Nga Ben Andoni
Pak muaj më parë ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, i shqetësoi jo pak njerëzit me një paralajmërim të frikshëm gjatë një interviste në një televizion kombëtar. Parashikimi se deri më 18 prill do të kishte maksimumi 250 të vdekur në vend dhe mbi 1000 persona të infektuar nuk ndodhi, paçka se ai besonte deri në fund në logjikën e statistikës, duke fajësuar mungesën e transparencës. Sikur të ishte më i besueshëm: paralajmërimi i tij do të ishte një apel dhe një kujdes për një publik krejt indiferent, siç është joni. Por, sot më 10 gusht-2020, Shqipëria ka 200 të vdekur prej COVID-19. Vërtetë Muka është harruar dhe ka të ngjarë të jetë jashtë vendit, por Shqipëria i është dorëzuar një kurbe rritjeje të një virusi, i cili nuk ka të ndalur. Specialistët e shumtë të statistikave tashmë kanë heshtur, sepse më i fortë është zëri i nevojës, që vjen nga mjekët. Këta të fundit thjesht luftojnë kundrejt një armiku që nuk do t’ia dijë për asgjë. Një lajm tjetër i ka turbulluar dhe shumë nga shqiptarët sot. Silvana Bala, shefe e Pneumologjisë te spitali “Shefqet Ndroqi” ka hequr dhe sigurinë absolute të njerëzve, të cilët kanë pasur tamponin negativ, duke treguar se: Kjo ndodh ngaqë virusin këta pacientë e kanë në mushkëri dhe jo në rrugët e frymëmarrjes, ku merret sekrecioni. Shifra prej 210 pacientëve të shtruar vetëm në spitalin e saj me një mundësi rritje në ditët në vazhdim e bën apelin therës, sepse publiku shqiptar pothuaj i është dorëzuar në një formë shumë pa sens.
Teksa një pjesë e madhe qesëndisin me në krye konspiracionistët, që e dimë dhe e kemi provuar se janë qesharakë, por që në këtë kohë janë bërë të frikshëm me parashikimet e tyre dhe Lojën e Madhe Botërore. Vetëm vdekja e ndonjë personazhi të njohur, siç ndodhi me artistin Arben Bajo, e ka trandur disi publikun, por pak orë më vonë gjërat kanë rrjedhur njësoj. Dasma dhe sebepe që nuk mbarojnë, ziafete dhe ekskursione sikur është dita e fundit, varganë me kosovarë që kalojnë të pakontrolluar dhe neglizhencë totale e shitësve të vegjël dhe bizneseve. Mjekja hematologe, Alma Çili, e cila u infektua familjarisht me COVID-19 gati tre muaj më parë, ka filluar një apel për të mbledhur para lidhur me sistemin e kondicionimit në spitalet shqiptare, ku mjekët shqiptarë përkundrejt indiferencës së madhe kombëtare punojnë me përkushtim absolut. Si pak njerëz të këtyre kohëve dhe me përvojën e vet të hidhur, ajo veç apelit për kujdes i është drejtuar direkt edhe ambasadoreshës amerikane për të ndihur mjekësinë shqiptare. Kurse kryeministrit Edi Rama i është drejtuar direkt duke i kërkuar të investojë 30 mijë euro për të vendosur ajër të kondicionuar në ambientet e spitalit të saj, me argumentin se nuk mund të punohet në temperatura kaq të larta siç kanë qenë në këto javë të fundit. Po vallë a po dëgjohet ky apel i qytetares shqiptaro-amerikane?! Duket se apelet më të mëdha në këtë vend bëhen kur shfrytëzohet varfëria e njerëzve për të treguar bujari, apo për të shfaqur personazhe kinse bamirës. “Unë nuk i kërkoj, unë i lutem të japë 30 mijë euro për të vendosur ajrin e kondicionuar. Dha 95 milionë euro laboratorin me PPP, të japë dhe 30 mijë euro për vendosjen e kondicionerëve në QSUT. Në dijeninë time laboratori nuk është mbyllur, i ka kaluar privatit, unë shpresoj ata mjekë dhe të punësuar që janë aty të mos hidhen në rrugë”, u shpreh ajo hidhur në një intervistë. Alma dhe kolegët e saj nuk kanë nevojë për këtë ndihmë, as për qesëndinë e konspiracionistëve, që kanë mbirë si kërpudhat, por për besim dhe solidaritet, pasi e provoi koronavirusin bashkë me familjen dhe mbi të gjitha shikon bashkë me kolegët e saj në terren se çfarë nuk po mundet sistemi shëndetësor ndaj një armiku, që tashmë është mbi të gjithë. “Koronavirusi është shumë i rrezikshëm. Ka njerëz që nuk e besojnë COVID-in, por ka edhe 30-vjeçarë që kanë humbur 12 kg nga virusi”, tha publikisht duke u munduar t’i kthjellojë njerëzit, ndërsa nga ana tjetër duke u kërkuar që njëherë në jetë të jenë solidarë me kauzën e saj, që u kërkon të ndinë për pak kushte më të mira për mjekët, kolegët dhe gardianët e dashur të jetës sonë. Veçse, njerëzit ende e kanë mendjen të tallen me shifrat e ish-zv.ministrit, që tashmë mund të përfliten veçse projeksioni i tij gaboi në të dhënat kohore, por jo produktin, që shpejt do të jetë i frikshëm për shqiptarët. Alma e brishtë, nënë dhe mjeke, po e bën kauzën e vetme, duke kërkuar pak fonde për kondicionim. Po ti? Të paktën: Ruaju, Ruaji dhe Ruajuni! Edhe kaq i mjafton të gjithëve…para një të keqe që nuk po ndalet. (Javanews)