Nga Viktor Bakillari
1. Xhevahir Spahiu (*1 mars 1945 – sot mbush 75 vjeç), SHqiptar me rrënjë e degë, është një ndër zërat më të fuqishëm të poezisë moderne e bashkëkohorë shqipe. Përfaqësues i dinjitetshëm i Shqipërisë letrare në shumë veprimtari kombëtare e ndërkombëtare. Poet R(R)EBEL ndaj kohës, kryengritës dhe antikonformist gjatë regjimit të mëparshëm (ndoshta do të shkonte më mirë termi ndaj regjimeve?).
Në dhjetor 1972, në revistën Nëntori, poeti boton poezinë “Jetë”. Kjo ishte një poezi, e cila hapte një vëllim poetik të tij të bërë gati për botim. Poezia niste: “Jam ai që s’kam qenë, / do të jem ai që nuk jam”. Këto vargje filozofike do tërhiqnin menjëherë vëmendjen deri në “rrashtën” e piramidës shtetërore. Dhe nuk vonoi: Më 9 Janar 1973, udhëheqësi i kohës E. Hoxha e përmendi me emër Spahiun për shmangie nga krijimtaria e realizmit socialist dhe e kritikoi publikisht për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit.
Spahiu ka ngrënë shumë shuplaka e kamxhikë gjatë jetës, në fakt si çdo Poet. Mjerisht ka provuar edhe shijen e hidhur të heqjes së të drejtës së botimit. Në vitin 1979, libri poetik “Zgjimi i thellësive” hiqet ngutshëm nga qarkullimi dhe asgjësohet. Krijimi “Poezia”, në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë u etiketua me damkën ferreske “reaksionare”.
***
Rasti Spahiu përbën një ngjarje në historinë letrare të epokës së realizmit socialist.
Miku i tij i ngushtë dhe i kahershëm, gazetari Arshin Xhezo (ndjesë pastë!) nga Berati, pohon se Xhevahirin e dërguan për të punuar si punëtor i thjeshtë në minierën e Valiasit / Tiranë. Në mbledhjen që u bë për të mbajtur qëndrim të rreptë kundër rebelit Spahiu, u vendos si më poshtë:
Përjashtim nga Partia e Punës së Shqipërisë.
Pushim (Pezullim) nga gazeta Zëri i Popullit.
Largim nga Tirana (në Pukë).
Punësim në Minierë.
Heqja e të drejtës së botimit.
Dhe kështu për poetin dhe gazetarin Spahiu nisi një kalvar i madh shpirtëror e psikologjik. E çuan në… Valias…në minierë! E megjithatë punëtorët e Valiasit e deshën dhe e respektuan Spahiun deri në adhurim…
***
- Spahiu ajkën e krijimtarisë së vet poetike e ka përmbledhur në dy vëllime luksoze të titulluar “Udha, 1965 – 2000” (I dhe II), botuar nga miku i tij, poeti Arian Leka. Poeti Spahiu ka rrahur gjithashtu edhe shtigjet e thepisura të përkthimit; iu është ngjitur edhe monopateve të eseistikes, reportazheve, monografive, etj. Për veprimtarinë e tij të larmishme dhe cilësore, është shpërblyer me një mori çmimesh letrare, tituj dhe urdhra brenda dhe jashtë vendit. Urdhri “Mjeshtër i Madh” në vitin 2005, dhe dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (para pak ditësh: 28.02.2020) akorduar nga presidentët Moisiu / Meta janë pikat kulmore të shpërblimit dhe të mirënjohjes nga shteti.
Dy fjalë rreth poezisë së Spahiut:
Xhevahir Spahiu është farkëtar i fjalës së lirë shqipe. Udha poetike e tij ka qenë e pandërprerë. Zëri i tij jehonës dhe bubullimës në krejt hapësirën kombëtare shqiptare dëgjohet me vëmendje. Në një takim, në të cilin referonte z. Ali Ahmeti (politikan shqiptar në Maqedoni), ky, i afrohet, e përqafon poetin dhe i çuçurit në vesh vargjet grishëse:
HISTORI
Gjaku pikoi e hodhi rrënjë mbi gurë,
Gjakun prej shpatave e fshimë me shajak;
Kur s’patëm armë,
Ne prej trupit shkulëm
Njërën nga brinjët dhe e bëmë shpatë.
… dhe, po qe nevoja, ne prapë do ta shkulim brinjën…
Studiuesi i letërsisë shqipe akademik Ali Aliu në parathënien që i bën udhës së z. Spahiu sjell edhe një rrëfenjë të bukur:
Një gazetar në Prishtinë gjatë intervistës i kërkoi Xhevahirit të rrëfente rreziqet sepse “ne e dimë çfarë ke përjetuar, kemi shkruar për ty, ti je një luftëtar i mendimit të lirë” Z. Spahiu i përgjigjet: “Faleminderit, or mik. Po të jetë vërtet kështu, më lejo të them se luftëtarit nuk i ka hije të tregojë plagët”.
Studiuesi tjetër i letërsisë shqipe dr. Robert Elsi, duke ndjekur trajektoren poetike dhe njerëzore të poetit Spahiu e cilëson “Zë i Mbijetesës”. Frymëzues i poezive të poetit tonë kanë qenë ikona të letërsisë si Naim Frashri, Migjeni, Lasgush Poradeci. Fjala poetike dhe gojëtaria e z. Spahiu ka pastërtinë eterike të ajrit të Tomorrit dhe fuqinë përbashkuese të shqiptarëve. Ai i ka kënduar Kosovës qysh herët. Në një takim në Akademinë e Shkencave (2006? nuk më kujtohet me saktësi viti), mori fjalën edhe gojarti dhe gojëtari Spahiu. Takimi ishte ballkanik: Midis të tjerave tha në mënyrë tepër lakonike: “Ballkanit jo më kot i ka dalë nami se është fuçi baruti; Historia ka treguar se është i tillë. Po kush është Ballkani: Ja, jemi ne të gjithë të mbledhur këtu në mes të Tiranës: Shqiptarë, grekë, maqedonas, malazezë, boshnjakë-hercegovinas, serbë, kroatë, rumunë e bullgarë. Luftë verbarake mes njëri-tjetrit! Marrëzi e pashoqe!!! Ejani të merremi vesh! Eja të sheshojmë mosmarrëveshjet! Ejani të punojmë së bashku që të zbrazim barutin nga fuçitë! Ejani ta djegim, ta flakim a ta lagim dhe fuçitë nga fuçi baruti, le t’i kallajisim e t’i kthejmë në fuçi vere (të gjithë prodhojmë verë të mirë!) e të pimë si Kajami në kohët!” (Duartrokitje frenetike e të qeshura gurgulluese në sallën e Akademisë.)
Xhevahir Spahiu, shquhet për një kujtesë fenomenale. Madje, edhe sot…, kur bëhet fjalë për saktësi, nuk të lejon të gabosh. “Xhevo, i thashë kohët e fundit, në vitin 1978, kur ta bënë librin karton…”. Jo, ndërhyri, ngadalë, kjo ka ndodhur në vitin 1…,(e pati të vështirë të nxirrte rrjedhshëm vitin, nxori stilolapsin dhe shkroi vitin e saktë) 1979 dhe e nënvizoi tri herë numrin 9.
***
Një karakteristikë e veçantë e z. Spahiu është lakonizmi i skajshëm, krijimet në formë rubaish (katërvargëshash), hajkesh (trevargëshash) madje edhe dyvargëshash. Sa për kërshëri të lexuesit, shumë nga këto krijime diamantike (madje me rastin e panairit të librit, nëntor, 2013, poeti nxori edhe një libër me krijime të tilla të titulluar “Vetëtima”. Unë i grumbullova (mbi 200 copë) dhe i përktheva në gjuhën frënge. Këto i rishikoi zoti përkthyes A.Zoto dhe panë d(r)itën e botimit në gjuhën frënge me titullin Urgences / Urgjenca në vitin 2016 nga Sh.B. M.E.O (shtëpi botuese belge).
Xhevahir Spahiu fliste, shkruante dhe përkthente nga gjuhët italishte dhe frëngjishte.
Poezia e tij është e përkthyer në këto gjuhë, madje edhe në shumë gjuhë të tjera.
Poezia e tij është recituar edhe në…Vietnam.
Xhevahir Spahiu, shkriu mbi 40 vjet të mira (gati 2/3 e viteve që ka), për ne.
Tani, na takon neve t’i kthejmë borxhin.
Jetë të gjatë Xhevahir Spahiu!
Sa Baba Tomorri, Xhevoja ynë!