Sulmohet nga qentë e rrugës, humb jetën gruaja 61-vjeçare në Berat

Aktualitet Kronikë

BERAT – Kafshimi i qenëve të rrugës mësohet se i ka marrë jetën një gruaje pasditen e sotme në një fshat të rrethit të Beratit, ndërkohë që dyshimet e para flasin për një hemoragji të theksuar dhe disa dëmtime të marra në kokë në kohën që ka rënë përtokë. Selime Braushi, banore e fshatit Dyshnik, mësohet se humbi jetën pasditen e sotme në Spitalin e Beratit, ndërkohë që ishte paraqitur me disa plagë në trup dhe në kokë, të cilave nuk i ka mbijetuar.

Burime të këtij spitali bëjnë me dije se gruaja është paraqitur, rreth orës 14:30 të pasdites së sotme, me disa kafshime të thella në gjymtyrët e poshtëm dhe disa dëmtime të mara në kokë, dhe menjëherë është dërguar në Repartin e Kirurgjisë për t’iu ofruar trajtimi mjekësor. Por, dhe pse ka marrë ndihmën e parë shëndetësore gruaja ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shkaktuara në trup. Mjekët konfirmuan vdekjen e 61-vjeçares, ndërkohë që do të jetë autopsia mjekoligjore, që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes. Gruaja mësohet se ndodhej në pronën e saj duke punuar në kohën që është sulmuar nga disa qenë endacakë.

61-vjeçarja, sipas deklaratës që kanë dhënë të afërmit e saj në spital mësohet se ka qënë duke punuar tokat rreth pemëve të ullinjëve, në çastin që është sulmuar nga kafshët e braktisura, që e kanë kafshuar disa herë në trup. Më pas gruaja mësohet se ka rënë në tokë dhe sërisht është sulmuar nga qentë, gjë e cila i ka shkaktuar plagë të tjera, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen. Problematika e qenëve endacak është trajtuar disa herë në media, pasi jashtë çdo kontrolli, të paushqyer dhe pa kujdesje, ata bëhen të rrezikshëm, gjë e cila u vërtetua sot me vdekjen e gruas, banore të fsahtit vetëm pak kilometra larg qytetit të Beratit.

Share: