Nga Nasho Jorgaqi
Në qoftë se në shekullin e rilindjes, poeti ynë i kombëtar, Naim Frashëri, shkroi në persisht përmbledhjen e tij të parë (poetike “Ëndërrimet—Tajahylat”, në shekullin e njëzetë, një nga kolosët e kulturës shqiptare, Fan Noli, përktheu nga kjo gjuhë një prej kryeveprave të saj, “Rubairat” e Omar Khajamit. Shqipërimi i “Rubairave” ishte padyshim një ngjarje e shënuar në jetën tonë kulturore-letrare, por edhe një sprovë tjetër e aftësive dhe vitalitetit të fjalës shqipe, falë talentit të madh të Nolit. Lidhja intelektuale dhe shpirtërore e Nolit me qytetërimin oriental janë të hershme. Qysh në moshë fare të re, ai mësoi gjuhën turke dhe arabe, ra në kontakt me burimet e këtyre kulturave për të njohur më pas gjuhën dhe kulturën persiane.
Me sa duket, me këtë të fundit lidhjet qenë të brendshme, jo aq se persishtja ishte gjuha e poezisë, se sa u mrekullua nga magjia e “Rubairave” të Khajamit, si një nga veprat poetike më të bukura të botës, tek e cila gjeti veten si njeri artist dhe intelektual. Nuk dimë se kur u njoh së pari me Omar Khajamin, por dimë se i hyri punës për të përkthyer Rubairat në kohën kur ishte i anagzhuar më shumë se asnjëherë në jetën politike. Pikërisht në gusht të vitit 1924 boton te Dielli katër rubairat e para. Brenda dy vjetësh ai shqipëroi mbi 100 rubaira, të cilat i përmbledh në librin që boton në Bruksel në 1926-ën dhe një vit më vonë, pas pritjes entuziaste dhe lutjes së lexuesve, shqipëroi dhe mbi dyqind të tjera e na dha botimin e ri të vitit 1927.
“Rubairat” e përkthyera në shqip, Fan Noli ua kushtoi dy korifenjve të poezisë persiane, Nizami Arusit dhe Hafiz Shiraziut, në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje që shpëtuan nga humbja “Rubairat” khajamiane. Meqenëse letërsia persiane nuk njihej nga lexuesi shqiptar dhe “Rubairat” përbënin një vepër me vlerë të gjithanshme dhe komplekse, që lypnin njohuri dhe shpjegime, Fan Noli i pajisi me një parathënie introduktive dhe me shënime të hollësishme, punë kjo që nuk e kishte bërë në këto përmasa me përkthimet e tjera. Kështu botimi i librit “Rubairat” shënonte një kontribut të dyfishtë, por edhe shpjegimin dhe interpretimin e saj, të autorit e të epokës kur u krijua përmes një studimi të thukët e serioz. Për sa i takon shqipërimit, Noli ishte i mendimit se përkthimi i suksesshëm i një kryevepre është një punë aq e vështirë dhe e madhe sa i jep të drejtë Virgjilit kur thotë se është më e lehtë t’i rrëmbesh Herkulit çomangen nga dora sesa të përkthesh a të imitosh mirë një varg të Homerit.
Pra, Noli, pas punës herkuliane që përballoi për ta bërë Khajamin të flasë shqip, mori mbi vete dhe barrën fisnike për t’ia paraqitur lexuesit shqiptar në dritën e së vërtetës Orfeun e vendit të trëndafilave dhe këngët e tij magjepsëse. Në këtë rast Noli poet vihet në pozitën e studiuesit, sepse, duke gjykuar nga lënda e gjerë, problematika e mprehtë dhe formacioni i pasur që ngërthejnë introdukta dhe shënimet, kuptohen qartë përpjekjet e tij të gjithanshme për t’u njohur së thelli me literaturën khajamiane dhe burimet e tij ndihmëse. Në radhë të parë Noli hedh dritë mbi epokën kur jetoi Khajami dhe atmosferën social-historike e psikologjike që bënë të mundur lindjen e “Rubairave”.
Ato janë pjesë dhe pjellë autentike Rilidnjes persiane që zgjati 8 shekuj nga shek IX-XVI dhe i dha botës një plejade të ndritur mendimtarësh, artistësh e shkencëtarësh të mëdhenj. Sipas Nolit, “kjo përlindje e shkëlqyer” kishte lidhje të drejtpërdrejtë me qytetërimin greko—romak dhe ishte po ajo që bëri të mundur të lindte përlindja arabe dhe përgatitit përlidnjen e madhe italine, nënën e qytetërimit modern. Duke depërtuar në rilindje persiane, Noli arriti të zbërthejë dhe inteprretojë brendinë e kësaj epoke si një kohë e mbushur plot ndeshje e përpjekje mes lirisë së mendimit dhe dogmave të kohës. Në qoftë se para lindjes së O.Khajamit, Persia ishte shesh konfliktesh ndërmjet feve të ndryshme, nga paganizmi deri te kristianizmi, më pas është islami që triumfon dhe konsolidohet si feja zotëruese.
Në kuadrin e saj do të lindnin një varg shkollash filozofike dhe do të vepronin intelektualë mendjendritur e novatorë në shumë fusha. Tri janë për Nolin grupet kundërshtare në jetën intelektuale të kohës së O. Khajmit: grupi i intransigjentëve, që është për lirinë e mendimit kundër dogmës dhe ka simbol verën, grupi i mistikëve neoplatonikë sufinj, që mbajnë maskën e dogmatizmit, por janë për lirinë e mendimit dhe grupi i racionalistëve suninj, që përpiqen të pajtojnë islamizmin me filozofinë e shkencat dhe janë hapur për fenë islame. O. Khajami, sipas mendimit të Nolit, i përket grupit të intransigjentëve. Ai është figura kryesore, i fundit dhe më i shkëlqyeri i plejadës së tij. Por edhe grupet e tjera, varësisht nga dallimet, janë pjesë e kulturës persiane dhe u takon thesareve të qytetërimit njerëzor.
Për Nolin, të tria shkollat ishin të mëdha me role dhe merita parësore në zhvillimin e kulturës së përbotshme. Por ai nuk lë pa nënvizuar faktin se shkolla që i takonte Omar Khajamit ishte më e guximshmja dhe na paraqitet në nivele të larta intelektuale. Në këto hapësira të mëdha mendimi dhe kulture, Noli vendos figurën titanike të Omar Khajamit. Me gjithë mungesën e hollësive biografike, syri dhe mendja e studiuesit tonë të di të dallojë mes legjendave dhe hamendjeve të vërtetën e jetës së poetit të madh.
Është një jetë e dallgëzuar, plot peripecira ku spikat intrasigjenca e karakterit dhe e mendimit, këmbëngulja stoike për të rrokur majat e artit e të vërtetës. Ai studioi dhe i përveshi të gjitha dituritë e kohës së tij, për t’u bërë matematikan e për t’u njohur si një nga astronomët më të mëdhenj të botës deri në shek. 15. Por emri dhe fama e Khajamit, konstaton Noli, asnjëherë nuk ishte e shtruar me lule, po të kemi parasysh luftën dhe pengesat që i vinin nga të dyja krahët: nga pushteti politik i kohës dhe nga kundërshtarët e mendimit të lirë. Ai do të provonte dilemën e përndjekjen, fyerjen e arratinë dhe kurrë nuk do të pajtohej me hipokrizinë e konformizmin, duke mbetur deri në fund luftëtar i lirisë së mendimit kundër fanatizmit mistik.
Kjo është arsyeja që Khajami gëzoi popullaritet të madh dhe pati ndjekës të përkushtuar. Faktet e jetës së Khajamit në kushtet e Persisë së kohës, e çojnë Nolin në një përfundim tepër interesant, kur thotë se ndonëse poeti është në opozitë të hapur me shtetin dhe qarqet fanatike klerikale, ai vdes i qetë, ndryshe nga persekutimet që pësonin martirët e mendimit të lirë në Evropën e krishterë, duke i djegur të gjallë. Varri i Khajamit do të ruhet brez pas brezi, atje ku ruhet edhe sot një teqe stolisur me trëndafil dhe hardhi, sipas amanetit të tij.
Këto të vërteta e bëjnë Nolin të pohojë se sa lart ka qëndruar qytetërimi dhe toleranca e Persisë islamike në kohën e Khajamit, në krahasim me Evropën mesjetare. Por, në introduktën e Nolit vendin kryesor e zë analiza që ai i bëri poezisë së tij. Pasi e njeh lexuesin kalimthi me trashëgiminë shkencore, me një varg traktatesh filozofike, astronomike, atonomike, studimi i përkushtohet kryesisht lavdisë më të madhe të poezisë persiane-rubairave. Qysh në krye studiuesi ynë falë hulumtimeve shkencore bën historikun dhe bilancin e vërtetë të trashëgimisë Khajamiane.
Ai vë në dukje meritën e pamohueshme të poetëve të mëdhenj, Nizamit dhe Hafiz Shirazit, që kopjuan dhe ruajtën “Rubairat”, por, ndërkaq, hedh dritë mbi problemet që ata krijuan gjatë shekujve. Sipas tij, nga 1000 rubairat që qarkullojnë, vetëm gjysmat janë autentike, kurse të tjerat mbahen për apokrife. Madje, duke u mbështetur në mendimin e specialistëve, ai e çon më tej diferencimin, kur bën dallimin në mes rubairave laike e atyre fetare dhe arrin në konkluzionin se poeti në 25 vjet krijoi gjithsej 300-400 rubaira. Rubairat janë krijime poetike origjinale, fryt i gjenisë artistike të popullit persian, me vlera universale e panjerëzore për të gjithë vendet dhe kohërat, të cilat arritën kulmin në pendën e O. Khajamit.
Noli u bën një shqyrtim të gjithanshëm rubairave, vështruar si në rrafshin historik ashtu dhe në atë letrar, duke u treguar një studiues serioz, origjinal dhe i guximshëm. Njohja e tyre e thellë prej Nolit harmonizohet me vlerësimin kritik të literaturës së specializuar për poezinë e Khajamit dhe të letërsisë orientale përgjithësisht.
Variante të reja shqipërimi nga F. Noli të “Rubairave”
Nën hijen e një pjegurlle më një anë
Ca buk’ e ver’ e vjersha dhe Ti pranë
Të na këndosh makar në shkretëtirë
Dhe s’ka Parajsë më të mirë
***
“Sa ëmbël të jesh mbret!” disa mejtojnë
“Sa ëmbël në Parajsë!”Ca besojnë
Ah, kape kupën dhe kusurin fale
Larg teje pompën dhe daullen ndale.
***
E dashur mbushma kupën që kthjellon
Të sotmen nga çdo vrer që vjen e shkon
Po nesër? Nesër nofta u vërtita
Në shqotën e së djeshmes u varrita.
(Zbuluar nga prof. Nasho Jorgaqi në AQSH, Fondi F. Noli Dosja 8, fletore nr 35 (Omar Khajam “Rubairat”)