3-vjetori i Reformës në Drejtësi: “Të gjithë politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë nga SPAK”

Aktualitet Politikë

Politikanët dhe ish-funksionarët e lartë duhet të kenë frikë nga ngritja e SPAK-ut, pasi ky i fundit do t’i japë fund pandëshkueshmërisë.

Tre vite pas votimit të Reformës në Drejtësisë, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi u shpreh në një intervistë televizive se tashmë drejtësia nuk varet nga politika.

“Ajo që është shumë e rëndësishme për të thënë sot pas 3 vitesh është që Reformën në Drejtësi nuk e ka më në dorë ta pengojë politika. Sot, zbatimi i Reformës në Drejtësi është në shpatullat e disa institucioneve, duke filluar që nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor, i cili duhet të bëjë procedurën për Gjykatën e Lartë dhe me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë zgjidhen edhe 3 anëtarë që duhet të zgjidhen për në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kanë edhe ato Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Njëkohësisht, Gjykatën e Posaçme e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Organi i dytë që mban në shpatullat e tij një sërë përgjegjësishë në këtë moment është Këshilli i Emërimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i cili ka prokurorin e përgjithshëm, SPAK-un dhe për rrjedhojë me ngritjen e SPAK-ut brenda dy muajsh është Byroja Kombëtare e Hetimit”, – tha Hysi.

“Nga ana tjetër është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Përkohshëm i cili shumë shpejt, sikurse sot edhe dëgjuat prononcimin e kryetarit të këtij këshilli, do të sjellë në kuvendin e Shqipërisë, propozimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, po të njëjtën gjë do ja përcjellë edhe Presidentit të Republikës. Dhe e fundit farë janë organet e Vetingut. Po të shikoni shumë struktura. Ju thatë nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Po, është e vërtetë që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese por vakancën në Gjykatën Kushtetuese ishin krijuar edhe para se të hynte në fuqi ligji i Vetingut dhe ju e dini që nuk u plotësuan vendet vakante.
Nga ana tjetër, kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese edhe në Gjykatën e Lartë apo për Prokurorë të Përgjithshëm apo Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, janë kandidatë të cilët duhet patjetër të vetohen, për rrjedhojë edhe ecuria e Reformës në Drejtësi tashmë nuk varet as nga parlamenti apo nga dëshira e mazhorancës, siç shprehen shpesh në media që, është mazhoranca që pengon, por janë pikërisht këto institucione të cilat kanë filluar të funksionojnë me vonesë dhe pengesat i krijoi politika”, – tha ajo.

Sipas Hysit problemi kryesor në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, është pandëshkueshmëria.

“Reforma në Drejtësi nuk është thjesht Vetingu. Ajo ka shumë aspekte të tjera që lidhen me çështjet e përditshme të qytetarëve, me drejtësinë e vonuar, që qytetarët e hasin në gjykatat e sotme. Në ditët e sotme kemi ende qytetarë që enden dyerve të gjykatave prej 20 vitesh për të marrë të drejtën e tij, për çështje pronësie. Kemi pasur debat të madh për çështjet që kanë shkuar në gjykatën e Strasburgut. Një ndryshim shumë të rëndësishëm për këtë çështje që kemi bërë në kuadër të reformës në drejtësi është ndryshimi i kodit të procedurës civile dhe përmirësimi i ligjit për avokaturën e shtetit, që për çdo zvarritje të proceseve gjyqësore qytetari ka të drejtë të mos shkojë në gjykatën e Strasburgut, por të ketë mjete efektive të brendshme t’i realizojë në Shqipëri”.

Ajo nuk hezitoi të komentonte edhe deklaratën e deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi.

“Opozita ka qenë kundër ndryshimeve në kushtetutë dhe ka pasur një mision që ka negociuar dhe ju e dini që në lidhje me përbërjen e KLP-së dhe KLGJ-së dhe të anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë për Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, formula e dakordësisë është propozuar nga Partia Demokratike dhe është pranuar nga mazhoranca në atë periudhë. Çka do të thotë që edhe në atë kohë opozita ka qenë kundër dhe ka hezituar jashtëzakonisht fort, madje edhe nëse ju kujtohet hedhja e shortit e anëtarëve jogjyqtarë e joprokurorë, nëse klasa politike nuk do të arrinte të jepte konsensusin ishte pikërisht ai propozim i asaj marrëveshje që u bë në datën 21 korrik dhe që e shtyu votimin në mesnatën e datës 22. Opozita ka shumë kohë që përpiqet të baltosë dhe të thotë që kjo reformë ka dështuar. Këtë fjalë të zotit Bylykbashi e kam dëgjuar që në fillim kur filloi të diskutohej ligji i Vetingut, edhe më pas”, – tha ajo.

Hysi tha ndër të tjera se SPAK do të merret me atë pjesë të Drejtësisë që ka të bëjë me funksionarët e lartë dhe ish-funksionarët e lartë.

“Nga ngritja e SPAK duhet të kenë frikë të gjithë politikanët e korruptuar, pavarësisht se cilës partie politike u përkasin, çdo person që ka lidhje me krimin e organizuar, çdo funksionar dhe ish-funksionar i lartë që ka gabuar apo gabon me ligjin”, – sqaroi ajo.

Share: