Monopateve të ‘koronapanikut’

Analizë Opinion

Nga Çapajev Gjokutaj

Koronavirusi ka tashmë një emër shkencor: Covid-19. Po mbase i ka hije më shumë nofka ‘koronapanik’. Dhe jo pa arsye. Shqetësimet për të, shoqëruar nga frika e një pandemie, kanë marrë trajtën e panikut në shumë vende. Shenjat e një gjendjeje paniku u shfaqën edhe te ne në fillimjavën e shkuar, kur lajmet se shteti italian kishte izoluar me Polici dhe Ushtri disa komuna ku gjendeshin persona të infektuar, bënë që të boshatiseshin farmacitë nga dezinfektantët e duarve, maskat etj., kurse çmimet e tyre të shkonin kacafiu brenda pak orësh.

Ekspertët, pothuajse unanimisht, janë të mendimit se frika në kufijtë e panikut që po shoqëron përhapjen ndërkombëtare të virusit, është e ekzagjeruar, madje mund të sjellë më shumë dëme se vetë Covid-19.

Kemi të bëjmë me një dukuri komplekse që i kalon kufijtë e mjekësisë dhe nuk mund të shpjegohet pa thirrur në ndihmë njohuri nga fusha të ndryshme të dijes, si: sociologjia, psikologjia, teoria e komunikimit, historia e posaçërisht historia e epidemive etj.

2. Që shqetësimi për koronavirusin është i zmadhuar, e vërtetojnë mjaft fakte të ofruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Numri i të vdekurve nga koronavirusi në gjithë botën, p.sh. ka arritur mbi 2.800, por numri i të vdekurve nga gripi stinor, po për të njëjtën periudhë, po i afrohet shifrës 77 mijë. Thënë ndryshe, gripi ka vrarë 27 herë më shumë se virusi i ri.

Kjo të kujton një statistikë tjetër. Gjatë një dite, në botë vdesin afro 3.300 persona në aksidente automobilistike, megjithatë pothuajse asnjëri nga këta fatkeq nuk përbën lajm ndërkombëtar. Po qe se rrëzohet një avion, qoftë edhe me 50-60 vetë në bord, lajmi bën xhiron e botës.

Si të vdekurit në aksidente automobilistike, ashtu edhe të vdekurit nga gripi stinor i ikin vëmendjes mediatike dhe për pasojë, edhe asaj publike, ngaqë prej kohësh janë bërë pjesë e rutinës së përditshme, me fjalë të tjera janë kthyer në statistikë dhe njerëzit pothuajse nuk i përjetojnë si fakte jetësore.

Përsëritja krijon rutinën dhe të dyja bashkë zbehin e tjetërsojnë shumëçka, përfshirë edhe keqardhjen e dhembshurinë për vdekjen tragjike të të ngjashmit tënd. Është kjo dukuri pannjerëzore, sepse i ka rrënjët në një dukuri biologjike: përshtatja e shqisave. Kur hyn në një ambient që mban erë të keqe, e ke vështirë në fillim, por me kalimin e kohës nuhatja lodhet, përshtatet dhe injoron e nuk e vë më re kutërbimin. Ndodh kështu jo se e do njeriu, por se e kërkon organizmi për të reduktuar trysninë dhe mbikonsumimin.

Covid-19 nuk e ka karakterin spektakolar të aksidenteve ajrore, por ka një tipar tjetër, është i panjohur, ndaj ndryshe nga gripi stinor ngjall kureshtje e frikë njëherësh. Frika vjen e bëhet më e madhe ngaqë kemi të bëjmë me një sëmundje të re, me një virus që paçka se ka ekzistuar edhe më parë te kafshë të caktuara, tani ka pësuar mutacione dhe është bërë molepsës edhe për njeriun.

Gjithsesi, më shumë sesa risia, kureshtjen dhe sidomos frikën e ngjall fakti që kemi të bëjmë me një virus të panjohur. Ekspertët p.sh., ende nuk kanë përcaktuar tamam kohën e inkubacionit, mënyrat e përhapjes, pa le më të dinë medikamentet më efikase a të kenë në dispozicion vaksinën që do ta parandalonte. Dhe gjithë këto mungesa ekzistojnë në një kohë që pesë për qind e gjithë të infektuarve e përjetojnë lëngatën rëndë, si ndërdyshje mes jetës e vdekjes. Fatkeqësisht, më të dobëtit dhe këta janë më shumë se gjysma e këtij pesë përqindëshi, nuk ia dalin dot.

Të panjohurat për virusin, shoqëruar me mungesën e mjeteve mbrojtëse vijnë e bëhen burim trazimi jo të zakonshëm, ngaqë i mbishtresohen arkeoparadigmës ‘e panjohur – frikë’, paradigmë e stërlashtë që pas gjasash nuk vjen nga kultura, por nga biologjia. Në milionavjeçarët e kaluar kanë mbijetuar më lehtë dhe kanë lënë pasardhës qeniet, që përballjen me të panjohurën e përjetonin me frikë dhe vetëruajtje.

3. Frika e ekzagjeruar që po shoqëron përhapjen e Covid-19 duket se është nxitur edhe nga një mbulim i shtuar mediatik. Studiues komunikimi vënë re se numri i shkrimeve mbi virusin e ri është ku e ku më i madh sesa për raste sëmundjesh të ngjashme, që janë përhapur globalisht gjatë dy dekadave të fundit.

Artikujt për Covid-19 p.sh., botuar në mediat e shkruara anglisht gjatë muajit të parë, vëren revista “Time”, janë 23 herë më të shumtë sesa artikujt e botuar po në muajin e parë të përhapjes së Ebolës, të vitit 2018.

Është e vërtetë që Ebola në këtë vit nuk ishte e panjohur, kishte pasur disa shpërthime që nga 1976, viti i shfaqjes, por po kaq e vërtetë është se vdekshmëria e saj ishte frikëndjellëse, arrinte deri në gjysmën e personave të infektuar, në një kohë që vdekshmëria nga Covid-19, të paktën deri tani, është shumë më e ulët.

Covid-19 është shumë i ngjashëm me SARS, që zuri fill po nga Kina 17 vjet më parë. Ashtu si Covid-19, edhe SARS ishte një koronavirus që shkaktonte simptoma të ngjashme me gripin. Vetëm se SARS arriti një shkallë të lartë vdekshmërie, 9.6 %, në një kohë që Covid-19, sipas vlerësimesh paraprake e ka 2 %, gati 5 herë më të ulët. E megjithatë, paniku që ngjalli SARS nuk qe i përmasave që po njeh bota dy muajt e fundit.

Ky ndryshim shpjegohet pjesërisht me faktin që sot peizazhi mediatik është krejt ndryshe nga viti 2003. Veç mediave tradicionale, audio-vizive dhe të shkruara, tani një pjesë e mirë e informimit publik kryhet nga rrjetet sociale

Nëse mediat tradicionale synojnë përgjithësisht të bëjnë politika redaksionale, të theksojnë rrezikshmërinë e një sëmundjeje e të amortizojnë sidokudo frikën, nëse në mediat tradicionale flasin për sëmundje e epidemi, specialistë apo gazetarë të mirinformuar a të specializuar, në rrjetet sociale flasin të gjithë, specialistë e amatorë, të informuar e të paditur. Mediat sociale nuk e njohin përzgjedhjen, nuk kanë politika redaksionale dhe të shumtën e kohës u lënë më shumë vend emocioneve sesa informimit racional.

Natyrisht, emocionet kanë shumë dobi e të mira për mirëqenien e njeriut e për komunikimin, por kur vijnë me tepri dhe nën trysninë e frikës dhe të pasigurisë, kthehen në këshilltar të keq. S’e thoshte kot i pari se emocionet i ngjajnë vajit të kandilit: kur janë me masë bëjnë dritë, kur janë me tepri e shuajnë fillin e të zhysin në errësirë.

Jemi qenie racionale dhe synojmë faktet dhe argumentet, por kur në ligjërimin publik e atë mediatik shfaqet vdekja dhe frika ndaj saj, jo si statistikë, por si një rrezik i mundshëm edhe për ty, frika rrit qasjet emocionale dhe dihet se këto ndikojnë keq në sjelljet dhe vendimmarrjen.

Te libri “Të mendosh shpejt dhe ngadalë”, nobelisti Daniel Kahneman dëshmon se është provuar në rrugë eksperimentale që njerëzit janë më të gatshëm t’i nënshtrohen një operacioni kur u thuhet se mundësitë e shërimit janë 90 për qind, sesa kur u thuhet se mundësitë e vdekjes janë 10 për qind.

Doemos që jemi qenie racionale. Por kur në mes hyjnë emocione si frika, ankthi, turpi etj., ngjan se jemi më të prirur të paragjykojmë sesa të mendojmë.

4. Frika nga rreziku i një pandemie të Covid-19 rritet deri në kufijtë e panikut edhe ngaqë shfaqet e gjallon në një atmosferë të trazuar emocionale, të mbizotëruar nga emocione negative si përbuzja, urrejtja etj.

Zanafilla e virusit është Kina. Për më tepër mendohet se Covid-19, përpara se të pësonte mutacion dhe të bëhej i aftë të molepste edhe njeriun, ka ekzistuar prej kohësh në kafshë si lakuriqët e natës, gjarpërinjtë e kafshë të tjera, që kinezët i hanë dhe që tregtoheshin në një treg të gjësë së gjallë në Wuhan. Kaq u desh që të ringjalleshin më fuqishëm stereotipat negativë, që shumë të huaj kanë për kinezët si njerëz të pistë, të cilët hanë gjithçka që ecën, fluturon a noton.

Këta stereotipa dhe qëndrimet përbuzëse e përjashtuese për kinezët po bëhen më virale, në një kohë që kapitalet kineze janë në ekspansion botëror dhe Kina synon të bëhet superfuqi dhe të prishë kështu shumë ekuilibra të rendit të sotëm botëror. Sentimentet antikineze, edhe pa gogolin e pandemisë, ishin të fuqishme jo vetëm te fqinjët e saj, por edhe në SHBA, të nxitura sidomos nga administrata Trump, siç ishin të pranishme edhe në Europën e kapluar nga propaganda populiste antiemigracion, madje nuk mungonin edhe në Ballkanin Perëndimor ku ligjërimi për integrimin europian zhvillohet në dilemën: BE-ja, apo aktorë të tjerë d.m.th. Rusia, Kina apo orekset neootomane të Turqisë.

Historia e mjekësisë në shekuj dëshmon se përhapja e epidemive gjeneron qëndrime armiqësore, përjashtuese e deri linçuese ndaj të huajit, tjetrit, sidomos ndaj tjetrit që i takon një kombësie, feje a civilizimi tjetër. Frika e shtuar që kaplon shoqëritë në raste të tilla shfrytëzohet për arritje synimesh politike e ideologjike.

Mediat prestigjioze botërore po njoftojnë se ndjenjat antikineze janë në rritje dhe po vihen re eksese që vijnë në kundërshtim me ligjet themelore të të drejtave të njeriut edhe në vende me kulturë të konsoliduar demokratike, si: Gjermania, Italia, Austria, SHBA-ja etj.

Raportohet se disa linja ajrore po refuzojnë jo vetëm të fluturojnë në Kinë, por edhe t’u shërbejnë pasagjerëve kinezë. Turistë kinezë po ndalohen të hyjnë në vende të ndryshme, aziatikët lindorë detyrohen në grup të vënë maska para se të hyjnë në ambiente publike etj. Skandaloz ishte një rast i përcjellë nga “BBC”-ja, kur një piktori të njohur kinez iu refuzua shërbimi mjekësor në një klinikë berlineze. Kësaj i thonë të karantinosh racën dhe jo personin e infektuar.

Para dy netësh mund të shihje në televizor disa kinezë të Tiranës, të cilët i largoheshin të frikësuar gazetarit që përpiqej t’i intervistonte. Komuniteti kinez që jeton në Shqipëri është fare i vogël, pas gjasash nuk i kalon tre mijë vetë. Gjithsesi, fakti që qëndrimet, hallet dhe preokupimet e këtij komuniteti kanë munguar thuajse tërësisht në morinë e raportimeve për Covid-19, dëshmon se diçka çalon dukshëm në kulturën tonë demokratike. Kur një komunitet, sado i vogël qoftë, përjeton shqetësime dhe rrezikon cenimin e marrëdhënieve normale me shumicën, mediat dhe ca më shumë organizatat e shoqërisë civile, përpiqen me përparësi t’i japin zë e t’i dalin në krah.

Dhe në fund, do bërë mbase një sqarim. Fokusi i këtyre shënimeve ishte për frikën dhe panikun që po ngjall rreziku i një pandemie Covid-19. Frika është e dëmshme, paniku mund të kthehet në burim rrëmuje e çoroditjeje sociale, por kujdesi mbetet jetik. Gripi spanjoll i një shekulli më parë presupozohet se shpuri në vdekje gati dyfishin e personave që vrau L1B, më e përgjakshmja e luftërave të deriatëhershme.

Share: