Rihapet kulla Eifel pas mbylljes për shkak të Covid-19

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë

Kulla Eiffel po përgatitet të mirëpresë vizitorët pas mbylljes nga Covid-19, por: Për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme për infeksionin, ashensorët fillimisht nuk do të përdoren.

Të mërkurën punëtorët e monumentit parizien, bënë përgatitjet për ta rihapur më 25 qershor kullën, pas tre muajsh mbyllje. Kjo ka qenë ndërprerja më e gjatë që nga Lufta e Dytë Botërore. Menaxherët thanë se ata shpresonin që gjërat të ktheheshin plotësisht në normalitet gjatë verës. Ndërkohë, do të vendosen një seri masash sigurie. Vizitorët nuk do të jenë në gjendje të shkojnë më lart se niveli i dytë i kullës, dhe deri në fillimin e korrikut ngjitja do të bëhet vetëm përmes shkallëve. Ashensorët, me hapësirën e tyre të mbyllur, paraqesin një rrezik të transmetimit të sëmundjes. Të gjithë vizitorët mbi moshën 11 vjeç do të duhet të vendosin maskë në fytyrë.

“Ka një protokoll të ri,” tha këshilltari i higjenës së Kullës Eiffel, Alain Miralles. “Ekipet e pastrimit do të jenë në gjendje të pastrojnë të gjitha pikat e kontaktit çdo dy orë, nga hapja e kullës deri në mbylljen e sajë.” Turistët që po planifikojnë të udhëtojnë në Paris këshillohen që të rezervojnë biletat për të vizituar Kullën Eifel në internet pasi zyra e biletave rihapet të enjten.

Zyrtarët e turizmit në Paris kanë shprehur optimizëm të heshtur për rigjenerimin e qytetit si një destinacion udhëtimi. Meqenëse masat e kufizimit u vendosën në mars, nivelet e turizmit kanë rënë me rreth 80 përqind krahasuar me të njëjtin muaj në vitet e kaluara, thonë ata. “Për të tërhequr njerëz, gjëja më e rëndësishme është që të merren masa të sigurisë, dhe kjo është arsyeja pse ne po promovojmë distancat e sigurisë,” tha Patrick Branco Ruivo, drejtor i kompanisë operative të Kullës Eiffel.

Ai tha se me kufizimet e vendosura për udhëtimet e huaja për të ngadalësuar pandeminë, shumica e vizitorëve në fazën fillestare do të ishin vendas. “Për publikun francez, ky është momenti për të vizituar në Kullën Eifel,” shtoi ai. France 24  / bota.al

Share: