Hapet urgjenca e re e infektivit në QSUT, dyfishohen kapacitetet

Aktualitet Kryesore

Ditën e sotme është inauguruar urgjenca e re e shërbimit infektiv, me kushte të përmirësuara dhe me një standard të ri. E pranishme në këtë inaugurim ishte dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja u shpreh se ky investim ka dyfishuar kapacitet e urgjencës si dhe ka përmirësuar shërbimin ndaj pacientëve, teksa theksoi se janë ndërtuar dhe 2 bokse izolimi të cilat përdoren posaçërisht për sëmundjet ngjitëse.

Përsa i përket shtimit të stafit mjekësor, ministrja tha se mungesa për katër vite e specializimeve ka sjellë probleme, por në më pak se 1 muaj diplomohen 300 mjekët e parë specialistë, ku mes tyre ka edhe infeksionistë që kanë kontratë me Ministrinë dhe do të shërbejnë në disa spitale rajonale.

Sa i takon personelit infermieror, fituesit e shpallur nga konkursi transparent, po ashtu mund të punësohen sipas pikëve, edhe në këtë shërbim.

Investimi në urgjencën e re të shërbimit infektiv, përfshin edhe integrimin e qendrës së imazherisë brenda kësaj urgjence, e cila lehtëson pacientët, të cilët tashmë nuk do të sorollaten më në reparte të tjera për një ekzaminim skaneri, grafie apo ekoje.

Urgjenca e re e shërbimit infektiv ka një kapacitet prej 15 shtretërish, nga 6 që kishte shërbimi i mëparshëm dhe i shërben rreth 40.000 pacientëve në vit.

Share: