Procedurat dhe dokumentet, ja si do të shiten makinat nga 1 marsi

Aktualitet Kryesore Sociale

Qytetarët që do të kërkojnë të shesin makinën, tashmë procedurat e ndryshimit të pronësisë mund t’i kryejnë pranë sporteleve të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.

Nëse deri tani kontrata e shitblerjes së makinës kryhej te noteri, nga 1 marsi kjo procedurë do të kryhet pranë sporteleve të Drejtorisë së Shërbimit. Tarifa për kontratën e shitjes do të jetë 1,400 lekë.

“Panorama” boton të plotë dokumentacionin që një qytetar duhet të dorëzojë në rast se shet makinën, si dhe procedurat që do të ndjekë. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor tha se ndryshimi i procedurës së shitjes së makinës i jep fund sorollatjes së banorëve dhe ofron shërbim me tarifë më të ulët.

“Tjetër lajm i mirë për qytetarët! Nga 1 marsi, ndërrimi i pronësisë së mjetit, direkt edhe në sportelet tona. Tarifa e shërbimit vetëm 1,400 lekë. Siguri për shitësin e blerësin, verifikim i plotë në sistem. Shërbimi më i ri e i shumëpritur nga qytetarët nis nga Tirana e do të ofrohet në gjithë drejtoritë rajonale me cilësi e vëmendje brenda muajit mars”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

PROCEDURA DHE DOKUMENTET

Reduktohet numri i dokumenteve që një qytetar duhet të dorëzojë në rast të shitjes së makinës. Nga 1 marsi, kjo procedurë do të kryhet në sportelet e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas këtij institucioni, qytetarët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentin e identifikimit të shitësit dhe blerësit të makinës.

Përveç kësaj, pronari i mjetit duhet të dorëzojë certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit si dhe vërtetimin RBS, të lëshuar nga regjistri i barrës siguruese. Tarifa e shërbimit që do të paguajë qytetari do të jetë 1,400 lekë. Për sa u përket dokumenteve të tjera, si certifikata e kontrollit teknik të mjetit, kontrata e sigurimit të detyrueshëm, detyrimi i taksave, detyrimi për gjoba, verifikohen online.

Pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit, makina regjistrohet direkt në sportelet e Drejtorisë të Transportit Rrugor për pronarin e ri. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor shpjegoi se procedurat e reja, përveçse do të jenë më lehtësuese për qytetarët, do të shmangin abuzimet e shumta të konstatuara me kontratat e shitblerjes. Në shumë raste janë konstatuar që edhe pas kontratës së shitblerjes, blerësit të mos i jetë transferuar pronësia e mjetit, pavarësisht nënshkrimit të aktit të shitjes.

DOKUMENTET

Dokument identifikimi të shitësit dhe blerësit

DOKUMENTET E MAKINËS:

Certifikata e pronësisë

Leja e qarkullimit

Vërtetim nga RBS (lëshuar nga regjistri i barrës siguruese)

Tarifa e shërbimit, 1,400 lekë

Share: