Ka reaguar kreu i qeverisë Edi Rama pas vendimit të grupeve Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman, të cilat votuan sot rezolutën që ti rekomandohet qeverisë federale hapja e negociatave me kushte për Shqipërinë.
Në një postim të bërë në Twitter, kryeministri Edi Rama ka falenderuar të gjithe deputetët që votuan pro, si dhe Angela Merkel për mbështetjen e pakursyer sipas tij.
Rama shprehet se “ata që votuan kundër do t’i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave”.
“LAJM I MIRE! Faleminderit të gjithë deputetët e CDU/CSU që më në fund VOTUAN PRO HAPJES SË NEGOCIATAVE. Ata qē votuan KUNDËR do t’i bindim në çdo hap me FAKTE se SHQIPËRIA E MERITON hapjen e negociatave. FALEMINDERIT ANGELA për mbështetjen e pakursyer për SHQIPËRINË”, shkruan Rama.
Sakaq, Shqipërisë do t’i hapen negociatat vetëm kur të përmbushë 9 kritereve të vendosura nga Gjermania.
Bundestagu gjerman ka miratuar kërkesën e qeverisë federale gjermane dhe i kërkon asaj që në takimin e Këshillit të Evropës që do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor 2019, të miratojë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë vetëm kur të përmbushen kriteret.