Ndryshimet ligjore tashmë i kanë hapur rrugë angazhimit në radhët e Policisë së Shtetit të pjesëtarëve nga Forcat e Armatosura. Udhëzimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për procedurat se si do të përfshihen ushtarakët në polici, është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka marrë fuqi ligjore. Këtë vit parashikohet që 100 ushtarakë të angazhohen në radhët e Policisë së Shtetit.
Sipas udhëzimit të ministrit, përzgjedhja e ushtarakëve do të bëhet nga batalioni “komando”, duke u bazuar mbi disa kritere të përcaktuara qartë në dokument. Por një gjë e tillë është denoncuar ashpër nga opozta, që e cilëson si nismë të Kryeministrit për të vendosur “juntën ushtarake në vend”.
Ish-deputeti i LSI-së Endrit Braimllari thotë se “forcat komando, krenaria shqiptare, me misionet e paqeruajtësve nëpër botë, kërkojnë të përdoren tani nga Sandër Lleshaj me urdhër të Edi Ramës kundër qytetarëve të tyre në protestat e opozitës”. Braimllari thotë se “nuk mjaftoi gjithë ai gaz helmues, por tani angazhohet edhe ushtria kundër qytetarëve të vet”, raporton Klan Plus, në një kronikë të transmetuar prej tij.