Abuzimet me të miturit, Papa: S’mjaftojnë dënimet me fjalë

Sociale

Bota për Papa Françeskun pret masa konkrete mbi frenimin e abuzimit të priftërinjve me të mitur, e jo vetëm dënime me fjalë. Gjatë samitit të zhvilluar në Vatikan, me në qendër skandalet që kanë tronditur nga themelet kishën katolike, Ati i Shenjtë tha se zëri i “të vegjëlve që kërkojnë drejtësi” duhet dëgjuar.

Njerëzit e shenjtë të Perëndisë shohin nga ne dhe presin që të merren masa konkrete dhe efikase. Kjo është një domosdoshmëri. I kërkoj shpirtit të shenjtë të na mbështesë në këto ditë të vështira, e të na ndihmojë ta transformojmë këtë të keqe në një mundësi për ndërgjegjësim dhe purifikim”, tha Papa.

Detaje të abuzimeve seksuale kanë dalë në dritë në mbarë botën, e kisha është gjendur përballë akuzave për mbulim të krimeve. Ata që kanë vuajtur nga abuzime të tilla thonë se nevojiten protokolle të reja mbrojtjeje për minorenët.

Papa 82-vjeçar është nën një presion të jashtëzakonshëm për të gjetur zgjidhje praktike ndaj krizës më të rëndë, në të cilën po kalon kisha e ditëve tona. Samiti i pashoq katërditor në Vatikan zhvillohet me praninë e krerëve të të gjitha konferencave kombëtare të peshkopëve, nga më shumë se 130 vende të globit.

***

Ndërkohë, para fillimit të samitit, dy kardinalë të Kishës Katolike kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund “plagës së agjendës homoseksuale“. Ata i bënë thirrje peshkopëve ti japin fund bashkëpunimit të tyre dhe heshtjes mbi rastet e abuzimeve seksuale.

Në një letër të hapur, kardinalët Burke dhe Brandmüller u shprehën se Kisha ka fajësuar padrejtësisht se është kleri shkaku kryesor i këtyre skandaleve. Ata thonë se rastet përfshijnë priftërinjtë që “janë larguar nga e vërteta e Ungjillit“. Gjithashtu kardinalët kritikuan hapur Papën.

Plaga e agjendës homoseksuale është përhapur brenda Kishës, promovuar nga rrjetet e organizuara dhe e mbrojtur nga klima e bashkëpunimit dhe një komplot heshtjeje,”-thanë ata. “Për abuzimin seksual fajësohen klerët. Por faji i klerit nuk qëndron në abuzimin e pushtetit, por në largimin nga e vërteta e Ungjillit.”

Në hierarkinë katolike, kardinalët janë të dytët në rëndësi, pas Papës, dhe aktualisht ka 223 kardinalë.

Share: