Pas një ore nis takimi mes kancelares Merkel dhe dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Fokusi këtij samiti do të jetë Kosova nga ku do të tentohet eksplorimi rrugëve dhe mundësive të reja për të rinisur dialogun e bllokuar mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërkohë, gjatë takimit kokë më kokë me kancelaren Angela Merkel, siç edhe shprehet në një intervistë për Top Channel, kryeministri Edi Rama pritet të kërkojë mbështetje për çeljen e negociatave për antarësim.
Zoti kryeministër, cilat janë pritshmëritë nga ky Samit?
Është një moment rikapitulimi i 5 viteve proces të Berlinit dhe risia është se jemi në një Samit gjermano-francez me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron për të adresuar të gjitha aspektet e një procesi historik si dhe për të diskutuar për temat me një rëndësi dhe një peshë të posaçme.
Çfarë do t’i kërkoni kancelares Merkel dhe presidentit Macron?
Më lejoni t’ua them pas takimit. Por, sigurisht që për sa na takon do të fokusohemi tek ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe padyshim tek domosdoshmëria për afirmuar se Shqipëria meriton të hedhë hapin e madh dhe të shumëpritur të negociatave për anëtarësim.
Nëse shikojmë axhendën, duket sikur i gjithë fokusi është Kosova, po çështjet e tjera a do të diskutohen?
Në fakt, të gjitha çështjet janë të përfshira, por ka edhe një sesion të veçantë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pozicioni ynë ka qenë dhe mbetet shumë i qartë.
Ne inkurajojmë dialogun dhe do të mbështesim pa rezervë një marrëveshje që ka mbështetjen e plotë të autoriteteve dhe përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Si dhe mbështetjen dhe garancinë e SHBA dhe BE.