Nga Jolanda Lila
Vitet ia kanë spërkatur flokët me argjend, por brendia e tij ka mbetur njësoj, po aq njerëzore, me një mirësi të spikatur, ashtu siç është çdo gjest i doktorit të mirë. Kush trokiti në derën e tij dhe nuk gjeti zgjidhje?!…
Një karakter i formësuar hershëm me vlerat më të thella njerëzore, me mikpritjen e çiltër dhe me dashurinë e pastër për njerëzit që e rrethojnë, ai vijon çdo ditë të ngjitet në shkallët e poliklinikës “Mat dental” që drejton, dhe të kujdeset në detaje për gjithkënd e për çdo gjë. Jeta e tij ka njohur vetëm ngjitje, ashtu si shkallët që ngjit çdo ditë, me një forcë të pareshtur dhe me një energji të fuqishme brenda vetes.
Doktor Saliu është tejet i dashur për të gjithë brezat, sepse sjell gjithnjë mesazhe me peshë me fjalët dhe mbi të gjitha me veprat e tij. Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij. Disa njerëz lindin për të jetuar përgjithmonë në memorien e kujtdo. Të rrallë janë njerëzit që e kanë takuar njëherë këtë mjek dhe të mos jenë bërë miq të tij. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, ai është tepër fisnik. Siç është bardhësia e përparëses që mban veshur, po aq sqimatar është edhe në punë, synon përherë përsosmërinë dhe jepet me shpirt pas çdo procesi deri në rezultatin final. Të gjithë ata që e njohin e pohojnë këtë. Korrekt me punën, i papërtuar, me një durim të pashembullt, ai vijon të impresionojë me rezultatet dhe saktësinë e vet çdo pacient. Vullneti i hekurt e ka shoqëruar që në vegjëli dhe si një gjilpërë magnetike e shoqëron edhe sot, pas 70 vitesh jetë, ku kënaqësinë më të madhe e gjen tek puna.
Ai përfaqëson më së miri ato rastet kur përputhen tek një person i vetëm të gjitha të mirat: pamja fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Ai mund të jetë një njeri gati i panjohur për publikun e gjerë, por suksesi i tij është i jashtëzakonshëm brenda sferës së vet profesionale dhe atyre që e njohim nga afër.
Për nga idealet e mëdha, për nga bëmat humane dhe për nga arritjet profesionale, mjeku Sali Kurti mund të konsiderohet një hero i heshtur, që nuk kërkon lavdi dhe as shpërblim, por vetëm një buzëqeshje të çiltër prej njerëzve.
Ai është ndër të rrallët mjekë, që nuk e konsideron shërbimin dentar si biznes, por si mision për njerëzit. Të shumta janë bëmat humane të doktorit, të cilat rrëfehen nga pacientët, që tregojnë se ai u ka shërbyer edhe pa para qytetarëve, të cilët kërkonin ndihmë pranë poliklinikës “Mat Dental”, të lartuar në hyrje të rrugës së Elbasanit në Tiranë.
Ai ka një marrëdhënie të veçantë me pacientët, sepse kujtesa e jashtëzakonshme, e kthjellët dhe e shkathët e shoqëruar me kujdesin e madh, e bëjnë atë që të mbajë mend detaje, emra e gjithçka që lidhet me secilin prej tyre. Teksa u shtrëngon dorën dhe bisedon me ta, doktori merr pamjen dhe shëmbëlltyrën e pacientëve. Duke i dëgjuar ata njerëz përfshihet në hallet e tyre dhe me ndjeshmërinë e tij të thellë, pa shumë fjalë e teprime, përpiqet t’ia lehtësojë jetën gjithsecilit.
Varfëria e skajshme, me të cilën u rrit doktori e ka bërë babaxhan, të dhimbsur, po aq edhe të zgjuar. Vuajta të kalit me durim, njëkohësisht të nxit shpresën e madhe për t’i ikur mjerimit. Ai i iku mjerimit të vet, falë punës titanike dhe sakrificave të mëdha, por kërkon të zgjasë dorën herë pas herë edhe për të tjerët që janë në zgrip. Ajo është lumturia e tij më e madhe. Këtë e shpjegon edhe mënyra sesi i sheh njerëzit, duke qeshur e duke u dhënë kurajo në mënyrë dashamirëse.
Humanizmi i tij është prekur e vlerësuar jo vetëm nga pacientët që zënë radhët e gjata të pritjes për shërbime dentare prej tij, prej gati 50 vjetësh tashme, por edhe nga instancat e larta shtetërore. Në vitin 2007, ai u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e qytetit të Burrelit, vendit prej nga lindi dhe kontribuoi për dekada të tëra. Më pas, në maj të vitit 2017, presidenti i Republikës Bujar Nishani, i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i madh”, një vlerësim tepër i rrallë në këtë fushë, sepse të paktë janë mjekët stomatologë, që mbajnë mbi supe një nderim të tillë.
Këto kulminacione të karrierës së tij janë përftuar mes një rruge të mundimshme dhe aspak të lehtë, rrugë të cilën doktori e ka përshkruar mjeshtërisht në librin autobiografik: “Një jetë në shërbim të njerëzve”. Libri, që sapo ka dalë në treg, tregon sesi ai u ngrit nga hiçi, sesi e sfidoi mjerimin e skajshëm vetëm me dëshirën e zjarrtë për të qenë “dikushi” dhe me vullnetin e çeliktë për ta ndryshuar fatin e jetës së vet.
Dikur ishte nën trysni të rëndë, ishte në mes të mjerimit, kurse tani duket sikur ka gjetur atë që kërkojnë të gjithë: lumturinë. Ai duket i lumtur dhe mundohet që energjinë e vet pozitive t’jua injektojë edhe të tjerëve rreth e qark: kolegëve me të cilët punon, pacientëve, por edhe familjarëve të vet. Vlerëson më shumë se gjithçka tjetër: harmoninë, sinqeritetin dhe dashurinë e pastër. Me mish e me shpirt përpiqet ta ndihmojë këdo, për gjithçka, dhe çdo gjë e bën në formë altruiste, pa pritur asgjë në këmbim.
Arritjet e tij profesionale janë tregues i punës së tij të palodhur dhe me një përkushtim të pashembullt, ndërsa vlerat e tij njerëzore janë burimi i dritës së mirësisë, të cilën e prekin qindra e mijëra njerëz që kontaktojnë me doktorin, i cili nuk është vetëm shërues i dhimbjeve të dhëmbëve, por edhe katalizator i zgjidhjes së problemeve jetësore të njerëzve. Urojmë që doktor Sali Kurti të festojë edhe shumë ditëlindje të tjera, i rrethuar nga dashuria dhe drita që i reflektohet si pasqyrë, pra atë që u jep të tjerëve, atë marrtë gjithnjë!