Prej dy vitesh, përfundimi i orarit mësimor nuk është detyrimisht përfundimi i punës për mësuesin R.C* në një nga shkollat e mesme rurale të bashkisë Përrenjas.
Hedhja e të dhënave për performancën e nxënësve të tij në sistemin e menaxhimit të informacionit parauniversitar (SMIP) ka sjellë orë shtesë pune për të dhe kolegët e tij arsimtarë. Punë shtesë vështirësohet edhe nga mungesa e infrastrukturës në shkolla.
“Që ku u dha urdhri filluam me plotësimin e SMIP. Por në shkollë nuk ka fare internet. Edhe dritat herë vijnë, herë ndërpriten. Ne e plotësojmë në telefonin tonë, që e paguajmë vetë se atje nuk ka. Nuk kemi as kabinet informatike, asgjë”, – rrëfen mësuesi i biologji-kimisë, në kushtet e anonimatit.
Më 3 dhjetor 2021, me një Vendim të Këshillit të Ministrave nr.742 iu dha drita jeshile krijimit të bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP). Prej këtij momenti, çdo e dhënë që lidhet më nxënësit në sistemin shkollor parauniversitar, që nga të dhënat personale, performanca në shkollë, mungesat si dhe të dhënat për mësuesit, kualifikimet e tyre do të gjendet në sistemin online.
Për mësuesit, kjo qasje e re nuk u përcoll me trajnime të tyre për përdorim të sistemit.
“Jo, fare, kemi mësuar duke parë njëri-tjetrin”, -thotë më tej mësuesi, ndërsa thekson se në shkollën e tij nuk ka as kabinet informatike.
“Ne s’kemi as kompjutera, asgjë. Nuk e zhvillojmë orën e informatikës, lexojmë vetëm librat dhe kaq. Detyrohemi të blejmë vetë laptop edhe ti plotësojmë”, -përfundon mësuesi.
Për shumë shkolla, veçanërisht ato në zonat rurale, askesi në internet është i pamundur. Edhe në ato ku ka internet, ai është i mundur vetëm në zyrën e drejtuesve të shkollës dhe jo në salla të mësuesve, ku mund të punohet për hedhjen e të dhënave të nxënësve online.
Ky shqetësim është parë edhe nga sindikatat e arsimit në vend.
“Ne vazhdimisht i kemi vënë në dukje Ministrisë se SMIP-i nuk po funksionon në të gjitha shkollat, sepse nuk ka internet. Kjo po vështirëson shumë punën e mësuesve, pasi ju duhet një punë enkas shtesë. Atë punën që më përpara e bënin në klasë, në regjistrin fizik, tashmë në mungesë të internetit në shkolla, duhet që ta bëjnë në shtëpi, në orët e vona. Dy orë në shtëpi është për përgatitjen mësimore për ditën e ardhshme dhe jo për të plotësuar regjistrin elektronik”, -shprehet Nevruz Kaptelli, përfaqësues i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH).
Sipas Kaptellit, ky sistem online është i vonë në Shqipëri, duke pasur parasysh që në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë ka vite që zbatohet. Mirëpo, zbatimi në Shqipëri u krye me nixitim, pa trajnuar mirë mësuesit dhe pa plotësuar kushtet.
“Në mënyrë të papritur, një vit më parë , ministria e Arsimit u kërkoi të gjithë mësuesve që krahas regjistrit fizik, të gjitha të dhënat për nxënësit, rezultatet e tjera, të hidheshin edhe në SMIP, në regjistrin elektronik. Ne kishim kërkuar që më përpara mësuesit të trajnoheshin, të sigurohej interneti i vazhduar në të gjitha shkollat e vendit dhe pasi të ishte bërë një kontroll ku interneti funksionon dhe mësuesit e kishin mundësinë për të analizuar këtë, atëherë le të fillohej ky sistem”, –argumenton Nevruz Kaptelli.
Të dhëna një herë në tre muaj
Për prindërit, ky sistem online, ia ka sjellë më pranë shkollën, pasi informohen përmes telefonit.
“Jemi të kënaqur, na vjen informacioni në telefon”, –shprehet Nexhi, prindër i një nxënësi në klasë të shtatë.
Mirëpo, për t’u informuar për performancën e fëmijëve të tyre prindërit duhet të presin më shumë se një muaj, në varësi të hedhjes së të dhënave në sistem.
“I kemi marrë, një herë në muaj i kemi marrë notat. Atëherë ishte më e qartë. Shkoje dhe pyesje çfarë mori sot, apo çfarë mori para një jave edhe e shihje. Hapte regjistrin dhe e shihje. Kurse kështu thonë për shembull, nuk i kemi hedhur. Nuk kemi hedhur notën e testit, nuk kemi hedhur atë të dosjes, nuk patëm internet…”, –rrëfen Nexhi.
Sipas përgjigjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Popullimi i SMIP ka qenë një nga sfidat kryesore e cila ka rezultuar e suksesshme, pasi nxënësit janë regjistruar në sistem dhe prindi/kujdestari ligjor informohet në kohë reale për frekuentimin dhe arritjet e nxënësit”.
Për mësuesit e shkollave rurale, hedhja çdo ditë e të dhënave në sistem është e pamundur.
“Jo, jo çdo ditë jo. Nuk arrihet dot. Ne s’kemi as kompjutera. Mbaj nje regjistër personal me vete dhe i shënoj aty cdo ditë të dhënat për secilin nxënës”, –shpjegon mësuesi R.C.
Çështja e regjistrit fizik (në letër) ka qenë gjithmonë një situatë e debatueshme sipas Sindikatës. Heqja e regjistrave fizikë ka sjellë mbajtjen e një fletoreje personale nga mëuesi dhe si rrjedhojë puna nis nga fillimi për vlerësimin e nxnënësit sa herë hidhen të dhënat në sistemin online.
“Edhe heqja e regjistrit dhe mbajtja e notave nëpër fletoret e mësuesve u quajt reformë. Edhe kthimi i asaj që ishte tradicionale u quajt reformë. Një vit më përpara mësuesit ishin në një amulli se disa i thonin do ta mbani dhe regjistrin fizik dhe regjistrin tjetër, tani thonë është i detyrueshëm regjistri informatik, pra i SMIP-it”, – u shpreh për “Citizens Channel” Nevruz Kaptelli.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, sistemi SMIP është realizuar me buxhetin e shtetit.
“Vlera e implementimit për “Përmirësimin e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP)” është 147,200,000 lekë, ndërsa vlera totale e kontrates është 184,000,000 lekë. Financimi është kryer me buxhetin e shtetit”.
Kundërshtitë ndaj SMIP: “Praktikë e paligjshme”
“Udha e Shkronjave”, një shkollë private në Tiranë ka kundërshtuar përdorimin e sistemit SMIP, duke bërë thirrje të herë pas hershme për jo ligjshmërinë e këtij sistemi dhe cënimin e të dhënave personale të fëmijëve.
“Siç e dini të gjithë mësuesit janë duke plotësuar si dokumentacion shkollor databazën SMIP. Kjo bën që ata të hedhin të gjitha të dhënat personale të fëmijëve në një server qendrore dhe me kaq kanë shkelur nenet 66, 67 të Ligjit 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” dhe ligjin 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”,- shprehet Artur Shkurti, drejtues i shkollës “Udha e Shkronjave”.
Sipas Shkurtit, VKM-ja e dhjetorit të 2021-it që i jep udhë krijimin të SMIP, nuk ka akte nënligjore që të justifikojë punën e mësuesit, apo të detyrojnë mësuesin të bëjë plotësimin e sistemit SMIP.
“Mësuesi mund të humbë punën dhe mirëqenien nëse aktivizimi i ligjeve për privatësinë e të dhënave personale do të bëhet në mënyrë selektive. Aktualisht ai është i pambrojtur. Aktivizimi i prindërve në mënyrë selektive, pa dijeninë e mësuesit është plotësisht i mundshëm me këtë situatë ligjore që është rreth mësuesit”,-argumenton Artur Shkurti në një letër të hapur drejtuar mësuesve dhe sindikatave të arsimit.
*Mësuesi nuk preferoi të identifikohej për shkak të frikës së rrezikimit të vendit të punës. Situatë kjo e njëjtë edhe për të tjerë mësues të kontaktuar, të cilët nuk preferuan të flisnin për të njëjtën arsye. /Citizens channel