Të punosh 4 ditë në javë është më e shëndetshme dhe produktive

Kryesore Shkencë & jetë

Nëse dëshironi që punonjësit tuaj të jenë më produktivë, jepuni atyre një ditë pushim të paguar çdo javë.

Kjo është filozofia e Andrew Barnes, themelues i kompanisë Perpetual Garden në Zelandën e Re. Ai e bëri eksperimentin vitin e kaluar dhe në fund, si Barnes edhe punonjësit e tij, ishin të lumtur. Tani, punonjësit e kompanisë punojnë 4 ditë në javë.

“Kjo do të thotë të punosh në mënyrë më inteligjente, dhe jo më gjatë” tha Barnes, kompania e të cilit menaxhon testamente dhe pasuri të patundshme.

“Ne kemi perceptimin se duhet të punojmë 5 ditë në javë, në orarin 9:00 – 17:00. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të ndryshojmë mënyrën se si njerëzit sillen kur janë në zyrë” – ka thënë Barnes për CNBC.
Ky është një sukses, pasi punonjësit përfitojnë nga ky avantazh dhe përqendrohen më shumë në punë gjatë asaj kohe se sa ata që punojnë 5 ditë në javë – thotë Barnes.

Studime të ndryshme e mbështesin këtë gjë. Sipas një studimi të Vouchercloud në Britaninë e Madhe në vitin 2017, mesatarisht një punonjës është i përqendruar rreth 2 ore e 53 minuta në punë. Workforce Institute at Kronos, në një studim të vitit 2018, gjeti se më shumë se gjysma e punonjësve me kohë të plotë mendonin se mund ta bënin punën e tyre në pesë orë, nëse gjatë kësaj kohe nuk do të ndërpriteshin në punën e tyre. Sondazhi mori në pyetje 3 mijë persona në 8 shtete.

Barnes shpreson që kompani të tjera të mësojnë nga përvoja e tij. Kohët e fundit ai ka shkruar një raport ku paraqet rezultatet e tij dhe disa rekomandime se si mund të zbatohet një plan i ngjashëm.
Megjithatë, ai thotë se shumë kompani janë të “frikësuara” ta ndërmarrin këtë rrezik, pasi janë të kushtëzuara nga një javë pune me 5 ditë.

“Kjo përmirëson produktivitetin por në të njëjtën kohë krijon edhe një ekuilibër më të madh mes jetës profesionale dhe asaj personale [dhe] punonjës më të shëndetshëm, besnikë dhe të angazhuar” – shton Barnes.

Barnes nuk është i vetmi që ka kuptuar avantazhet e një jave pune me 4 ditë. Vitin e kaluar, kompania Planio, me seli në Berlin, vuri në zbatim javën e punës me 4 ditë në javë për stafin e saj me pak punonjës. Edhe agjencia Grey, me seli në Nju Jork, e cila zotërohet nga WPP, u ka dhënë mundësinë punonjësve të saj të punojnë 4 ditë në javë.

*Michelle Fox
Burimi: CNBC

Shqip: Monitor

Share: