka arritur deri këtu jo se ka qenë protezhe i Ramës. Në një farë mënyre, të paktën personazh publik, ai është bërë vetë. Ndryshe nga raporti Berisha-Basha, Veliaj është një njeri që ka ekipin e tij të trashëguar nga Mjaft, ku më shumë se varësi ka pasur bashkëpunim me Ramën. Si i tillë, nuk jep garanci absolute për një pensionnpa telashe per Ramën.
Dikush do të përmendte edhe problematikën që masa e PS-së ka me Veliajn, por personalisht nuk e llogaris, pasi ajo është parti e komandantit dhe pranojnë pa kushte udhëheqësin dhe atë çfarë thotë ai. Rasti Mid’hat Frashërit ishte më i fundit nga kjo pikëpamje, ku pavarësisht se tre breza të anëtarësisë PP&PS e kishin sharë, shkuan në rresht për një në homazhet që organizoi Rama.
Ndaj Veliaj nuk do të ketë problem të pranohet nga anëtarësia nëse merr kupolën e PS-së.
Faktor tjetër që e bën me pengesa rrugën e Veliajt për në fronin e PS-së është dialektika e historisë. Megjithëse në këtë periudhë, kur opozita ka dalë nga loja politike dhe ka shumë shanse të vetëasgjësohet, ngjan e lehtë, faktorë të tjerë do të dalin në shesh. E kush e mendonte se Jorgo Papandreu, nip e djalë kryeministri; i njerëzve që kishin përcaktuar fatin e Greqisë për treçerek shekulli; i mirëshkolluar dhe karizmatik, do të mundej dhe partia e tij historike, do të asgjësohej nga një çunak që para 6 vjetësh nuk e njihte askush?
Ndaj rruga e Veliajt deri sa të marrë kreun e PS-së dhe pastaj të vendit, ka për të qenë e gjatë. Nëse bëjmë një krahasim, asnjë anglez nuk do të vinte bast për fitoren e një kali dhe asnjë bukinist sado i çmendur, nuk do të pranonte bastin, që gjashtë vjet më parë./dritare.net

Share: