Festat Kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit, si çdo vit, do t’i gjejnë jashtë kufijve shqiptarët. Këtë herë edhe më shumë, pasi këto dy ditë, e enjte dhe e premte, bashkë më fundjavën, përkthehen në 4 ditë pushimi, të paktën për punonjësit e institucioneve dhe për një pjese të kompanive private.
Kjo rastësi e këndshme, ka bërë që në Agjencitë turistike të kenë një fluks kërkesash për udhëtime, jo vetëm brenda Europës apo vendeve të rajonit, por edhe në vende të largëta, drejt kontinenteve të tjera. Risia këtë nëntor janë vende ekzotike. Në të kundërt, më patriotë janë shtetasit nga Kosova, që kanë zgjedhur të festojnë në Shqipëri dhe kanë prenotuar tashmë hotelet në Durrës.
Datat e veçanta 28 dhe 29 padyshim vishen kuqezi, por edhe me pasaporta në duar…
Për “Monitor Ekonomi”, emisionin që transmetohet në News 24 çdo të hënë në orën 20.00, operatorët turistikë listuan vendet se ku kanë preferuar të kalojnë këto festa shqiptarët (shih dhe videon).
Jetmira Hoxha, konsulente e agjencisë turistike “UNION TRAVEL” thotë se:
“Për festat e nëntorit kanë filluar krahas udhëtimeve me grupe ka lëvizje edhe në mënyrë individuale. Kanë preferuar vendet ekzotike, Seishell, Maldive, për të përfituar edhe nga ofertat duke filluar nga 1100 euro personi. Gjithashtu brenda Evropës kemi vende si Budapesti, Amsterdami, Parisi, Portugalia, Spanja me udhëtime individuale. Është bum kërkesash.”
Ndërsa Bensik Vathi, menaxher i agjencisë turistike” ATHS” tregon se krahas vendeve të largëta ka preferenca edhe për rezervimet me krociera.
“Ka rezervime, duke filluar nga Hong Kong, Makao në Kinë, Bankok, Pataja në Tajlandë, në Dubai dhe në Izrael. Udhëtime këto jashtë kontinentit. Më pas ka rezervime drejt Stambollit, Parisit, Barcelonës. Po ashtu janë dhe turet me krociera, të Mesdheut dhe udhëtimet drejt ishujve të Greqisë.”
Po këto festa kanë shfaqur edhe kërkesa të reja për udhëtime sic tregon Agim Mehmeti, administrator i agjencisë turistike “ALBTOURS D” për Monitor Ekonomi
“Hyrje, që është për herë të parë për festat e nëntorit është destinacioni i Balit. Është një miksim i mirë brenda turit mes zonë së detit dhe pjesës së xhunglës. Ky është destinacion me rezervim 1 javor. Ndërsa vend i dytë i preferuar është Kuba, gjithashtu me bazë individuale si një vend që ka ftuar shqiptarët gjatë këtyre ditëve të nëntorit.”
Një pjesë e madhe kanë preferuar që planet t’i bëjnë më herët duke rezervuar kështu me cmime më të ulëta, ndërkohe agjencitë kanë bere oferta të përshtatshme, per te kenaqur preferencat e klienteve te tyre.
Operatorët turistikë thonë se cmimet variojnë nga 30 euro deri në 1400 euro. Ndërsa ka larmi, për udhëtimet me autobuz
Duke e konsideruar aeroportin “Nene Tereza” si të shtrenjtë për shkak të çmimeve të larta të biletave, sipas agjencive pjesa më e madhe kanë preferuar të zgjedhin fluturimet nga Shkupi, Ohri e Prishtina për udhëtimet indivduale.
Por, ky vit ka shfaqur edhe një tendencë të re. Teksa një pjesë e shqiptarëve udhëtojnë në vende ekzotike, shqiptarët e Kosovës kanë preferuar Durrësin për të kaluar këto 4 ditë pushimi. Administratori i “ALBTOURS D” Agim Mehmeti thotë se ka fluks rezervimesh.
“Shqipëria vitet e e fundit është kthyer edhe në destinacion pritës. Festat e nëntorit janë të ndjeshme shumë edhe për shqiptarët e Kosovës. Ata kanë filluar të përdorin destinacionet e Shqipërisë dhe ne kemi një numër jo të vogël rezervimesh në hotelet dhe resortet e Durrësit, një nga zonat më elitë për sa i përket shërbimeve dhe ndërtimeve të reja të bëra aty.”
Patriotët, të cilët kthehen të dielën në mbrëmje, duke shfrytëzuar maksimalisht pushimin, urimin për pavarësinë do të na e sjellin vetëm përmes rrjeteve sociale./Monitor