Rama i përgjigjet Safet Gjicit: Mjaft u viktimizove

Sport

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, nuk ka qenë në stadium në ndeshjen me Kukësin, pasi ndodhet pranë familjes në Amerikë.

Gjithsesi, ai u tregua i gatshëm që përmes “Panorama Sport” t’i kthente një përgjigje të gjatë presidentit të Kukësit, Safet Gjici, i cili një ditë më parë, në intervistën e tij për gazetën, hodhi një lumë akuzash ndaj Partizanit.

Drejtori Rama ia ka numëruar të gjitha presidentit të Kukësit, ku në fund i kujton se duhet të fitojë më i miri dhe pa viktimizime apo cenime të garës. Olsi Rama krenohet me tifozët e kuq, por thotë se i kërkon falje personalisht mikut të tij Gjici për ofendimet karshi në stadiumin “Loro Boriçi”. Ja reagimi i plotë i Olsi Ramës për “Panorama Sport” në lidhje me akuzat e Gjicit.

VIKTIMIZIMI “I kujtoj publikut se në studio, jo në klubin e Partizanit, por në studio u diskutua dhe për një penallti në favorin tonë për ndërhyrjen e Frashërit ndaj Çinarit në pjesën e parë të lojës. Përsëri ne nuk u ankuam, pavarësisht se ndeshja ishte dhe e jona për t’u fituar. Nuk u ankuam, jo se nuk e kemi atë të drejtë, por sepse dëshirojmë të respektojmë garën dhe gjithë aktorët e saj. Nuk u ankuam, sepse Partizani është një realitet i bukur, i cili synon më shumë se sa titulli kampion. Unë jam dhe kam qenë gjithnjë për “fair play” dhe korrektësi. Le të fitojë më i miri, por pa viktimizime joreale dhe pa cenime të garës. Partizani ka qenë, është dhe do jetë shëmbëlltyra e meritokracisë dhe imazhit pozitiv”.

Share: