Jepini presidentit Meta një armik!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Tragjedia e tre, jo në fakt katër politikanëve kryesorë të vendit tonë është se nuk kanë armiq. Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha nuk kanë sot armiq. Përveç njërit. Ai është zoti Berisha. Ai nuk mund të jetojë pa armiq, të këqij dhe të mirë, i shpik kurdo që ka qenë. Eposi i tij është i përfshirë me komedinë.

Teksa Ilir Metës, në daljen e fundit triumfaliste, jo thjeshtë i mungonte armiku, por e kërkoi atë deri duke bërë gabime qesharake. Edhe pse foli për Grusht shteti dhe këtë akt e bëjnë vetëm armiqtë, ai realisht nuk e gjeti dot një të tillë. Po nuk mund t’i vihet aq faj: Me parlamentin vazhdon jep e merr. Ashtu si vazhdon me institucionet, paçka respektit reciprok.

Fatkeqësisht për të, kryeministri Edi Rama, kundërshtari i tij, nuk është më as armik, pasi po të ishte i tillë, nuk do etiketohej me shprehjen bajate nga zyra e tij groteske “Gruaja e Bilalit”, e shumë pak ose fare pak me emër. E njëjta gjë me kryeministrin, që mundohet të mos e përmendë sa të jetë e mundur ose thjesht në emrin e përveçëm.

Në një farë mënyre, pushtetarëve të sotëm dhe sidomos presidentit i duhet një armik i besueshëm. Ndaj, besueshmërinë më të madhe ndaj konceptit armik e ka lidhur me dokumentin themeltar të shtetit, që është i përdhosur dhe mos i respektuar nga të gjithë politikanët, duke aluduar për Ramën.

Por, të bësh një armik nuk është se e kanë shpikur shqiptarët. Është e vjetër për aq sa politikanë të llojit të tillë e mbajnë fort për të mbijetuar dhe për të ruajtur kauza jo reale. Edhe pse në rastin tonë, arsyeja që përdor presidenti ka gjëra pozitive, që lidhen me kushtetutën, ku ai si jo pak të tjerë e kanë bërë çorap.

Por, e shprehur në formën si e përshkruan Ilir Meta kauzën e tij, duket se shqiptarëve u duhet të zgjidhin midis fundit të shtetit të tyre dhe parimit të sovranitetit. Kjo e fundit është pak qesharake, sepse në këto ndërlidhje ndërkombëtare që ka sot Shqipëria pothuaj e ka lëshuar me kohë sovranitetin e saj.

Në aspektin teorik, ku mund të gjesh një arsye është një kryevepër që na e ka lanë Umberto Eco dhe pikërisht jo shumë kohë nga ndarja e tij nga jeta. Në esenë e tij “Të bësh një armik” ai arrin në përfundimin e sikletshëm për politikanët se: “Të kesh një armik është e rëndësishme jo vetëm për të përcaktuar identitetin tonë, por edhe për të na paraqitur një pengesë me të cilën mund të matim sistemin tonë të vlerave dhe, duke dashur ta tejkalojmë, të tregojmë aftësinë tonë. Me fjalë të tjera: ne kemi nevojë për një armik për të ditur cilët jemi dhe cilët nuk jemi; kjo është e domosdoshme për vetëbesimin dhe vetëdijen tonë”. E më poshtë: “Kur nuk ka asnjë armik, ne duhet ta shpikim një”. Argument që sociologu Zigmund Bauman e artikulon kështu: “Armiqtë janë të ndryshëm nga ne dhe kanë zakone të cilat ne nuk i kemi. Epitoma e ndryshimit është i huaji”.

Rama, në konceptin e Metës, është i huaji dhe i gjithë enturazhi i tij janë ata që nuk na duhen, ndaj ne duhet t’i veçojmë ata sepse ata po na e prishin Shqipërinë, që e mbron vetëm ai dhe një pjesë e njerëzve që e ndjekin atë. Por, a është e mundshme që presidenti të mbajë këtë kauzë, kur vetë është i mbathur me probleme? Me shumë gjasa jo, ndaj qeveritarë si Rama me kreditet gjithnjë e më shumë të ulëta në publik, mbijetojnë. Tek e fundit nuk janë armiq por janë kundërshtarë që duan ta bëjnë copë-copë këtë vend për interesat e tyre. Dhe, lufta është kush të arrijë të dominojë mbi të tjerët. Kjo është tragjedia e vërtetë e Metës, mbetur pa gjë (në konceptin shqiptar), ky është paradoksi i të gjithë politikanëve shqiptarë, që prej vitit ‘90 nuk kanë më realisht armiq. (Javanews)

Share: