PARTIA E AFRIM GASHIT DO TË MBAJ EMRIN “ALTERNATIVA”

Aktualitet Kryesore Politikë Rajon/Botë

Dje, më 17 shkurt 2019 (e diel), u mblodh Kuvendi Qendror i Lëvizjes BESA, që u zgjodh më 18 shkurt të vitit të kaluar në Kongresin e Parë të Lëvizjes dhe ku e zgjodhi Afrim Gashin për kryetar, dhe diskutoi për zhvillimet më të reja politike dhe për kontestin gjyqësor, që rrjedh tashmë një vit.

Me këtë rast Kuvendi Qendror konstatoi se Lëvizja dhe tre deputetët e saj kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset politike gjatë vitit që shkoi dhe këtij fillimviti, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në procesin integrues.
Përveç kësaj, Kuvendi Qendror diskutoi edhe për kontestin gjyqësor, që tashmë një vit zhvillohet në gjykatat e vendit për pronësinë juridike të partisë dhe konstatoi se detyrimet politike që i parashtrohen organizatës politike, strukturave të saj, por edhe votuesve të saj, nuk e lejojnë luksin e pritjes dhe kërkimit të drejtësisë në një sistem gjyqësor që ende i vuan pasojat e regjimit të kaluar dhjetëvjeçar. Në të vërtetë, ashtu siç u njoftua opinioni, gjykatësi i njëjtë, në gjykatën e njëjtë dhe për lëndën e njëjtë i merr dy vendime të ndryshme në data të ndryshme, që flet se në vendin tonë ka ende forca politike që vazhdojnë të ndërhyjnë brutalisht në institucionet e drejtësisë.
Pa dashur të ndërhyjmë në motivet se pse ato forca politike kanë kaq interes që ta ndihmojnë dhe favorizojë një grup që është konstatuar si falsifikues i dokumentacionit të Lëvizjes BESA, Kuvendi Qendror, njëzëri, mori vendim që:
Kërkimi i drejtësisë të vazhdojë në instanca të tjera derisa drejtësia të vendoset plotësisht dhe mashtruesit ta marrin ndëshkimin e merituar;
Të ndryshojë emri i subjektit politik dhe mos të mbetemi akoma peng i këtij kontesti juridik në përmbushjen e detyrimit tonë programor.
Në frymë të kësaj Kuvendi Qendror e autorizoi Sekretarin e Përgjithshëm që ta organizojë përpjekjen për betejën e mëtejme juridike deri në arritjen e plotë të drejtësisë.
Ndërkaq, për vendimin e dytë Kuvendi Qendror vendosi që organizata politike Autoktone, Autonome dhe Autentike, e cila është pranë autorëve të saj burimorë dhe pronarëve të saj ideorë, ideologjikë dhe legjitimë, tash e tutje të quhet AlternAtivA, duke u shkëputur kështu nga kurthi në të cilin kanë dashur ta fusin kundërshtarët e saj politikë dhe argatët e tyre.
Në këtë mënyrë AlternAtivA do të vazhdojë ta ndjekë kursin e saj tradicional politik, atë që e kanë ndërtuar projektuesit e saj, t’i përfaqësojë strukturat e saj besnike dhe të vazhdojë ta bëjë betejën për vlerat në të cilat ajo beson dhe për të cilat angazhohet.

Share: