Policia parandalon vrasjen në Lezhë, kapet porositësi dhe autori

Kronikë

Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje duke arrestuar si porositësin ashtu dhe autorin që do kryente krimin. Ndonëse nuk jep emra, policia thotë se falë informacioneve të marra në rrugë operative ka kapur vrasësin në tentativë, një adoleshent nga Gramshi, i cili ishte porositur për vrasjen e një shtetasi nga fshati Rrilë i Lezhë.

Zyrtarisht policia thotë se më datë 30.03.2019, Strukturat e Komisariatit te Policisë Lezhë, falë marrjes në kohë të informacionit për një ngjarje të rëndë kriminale që do ndodhte gjatë natës në fshatin Rrilë, menjëherë kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Porosia”.

Pas një pune të mirëorganizuar, dhe ndërhyrjes së guximshme të agjentëve të policisë kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve S. H. , 18 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan dhe M. K. 43 vjeç, me banim në fshatin Shënkoll të Njësisë Administrative Shënkoll.

“Shtetasi S.H, i porositur nga shetasi M.K, më datë 30.03.2019, gjatë orëve të vona të natës do të qëllonte me armë zjarri në drejtim të një shtetasi me banim në fshatin Rrile të bashkisë Lezhë ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tij, dhe më pas do t’i merrte automjetin në oborrin e banesës së tij për tu larguar.

Falë marrjes në kohë të informacionit si dhe zhvillimit të operacionit “Porosia”, rreth ores, 20.00, nga Strukturat e Komisariatit të Policisë Lezhë është kapur në flagrancë shtetasi S.H, në fshatin Rrile të Njësisë Administrative Shënkoll të bashkisë Lezhë në afërsi të një dyqani ushqimor me një armë zjarri automatik kallashnikov.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: një armë zjarri automatik kallashnikov; një karikator me fishekë 30 copë; një çantë me ngjyrë të zezë ku brenda saj kishte 45 fishekë model 56.
-një kapuç ngjyrë të zezë; një palë doreza ngjyrë të zezë; dy aparate telefoni celular të markës Samsung.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentaivë”, në ngarkim të shtetasit M. K., ndërsa “Vrasje me paramendim në bashkëpunim e mebetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, në ngarkim të shtetasit S. H.

Share: