Poeti arbëresh Lluka Perrone në 100-vjetorin e lindjes

Kulturë Libri

Nga prof. Ymer Çiraku

 

Poezia arbëreshe, në rrafshin diakronik të saj, paraqitet si fragment fort i cilësuar dhe i vlerësuar i njësisë së universit të letërsisë shqipe. Por në disa aspekte të saj, ajo shfaqet edhe si univers më vete, specifik. Kjo poezi, përveç se shpërthim i natyrshëm talenti, është dashur të jetë edhe mjet qëndrese në aspektin gjuhësor e kulturor – i një komuniteti vital etnik, i shpërngulur në rrethana të njohura  prej botës arbërore. Veçmas poezia, mund të pohohet se ka qenë ai balsam i gjetur (përkryer), që e ka penguar humbjen përfundimtare të kujtesës etnokulturore të shumë prej ngulimeve arbëreshe, të vendosura në vise të ndryshme të Italisë, nëpër rrjedha të historisë.

Tradita e epokës deradiane, pa mëdyshje, që ishte dhe mbetet e një shkëlqimi të epërm dhe që do t`i bënte të vështira tejkalimet e mëpasme. Pas kësaj plejade, ku shquajnë Gavril Dara,  Santori, Serembe, Skiro, me De Radën sigurisht në qendër, jo rrallë ka qenë e pranishme pritja e këngës së fundit të mjelmës – në poezinë arbëreshe. Për fat të mirë, në vend të kësaj uverture të pikëlluar, ka vazhduar të përvijohet kënga e poetëve pasardhës, që është përcjellë më tej nga të tjerë, deri më sot e kësaj dite.

Krahas Dushko Vetmos e Vorea Ujkos, Karmell Kandrevës e Pietro Napolitanos dhe jo pak të tjerëve, Lluka Perrone, është nga ata poetë, që e mbarti denjësisht vazhdimësinë dhe mbijetesën e denjë të kësaj letërsie. Te ky poet, shfaqet një profil interesant dhe konsekuent në prirjet e tij artistike. Ai doemos që përthith mjaft elemente nga limfa e poezisë së epokës deradiane, por ky qendrim i tij, nuk shfaqet e mbetet në nivel plagjiature, përkundrazi, vjen si nevojë ekuilibri artistik, për të ruajtur e vijuar prirje të atilla etnokulturore, që do të mbeteshin në harmoni me shpirtin dhe frymën e këtij komuniteti, ngulur në mes të botës latine. D.m.th., në kontekstet e trysnive socio-letrare, atëhere kur vazhdon të lëvrohet kjo poezi e mëvonshme, ruajtja e mëtejshme e veçorive ligjërimore dhe konceptuale, kërkon doemos orientimin nga pikat e referimit. Pra, fryma romantizante, ideja fikse e mallit për dheun e të parëve, plazmimi i mjaft elementeve nga folklori, kujtesa dhe vetëdija historike, vazhdojnë të përcillen edhe te ky poet, duke dëshmuar lidhjet me këtë situatë letrare specifike, por që sigurisht – nuk e shpërfill totalisht realitetin më të gjerë socio-letrar përreth. Por ama, që as nuk identifikohet imediatisht me të. Nga ky mosidentifikim, mundi të burojë e të mbesë (të mos tretet kulturalisht) poezia e Perrones, ashtu si edhe e poetëve të tjerë bashkëkohës me të, apo atyre të mëvonshëm. Kjo sigurisht, që nuk do të arrihet dot aq lehtë, sepse shfaqen një mori vështirësish, përmes të cilave, poezia mbart adresime edhe të njërit – edhe të tjetrit realitet, por deri në fund të askujt veçmas, sepse kjo poezi, është vetë një adresë/dukuri e vetëmjaftueshme.

Shkrimtari dhe dijetari i shquar arbëresh Dushko Vetmo (Françesko Solano), e ka vlerësuar krijimtarinë poetike të Perrones si një poezi në dukje disi të thjeshtë, me mesazh të qartë, ku ndihet “dritë agimesh dhe vegullime mëngjesore bashkë me kuqërrime të mbrëmjes: hidhërime të shpirtit në fjalë të sjella përmbi flatrat e erës së natës…”. (Nga parathënia e librit të Ll. Perrones: “Dërrudhëz”, 1977).

Pas metaforikës së këtij gjykimi të hollë impresionant, është sintetizuar thelbi i kësaj poezie, sa të kthjellët e të qetë në dukje, aq edhe të trazuar së brendshmi, duke u shfaqur si një poezi e kontrasteve dhe e dramatizmit tronditës. Pikturimi me dritë-hije i mjediseve dhe i përjetimeve njerëzore, të adresuara këto, nëpër situata dhe episode reale – apo në një kontekst universal, përcjell te lexuesi harenë dhe dramën e jetës. Ky pasqyrim kompleks, është në vazhdën e poezisë arbëreshe, që përgjithësisht, ka synuar të bëhet një kronikë sa më e plotë e jetës, në frymën e artit epiko-lirik.

Ll. Perrone është lindur në katundin arbëresh Ejaninë, pranë Kozencës, në krahinën e Kalabrisë. Deri në fund të jetës mbeti një nga intelektualët arbëreshë më aktivë. Ishte mbledhës, studiues dhe botues i zellshëm i folklorit arbëresh, duke patur bashkëpunim të ngushtë edhe me Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Romës, që drejtohej prej shumë vitesh nga E. Koliqi. Studime e poezi botoi edhe në revistën e njohur letraro-kulturore Shêjzat, e cila botohej në Itali. Nëpër vite të ndryshme ka botuar disa libra me poezi si: Lule Shkëmbi, Dërrudhëz, Vjershë lirie, Thierja e armit.

Në përgjithësi, krijimet poetike të Perrones janë të shtrira në vargje të kursyera, por që përcjellin një pasuri mesazhesh, përjetimesh e situatash të befta, aq sa krijojnë idenë e një hapësire të madhe, të tejme, pothuaj të pafundme. Ky lloj iluzioni poetik, me sa duket, nuk është i rastësishëm, por i qëllimtë, një mjeshtëri e vërtetë e krijuesit, që i çon vizionet poetike përtej caqeve konkrete të pesë apo pesëdhjetë vargjeve.

 

U shkrep një yll

dhomën dritësoi.

Djali hapi sytë,

i fërkoi,

e thithi në sisën e gdhirës…

                     (Thithi në sisën e gdhirës)

 

Në gjithë harkun e kësaj poezie pesë vargëshe, feks një imazh, që nis nga largësia e një ylli të përtejmë e vjen deri në dhomëzën, ku djali përjeton ekstazën dhe aromën e gjinjve të virgjër të mëngjesit. Këtu s’mund të mos ndihen reminishenca nga imazhi i Orëve dhe Zanave të Ciklit të Kreshnikëve, që poeti pa dyshim, i pati njohur mirë në punën e tij edhe si krijues e mbledhës i folklorit shqiptar.

Sintetizmi, si parim i kahershëm i poezisë arbëreshe, në mjaft raste te Ll. Perrone i rrudh krijimet deri në kufijtë e sentencave. Sa për ilustrim p.sh. një dyvargësh i tij:

 

Liria fluturon

                             nuk ka varr

 

Natyra si peizazh, është mjaft e pranishme në poezinë e këtij autori. Veçse ajo nuk paraqitet si lëvozhgë e jashtme, që pastaj të shpalosë thelbin e vet njerëzor/human. Në morinë e shfaqjeve të natyrës, është njëherazi vetë përjetimi njerëzor, që nuk përcillet ndarazi si nëntekst, as si personifikim, por i shkrirë tërësisht dhe organikisht. Si të thuash, te mrekullitë apo fatkeqësitë e natyrës, është përherë ai raport i njeriut, i cili, ai vetë i projekton ato, apo edhe ndikohet prej tyre. Gjithsesi, duke theksuar këtë raport, poeti nuk e skematizon dhe nuk e zbeh natyrën, por e ruan në kornizat e normalitetit të saj, deri në kufijtë e skrupulozitetit, sidomos në peizazhet rustike. Janë të pranishme vreshtat me harenë e arbëreshit, fushat me manushaqe, tymi i vatrës, zhurma e argalisë së nënës, penjëzat e merimangave, cinxrat (gjinkallat) që hanë mbi drurë dërrudhëz yjsh, agimet ku Afërdita zbraz prehrin e saj me dritë…

Vizatimi i tërë këtyre pamjeve të larmishme, është një galeri e pasur pikturash mbresëlënëse, që kanë aromë e frymë jete, aq e njohur kjo në letërsinë arbëreshe, që nga Variboba e këtej.

Në princip, sintetizmi në poezi, realizohet edhe nga denduria e figurativitetit stilistik, i cili, brenda një njësie ligjërimore, çliron shumësi kuptimesh. Edhe në poezinë e Perrones, metafora zë kreun e vendit dhe është një ujëvarë e vërtetë vërshuese, që shpesh degëzohet në metafora të njëpasnjëshme të mëtutejshme, duke krijuar kështu një zinxhir metaforash. Po të ishim në një mendje me Borgesin, sipas të cilit metaforat janë format më abstrakte të fjalëve dhe se metaforat thelbësore janë gjithë – gjithë nja pesë a gjashtë, atëherë prej tyre, më të preferuarat e Perrones, janë: jeta, yjet, lulet. Brenda këtij trekëndëshi, që mund ta quanim figurativisht një trini poetike, pikëzohet gjithë struktura metaforike e kësaj poezie, që ka për bazë realitetin, tejpamësinë (vizionin), pasionin. Pikërisht në këtë trekëndësh, ashtu si në një thjerrëz prizmatike, përthyhet në një mori nuancash gjithë metaforika specifike e këtij poeti.

Në poezinë e Ll. Perrones, s’mund të të mos bjerë në sy begatia gjuhësore, që në një pikëvështrim, mund të përbënte një atlas gjuhësor me vlera. Arkaizmi gjuhësor i kuptueshëm te ky poet, është një fazë e ndërmjetme, me një prirje edhe drejt standardit të shqipes, i cili, ndihet i pranishëm si një spërkatje përtëritëse/pasuruese në këtë ligjërim poetik. Por ku arbërishtja, doemos që ka epërsi, jo vetëm si fond parësor leksiku, por para së gjithash si ligjërim specifik. Kjo dëshmon për ndërgjegjen  gjuhësore të tij, por edhe se ai ka qenë në kontakt sistematik me botimet shqipe të niveleve e kohëve të ndryshme. Poezia e këtij poeti, ashtu si edhe e poetëve të tjerë arbëreshë , nxjerr në dritë një mori fjalësh e strukturash të kahershme, mjaft shprehëse e të rafinuara, të konservuara fanatikisht në botën arbëreshe, që fare mirë, gjuha e sotme shqipe mund t’i riaktivizojë, si një pasuri e shtuar e saj.

Pa mëdyshje, mund të thuhet se Ll. Perrone, bën pjesë në radhën e atyre poetëve të njohur, që e mbartën denjësisht mbijetesën dhe vazhdimësinë e poezisë arbëreshe, nga traditat e mëdha të shekullit të 19-të, drejt proceseve të reja letrare të mëvonshme. Krijimtaria e tij mbetet pra, një hallkë lidhëse, mes frymës së poezisë arbëreshe të traditës së shek 19 – me poezinë më të re të shekullit të 20. Në tërësi, ajo është një poezi  jetësore dhe njëherazi metaforike, me një prirje të dukshme sintetizmi. Kjo poezi shfaq vlera të posaçme edhe në planin gjuhësor, jo vetëm të afërt me standardin e shqipes, por edhe me shtresa leksiku e konstruktesh të moçme, që vijnë nga rrënjët e gjuhës shqipe. Me Ll. Perronen dhe poetët e tjerë të kësaj kohe, letërsia arbëreshe dëshmon qartazi qëndresë konstante dhe lëvrim  disi masiv të saj, ndonëse ende pa njohur nga ato maja të larta, si dikur në epokën e shkëlqimit deradian. Por shembujt e mëdhenj, mbeten nxitje e shpresa të mëdha, për mbijetesën e kësaj dege përherë të gjelbër të trungut të letërsisë e kulturës mbarëshqiptare.

Share: