Kosova paralajmëron shtrëngim masash kundër Koronavirusit

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë Sociale

Të dielën kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga sot të gjitha përgjegjësitë për vendimet që lidhen me përballjen e situatës së krijuar nga koronavirusi do të merren nga ministria e Shëndetësisë.

Në një konferencë me gazetarë ai tha se masat parandaluese janë të domosdoshme, meqë vendi po hyn në një periudhë të vështirë të përballjes e pandeminë.

“Vendimet do të merren për komuna të caktuara varësisht nga nevojat që vijnë si rezultat i rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. COVID-19 është një armik i padukshëm e i heshtur që edhe vret, prandaj parandalimi është zgjidhja e mjaftueshme por edhe e nevojshme kur sistemi publik shëndetësor nuk është në nivel të kënaqshëm”, tha zoti Kurti.

Të hënën hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shfuqizon vendimin e qeverisë për kufizim lëvizjesh

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se gjatë javëve në vijim koronavirusi do të hyjë në fazën kulmore, prandaj tani e tutje çdo lëshim mund të kushtojë shumë.

“Tani jemi në situatën kur nuk duhet, nuk mundemi ta tolerojmë neglizhencën karshi këtij virusi të rrezikshëm, por duhet patjetër bashkëpunimi dhe bashkërendimi i masave bashkë me ju qytetarë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme. Marrë parasysh këtë, prej sonte në mesnatë hyjmë në fazën kur për secilën hyjnë në fuqi vendimet në lidhje me masat që ndalojnë qarkullimin. Masat që do të hyjnë sonte në fuqi do të jenë të njëjta me ato që kanë qenë aktive deri më tani”, tha ministri Vitia.

Ai tha se grupet teknike tashmë janë duke punuar në ministrinë e Shëndetësisë, dhe brenda dy apo tri ditëve të ardhshme pritet vendim për shtrëngim të masave ekzistuese.

Me 23 mars qeveria vendosi ndalimin e lëvizjes së “qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”, duke thënë se vendimi është në pajtim me kushtetutën e ligjet e vendit dhe në funksion të pengimit të zgjerimit të koronavirusit. Më pas vendimi u ndryshua dhe lëvizjet i ndaluan nga ora 17:00 deri në orën 06 të mëngjesit.

Por, një ditë më pas presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës.

Gjykata vendosi shfuqizimin e këtij vendimi më 13 prill.

Kryeministri tashmë në detyrë kundërshtoi kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Më herët të dielën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u bëri thirrje mërgimtarëve që ta ndihmojnë qeverinë në luftën kundër koronavirusit.

Në një video postuar në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri në detyrë tha se qeveria ka hapur një xhirollogari të posaçme për këtë çështje.

“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, theksoi ai në postim.

Deri tash në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 283 persona të infektuar me koronavirus, shtatë kanë ndërruar jetë dhe 58 të tjerë janë shëruar./VOA

Share: