John Dingell ka ndërruar jetë ditën e enjte ( 7 shkurt) në shtëpinë e tij në Dearborn, Michigan.
Kongresmeni më jetëgjatë në historinë amerikane, John Dingell është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare. Dingell ndërroi jetë ditën e djeshme në shtëpinë e tij në Dearborn, Michigan. Lajmi është konfirmuar nga zyra për shtyp e gruas së tij, Rep Debbie Dingell.
“Ju njoftojmë me një zemër mjaft të rënduar se John David Dingell ka ndërruar jetë.Ai ishte një luan i Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe një djalë i dashur, baba, burrë, gjysh dhe mik. Ai do të mbahet mend për dekadat e tij në shërbim të njerëzve të Michiganit Juglindor, mendjen e tij të mprehtë, si dhe për përkushtimin për të përmirësuar jetën e të gjithë atyre që ecin në këtë tokë”.
Demokrati i Miçiganit përshkruhet nga kolegët e tij si forcë e fuqishme lëvizëse pas shumë ligjeve kyçe liberale, veçanërisht për programet shëndetësore.
John Dingell shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve për 59 vjet dhe 22 ditë, nga 1955 deri në vitin 2015, e përgjatë kësaj kohe u ka shërbyer 11 presidentëve.