“Basha gënjen si derri i knaqun”, ministrja reagon për kreun e PD: Është koha të përgjigjesh

Politikë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali shkruan në Twitter se ka ardhur koha që kreu i opozitës, Lulzim Basha të përgjigjet për akuzat për lobimin.

Reagimi i plotë i Spiropalit: Lulzim Basha gënjen si derri i knaqun i Migjenit sapo del nga dera e Prokurorisë. Pastaj kur Prokuroria i’a nxjerr në shesh gënjeshtrat, bën Sokratin e përvuejtun si i persekutuar politik. Është koha të përgjigjesh Lulzim. As Derri as Sokrati s’të ndihmojnë dot!

Kreu i PD-së, Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi u thirrën sot në Prokurori si persona që kanë dijeni, në vijim të hetimit të nisur për dosjen e lobimit në SHBA.

Pas qëndrimit rreth një orë në Prokurori, Basha deklaroi për mediat se ka prova që faktojnë se as PD dhe asnjë drejtues i saj nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa shtoi se prokuroria vihet në lëvizje sa herë i intereson qeverisë.

Më pas reagoi edhe Prokuroria e Tiranës, duke theksuar se “objekt i hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën elektorale të vitit 2017”.

Share: