Djegia e mandateve/ Sinjalet e para të LSI pro dhe kundër Bashës

Aktualitet Kryesore Politikë

Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkohet propozimit të kryedemokratit Lulzim Basha për të djegur mandatet e deputetëve me planin për ta çuar më tej vendin në zgjedhje të parakohshme. Ka zëra pro, ka edhe zëra kundër, megjithatë të gjithë deputetët janë kujdesur të mos dalin në mënyrë të drejtpërdrejtë në qëndrimet e tyre. Kanë bërë vetëm statuse në rrjetet sociale, ku nëse janë pro ose kundër, duhet lexuar thellë mes rreshtave.

Disa deputetë si Lefter Koka, Vangjel Tavo, Edmond Haxhinasto, Viktor Tusha, Nasip Naço, Shezai Rrokaj dhe Silva Caka janë shprehur kundër djegies së mandateve. Këto janë qëndrimet e tyre personale, që Report Tv mëson të kenë shfaqur, dhe nuk dihet nëse do të shfaqen edhe kur të merret vendimi nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim që do të mbledhë kryesinë dhe grupin parlamentar në orën 17:00 të pasdites.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ende nuk ka dalë me një qëndrim të sajin, por më herët në kohë kur ish-kryeministri Sali Berisha propozonte djegien e mandateve, ajo është shfaqur kundër duke thënë se mandatet i kanë me gjak!

Deklarata e Bashës erdhi një ditë pas protestës së 16 shkurtit, pas një takimi kokë me kokë me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Share: