Gjermania i jep dritën jeshile, testit të parë te njerëzit të vaksinës së mundshme kundër koronavirusit.
E prodhuar nga kompania BioNTech, ajo është vaksina e katërt në botë e aprovuar për teste klinike. Agjenti që shënjestron virusin shkaktar të pandemisë globale, në fazën e pare do të testohet te 200 persona të shëndetshëm mes moshës 18 dhe 55-vjeçare, e më pas te një kategori më e rrezikuar.
Gjermani i bashkohet vendeve në garë për gjetjen e antidotit efikas ndaj koronavirusit, ndërsa kriza shëndetësore në vend është përmirësuar ndjeshëm dhe autoritetet kanë nisur të lehtësojnë masat kufizuese.
Megjithëse pranojnë rënien e trysnisë në terapitë intensive, mjekët në Berlin paralajmërojnë mbi efektet e një vale të dytë të infektimeve. Gjermania, deri më tani nuk i ka përjetuar skenat kaotike si ato në spitalet e Italisë apo Britanisë së Madhe, megjithatë ekspertët kërkojnë vigjilencë pasi nuk dihet se si do të evoluojë situata.
Gjermania numëron gjithsej mbi 143 mijë të prekur dhe gati 4600 viktima nga Covid-19, ndërsa rastet e reja shënuan një rritje të lehtë pas dy ditësh përmirësim. Paralajmërimet për një valë të dytë vijnë edhe nga përtej Atlantikut. Drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, Robert Redfield thotë se ajo mund të rezultojë madje, më e rrezikshme se e para.