Presidenti Trump përshëndet shtetet që do të nisin rihapjen

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë Sociale

Presidenti Donald Trump përshëndeti të mërkurën hapat e ndërmarra nga një pjesë e vogël shtetesh amerikane me guvernatorë republikanë për të nisur rihapjen e ekonomive të tyre megjithë paralajmërimet se infeksionet me koronavirus mund të njohin një rritje të re.

Mbi 10 shtete në SHBA, kryesisht ato në jug, si Xhorxhia, Karolina e Jugut dhe Tenesi, që kanë guvernatorë republikanë, po zbutin udhëzimet e qëndrimit në shtëpi, duke lejuar disa biznese jo thelbësore të rihapen, me shpresën për të rigjallëruar ekonominë.

Presidenti Trump, i cili është republikan dhe po përpiqet për t’u rizgjedhur më 3 nëntor, shprehu sot në Twitter mbështetje për këto shtete.

“Shtetet po rikthehen në mënyrë të sigurtë. Vendi ynë po fillon TË HAPET PËRSËRI PËR BIZNES. Kujdes i veçantë po tregohet, dhe gjithmonë do të tregohet për të moshuarit tanë të dashur (përveç meje!)”, shkruante në Twitter Presidenti Trump, i cili është 73 vjeç.

Vdekjet nga COVID-19 në SHBA, e kaluan shifrën 45.200 në mbarë vendin ndërsa rastet e të prekurve kanë shkuar në më shumë se 811,000.

Greg Abbott i Texasit, u bë të mërkurën një tjetër guvernator republikan që sinjalizon se do të fillojë zbutjen e kufizimeve. Ai tha se do të njoftojë një plan javën e ardhshme për të rihapur gjerësisht ekonominë e shtetit gjatë javës së parë të majit.

“Do të jetë me bazë të gjerë. Ne duam të hapim sa më shumë biznese,” tha zoti Abbott për televizionin Fox Business. “Sidoqoftë, duam të sigurohemi që ta bëjmë këtë në mënyrë shumë të sigurt, që nuk shkakton një zgjerim të COVID-19-s”, tha ai.

Shtetet dhe qeveritë lokale kanë lëshuar urdhra për “qëndrim në shtëpi” që prekin rreth 94% të amerikanëve.

Kufizimet e kanë dëmtuar ekonominë amerikane, duke lënë miliona amerikanë

Pa punë. Udhëheqësit politikë janë angazhuar në një debat të hidhur lidhur me mënyrën dhe kohën se si mund të rihapet ekonomia.

Shteti i Xhorxhias po u jep dritën e gjelbër palestrave, salloneve të flokëve, lojrave të tipit bowling dhe salloneve të tatuazheve apo masazheve për tu rihapur të premten, që do të pasohet javën tjetër nga kinematë dhe restorantet.

Masat janë urdhëruar nga guvernatori republikan Brian Kemp.

Ky shtet ka numër relativisht të ulët rastesh me koronavirus për frymë dhe shkalla e vdekshmërisë është 6 në 100 mijë, nën mesataren e vendit./VOA

Share: