Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim drejtoreshën e agjensionit Alba Berisha Conulting, Albana Berisha.
Ky takim u zhvillua me qëllim të nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kompanisë “Ayyt Career” e përfaqësuar nga agjensioni “Alba Berisha Conulting”.
Gashi njoftoi se qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është realizimi i punës profesionale praktike të të rinjve në formë të punësimit sezonal të tyre në Turqi.
“Me qëllim të avancimit të të rinjve tanë dhe krijimit të kushteve për të punuar në punë praktike në fushën e hotelierisë, sot nënshkruam këtë marrëveshje nga e cila do të përfitojnë shumë të rinj të vendit tonë e të cilët përveç që do të paguhen për punën e tyre, do të kenë mundësi që të krijojnë përvoja të reja në këtë fushë në Turqi dhe punë për të cilën në fund edhe do të certifikohen. Kjo u mundëson atyre që të aftësohen profesionalisht në fushën e hotelierisë dhe të krijojnë kontakte të reja të nevojshme për ta”, tha ministri Gashi.
Ai po ashtu tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përkrahë këtë program me 15 mijë euro. “Këto mjete dedikohen për 50 të rinj përfitues duke llogaritur koston nga 300 euro për person”, njoftoi ministri Gashi.
Ministri gjithashtu tha se përzgjedhja e studentëve përfitues për punë praktike 6 mujore në Turqi do të bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk do të jetë e vetmja mënyrë për të angazhuar dhe për t’iu mundësuar të rinjve tanë punë praktike nga e cila do të aftësohen profesionalisht, sepse ne si Ministri, unë si ministër do të angazhohem maksimalisht që të rinjtë e vendit tonë paralelisht me studime të kenë mundësi pune nga e cila edhe certifikohen”, përfundoi Gashi.
Në anën tjetër, drejtoresha e agjensionit Albana Berisha, falënderoi ministrin për pritjen e tij dhe tha se ndjehet e lumtur që kanë arritur të nënshkruajnë këtë memorandum bashkëpunimi.