Nga Sali Bytyçi
Çfarë qëndrimi kemi ndaj gjykimit kritik sot? Çfarë qëndrimi kemi ndaj të vërtetës? Po ndaj të vërtetës faktike, asaj të vërtete që mund të “matet”, të “preket”, të “shihet”, e jo ndaj të vërtetës abstrakte? Në çfarë raporte janë sot shoqëria jonë dhe gjykimi kritik? Për të ardhur te pyetja: Si ndikon mungesa e gjykimi kritik në shoqërinë kosovare sot dhe a mund të ndërtohet një shoqëri normale pa gjykim kritik? Nëse në shkencat humanitare mungon gjykimi kritik, a mund të ketë gjykim kritik në përditshmërinë shoqërore?, e shumë pyetje të tjera.
Të hyjmë direkt në temë.
Ne flasim për rangimin e ulët që PISA i bën nivelit të nxënësve të Kosovës, por nuk na shkon kurrë mendja t’i hedhim sytë nga niveli “i lartë”, niveli “akademik” në Kosovë! Prandaj unë, në të kundërtën e PISA-s, objekt trajtimi do të bëj nivelin “e lartë”, i cili sigurisht që reflektohet te niveli i ulët. Me këtë rast do të ndalem te një paragraf, të nxjerrë nga pjesa e pestë e shkrimit të akademikut të tri akademive – të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë, Ali Aliut, “Një zë thellësisht tronditës dhe i mprehtë, bartës i dhembjes së të gjithëve”, shkrim që i prin kompletit të veprave prej nëntë vëllimesh të poetit Ali Podrimja, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, më 2013; dhe një paragraf të nxjerrë nga pjesa e pestë e shkrimi “Pas gjurmëve shqiptare të Don Kishotit” (Bardi kosovar, Ali Podrimja), nga libri i Ali Aliut, “Don Kishoti te shqiptarët”, po ashtu botim i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, si dhe për të parë edhe një herë paragrafin e Kompletit të veprave të Podrimjes, në librin “Don Kishoti te shqiptarët”, por me ndryshime të vogla.
“Në kohën kur u botua poemthi ‘Hija e Tokës’, i Ali Podrimjes shtatëmbëdhjetëvjeçar, ndaj fjalës krijuese kosovare, fjalës së shkruar poetike, ushtrohej censurë e rreptë nga ana e pushtetit. Ishte kjo koha kur Jugosllavia (në kuadër të së cilës Kosova ishte krahinë autonome e Serbisë), në vitet gjashtëdhjetë, kur ajo çlirohej nga përqafimi i Stalinit dhe nga parimet krijuese zhdanoviste, ishte koha kur letërsitë e hapësirave jugosllave po çliroheshin nga kufijtë brenda të cilave nuk depërtonin përvojat dhe traditat e letërsive të Evropës Perëndimore, por njëkohësisht koha kur në Kosovë vazhdonte inercia e regjimit brutal, i regjimit të politikës antishqiptare serbe. Poezia në kushte të tilla ndiente nevojë të mbrohej dhe ta ruante qenien e vet edhe nga zhdanovizmi dhe realizmi socialist, njësoj siç ndiente nevojë ta mbronte edhe identitetin e vet dhe identitetin e popullit të cilit i takonte. Ali Podrimja pikërisht në këto kushte dhe rrethana mori mbi vete misionin madhor: ta vërë nën mbrojtje poezinë dhe me poezinë, popullin e vet. Dhe brenda këtij vizioni, Ali Podrimja ia arriti të realizohet më me sukses se çdo poet tjetër kosovar, kështu që në fillimin e poemthit të tij me titullin ‘Hija e Tokës’, së pari do të shënohen emrat e luftëtarëve nga Gjakova (qytet – simbol i rezistencës kosovare), por edhe emrat nga e kaluara më e afërt, si; Bajram Curri, Asim Vokshi, Ganimete Tërbeshi, Emin Duraku, Mustafa Bakia etj.” (Ali Podrimja, Vepra I. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë 2013, f. 14-15).
Në shikim të parë ky paragraf i shkruar nga akademik Ali Aliu është krejt në rregull, drejtshkrimi perfekt, po është krejt jashtë logjikës. Përse e them këtë?
Sepse:
- Poemthi “Hija e Tokës, i Ali Podrimjes nuk është botuar kur poeti i kishte 17 vjet:
- Në kohën kur u botua ky poemth nuk ushtrohej censurë e rreptë ndaj fjalës së shkruar poetike në Kosovë;
- Poemthi “Hija e Tokës” nuk u botua në vitet ’60;
- Kosova nuk ishte krahinë autonome e Serbisë në vitet ‘60;
- Në vitet ’60 Serbia nuk po çlirohej nga përqafimi i Stalinit dhe nga parimet krijuese zhdanoviste;
- Në poemthin “Hija e Tokës” Podrimja nuk e vë në mbrojtje askund poezinë shqipe të krijuar në Kosovë;
- Poemthin “Hija e Tokës” Ali Podrimja ua kushton Bajram Currit, Asim Vokshit, Ganimete Tërbeshit, Emin Durakut, Mustafa Bakiut, prandaj fjalëza “etj.”, që ia vë në fund Ali Aliu është e tepër, sepse në këtë kushtim, Mustafa Bakiu është i fundit, nuk ka asnjë emër tjetër!
Po si qëndron e vërteta?
- Poemthi “Hija e Tokës” i Ali Podrimjes u botua nga gazeta e studentëve të Kosovës, “Bota e re”, në maj të vitit 1971, në Prishtinë. Ali Podrimja nuk i kishte 17 vjet kur u botua ky poemth, ai nuk ishte gjimnazist, por kishte të kryer fakultetin, ishte redaktor në “Rilindje” dhe i kishte 29 vjeç;
- Në kohën kur u botua ky poemth fjala poetike në Kosovë kishte filluar të frymojë lirshëm në kuadër të liberizmit jugosllav ndaj letërsisë dhe arteve, me ç’rast fillon edhe modernizimi i poezisë shqipe të Kosovës;
- Poemthi “Hija e Tokës” i Ali Podrimjes u botua në fillim të viteve ’70, një dekadë më vonë seç thotë Ali Aliu;
- Në vitet ’60 Kosova ishte provincë e Serbisë, një dekadë më vonë, në vitin 1974, Kosova e fitoi autonominë si pjesë përbërëse e Serbisë dhe e Jugosllavisë;
- Serbia në vitet ’60 nuk po çlirohej nga përqafimi i Stalinit dhe nga parimet krijuese zhdanoviste, sepse Serbia që ishte në kuadër të Republikës Federative të Jugosllavisë, kishte dalë nga përqafimi i Stalinit që në vitin 1948; Stalini kishte vdekur që më 1953; në Jugosllavi që në vitet ’50 ishte shpallur legalizimi i pluralizmit në letërsi e arte, po që në vitet ’60 edhe vetë ish-Bashkimi Sovjetit ishte çliruar nga parimet krijuese të zhdanovizmit!
2.
T’i kthehemi edhe një herë Ali Podrimjes dhe librit të tij “Hija e Tokës”, duke e cituar edhe një paragraf tjetër të Ali Aliut, po tani jo nga shkrimi që i paraprin Kompletit të veprave të Ali Podrimjes, po të nxjerrë nga libri i akademikut të të tri akademive, “Don Kishoti te shqiptarët”, botim po ashtu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më 2005.
“Mund të thuhet se poezitë e përfshira me titullin ‘Hija e Tokës’, të shkruara dhe botuara kur Ali Podrimja kishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjet, mbase kanë rëndësi dhe domethënie për poezinë kosovare dhe shqiptare përgjithësisht, që kanë për poezinë frënge vargjet e Artur Rembosë nga përmbledhja ‘Stina në ferr’, të shkruara edhe ato në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Por, nëse Artur Rembo, me paraqitjen e tij meteorike në poezinë frënge, kreu një revolucion të vërtetë, një inovim poetik, Ali Podrimja me ‘Hija e Tokës’ bëri një ‘revolucion ballkanik’ të vogël, të veçantë në diskursin poetik kosovar, me një vjershërim të fuqishëm dhe në emër të një populli të munduar”.[1]
- Artur Rembo (1854-1891) librin e tij “Një stinë në ferr” nuk e shkroi në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, po në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare (1873);
- Libri i Artur Rembosë “Një stinë në ferr” nuk është përmbledhje poetike, por është libër i shkruar në prozë:
- Kurrfarë “revolucioni ballkanik”, as të madh as të vogël, po as “revolucion shqiptar”, nuk ka bërë Ali Podrimja me poezitë e adoleshencës, kushtuar Kosovës, të cilët i ka botuar në vitin 1971, me titullin “Hija e Tokës”;
- Krahasimi i vargjeve të Ali Podrimjes me prozat poetike të Artur Rembosë, që luajtën rol në modernizimin e poezisë evropiane, në veçanti, dhe të letërsisë në përgjithësi, nuk mund të bëhet.
3.
Paragrafin e cituar në fillim të këtij shkrim, që e nxorëm nga Kompleti i veprave të Ali Podrimjes, si fjalë hyrëse në këtë Komplet, me ndryshime, e hasim edhe në libra të tjerë të këtij akademiku.
Unë po e citoj tani këtë paragraf nga libri “Don Kishoti te shqiptarët”, i cili së pari është botuar në gjuhën maqedonase, në vitet ’90, po pastaj është përkthyer dhe botuar e ribotuar disa herë në gjuhën shqipe, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, po kam përshtypjen se është botuar edhe në Shqipëri, po për këtë tani për tani nuk jam i sigurt.
“Në kohën kur u botua poemthi lirik ‘Hija e Tokës’, ndaj fjalës së shkruar poetike, ushtrohej një censurë e rreptë nga ana e pushtetit. Ishte kjo koha kur Jugosllavia (në kuadër të së cilës Kosova ishte krahinë autonome e Serbisë), në vitet gjashtëdhjetë, kur ajo çlirohej nga përqafimi i Stalinit dhe nga parimet krijuese zhdanoviste, ishte koha kur letërsitë e hapësirave jugosllave po çliroheshin nga kufijtë brenda të cilave nuk depërtonin përvojat dhe traditat e letërsive të Evropës Perëndimore (Rembo, Lorka, Malarme etj.), por njëkohësisht koha kur në Kosovë vazhdon inercia e regjimit brutal, i regjimit të politikës antishqiptare serbe. Poezia në kushte të tilla ndiente nevojë të mbrohej dhe ta ruante qenien e vete dhe nga zhdanovizmi dhe realizmi socialist, njësoj siç ndiente nevojë ta mbronte edhe identitetin e vet edhe identitetin e popullit të cilit i takonte. Ali Podrimja pikërisht në këto kushte dhe rrethana mori mbi vete misionin madhor: ta vërë në mbrojtje poezinë, dhe me poezinë edhe popullin e vet. Dhe brenda këtij vizioni donkishotesk Ali Podrimja ia arriti të realizohet më me sukses se çdo poet tjetër kosovar. Kështu që në fillimin e poemthit të tij me titullin ‘Hija e Tokës’, së pari do të shënohen emrat e luftëtarëve nga Gjakova (qytet – simbol i rezistencës kosovare), por edhe emrat nga e kaluara më e afërt, si Bajram Curri, Asim Vokshi, Ganimete Tërbeshi, Emin Duraku, Mustafa Bakia etj.”.[2]
Ky paragraf, po të gjurmojmë më tej, do të gjendet së paku edhe në një libër tjetër po, tani për tani, kaq për këtë paragraf. Edhe paragrafë të tjera të fjalës hyrëse të Ali Aliut në Kompletin e Ali Podrimjes janë nxjerrë nga shkrimi për Ali Podrimjen, në librin “Don Kishoti te shqiptarët”, po nuk do shumë mend për t’u kuptuar se edhe shkrimi i Ali Aliut “Pas gjurmëve të Don Kishotit (Bardi kosovar, Ali Podrimja), është i “arnuar” nga shkrime të mëparshme. Përse e them këtë? Sepse në faqet në vazhdim të këtij shkrimi Ali Aliu flet për cikle poezish të Ali Podrimjes, të cilat nuk gjenden në vëllimet poetike të Ali Podrimjes, po sigurisht që gjenden në përmbledhje poezish të Ali Podrimjes, të cilat i kanë hartuar të tjerët!
Çfarë të thuhet më tepër për “shkrimin akademik” të akademikut të të tri akademive, i cili nuk është i vetëm në këtë lloj shkrimi. Nuk thuhet kot që peshku qelbet nga koka, ndërsa ky peshku ynë moti ka marrë erë, po që, fatkeqësisht, u mësuam me erën e prishur të tij. Aq jemi degraduar si shoqëri sa, shkrime që trajtojnë probleme të tilla është vështirë t’i publikosh në ndonjë medie të njohur, sepse tani ato medie merren me probleme të mëdha dhe, sipas tyre, gjykimi kritik nuk ka ndonjë rëndësi sot!
Shënim: Pasi e kam përfunduar këtë shkrim, rastësisht mora në dorë librin “Reflekse letrare” të Ali Aliut, prej të cilit po shkëputim dy fragmente që lidhen me temën që po e shqyrtojmë:
“Poemthin lirik ‘Hija e tokës’ Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, si gjimnazist në moshën tetëmbëdhjetë vjeç”.[3]
“Në kohën kur u botua poemthi lirik ‘Hija e tokës’ (1961), mbi fjalën e shkruar krijuese kosovare ushtrohej censurë e rreptë nga pushtuesi. Revolta e hapur kundër pushtuesit përmes fjalës së shkruar në ato rrethana as që mund të merrej me mend. Poeti i ri dhe i pjekur njëherësh, prandaj, në krye të poemthit, në vend të motos, vuri emrat e bijve më të ndritur të qytetit të Gjakovës, të gjithë dëshmorë për lirinë e kombit dhe të Kosovës: Bajram Curri, Asim Vokshi, Ganimete Tërbeshi, Emin Duraku, Mustafa Bakija”.[4]
- Përkundër asaj që shkruan më lart se kur e ka shkruar këtë poemth Ali Podrimja ishte 17-vjeçar, këtu thotë se i kishte 18 vjeç;
- Asim Vokshi është vrarë në Spanjë, që do të thotë se nuk është vrarë për lirinë e kombit dhe të Kosovës!
[1] Ali Aliu, Don Kishoti te shqiptarët. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë 2005, f. 179.
[2] Po aty, f. 179-180.
[3] Ali Aliu, Reflekse letrare. “Flaka”, Shkup 1999, f. 88.
[4] Po aty, f. 90.