Vrasja e Ferdinand Polisë, i njohur ndryshe si ‘Nardi i Bujtinave’, e ndodhur disa ditë më parë në Grudë të Shkodrës duket se po merr shpejt zgjidhje nga Policia e Shtetit.
Sot është shpallur në kërkim autori i ngjarjes, me inicialet K.S dhe janë arrestuar tashmë 3 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit G. T., 26 vjeç, K. T., 29 vjeç, A. M., 20.
Ndërkohë, Dritare.net ka kontaktuar me vëllain e të ndjerit, Pavlin Polinë, i cili në një prononcim ekskluziv ka treguar se sapo ka marrë njohje për autoret, i lajmëruar nga Policia.
“Ne si familje përgëzojmë punën e shtetit. Nuk di se kemi konflikte me asnjë të dyshuarit që me treguan. Ne besojmë se kanë ngatërruar personin, gjithsesi ne nuk bëhemi si ata sido që të jetë puna e kushdo që të jetë përfshirë në këtë ngjarje. Me shpresë që të zbardhet kjo ngjarje sa më parë , falënderoj ata që po na gjenden në këtë mort, që i mori jetën vëllait tonë.”- është shprehur Pavlin Polia.
Nard Polia ishte i njohur si një nga njerëzit më përfaqësues të Thethit. Polia la pas gruan e tij shtatzanë dhe një fëmijë të vogël./Dritare.net