Gazetarja me përvojë në fushën e kulturës, Mentore Murati vjen me një libër përmbledhës me intervistat më të rëndësishme të realizuara përgjatë karrierës së saj. Intervistat përcjellin argumente, mendime dhe shqetësime për kulturën e gjuhës shqipe. Në vazhdën e punës si gazetare në emisionin e përjavshëm SHQIP të Radio Kosovës, që i kushtohet ngritjes së kulturës sonë gjuhësore, në fushën e komunikimeve publike, autorja e vijon misionin e saj fisnik përmes këtij libri të vyer. Disa nga intervistat më interesante të zhvilluara në harkun kohor nga viti 2011-2019 vijnë në librin: “Në qoftë se do të flasim bukur, jeta jonë do të bëhet më e bukur”- mbështetur për botim nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Janë përfshirë në të biseda dhe përgjigje të dhëna nga një numër i mirë figurash të njohura të gjuhësisë shqiptare, nga Republika e Shqipërisë, nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare ballkanike e nga diaspora, si dhe nga albanologë të njohur nga Rusia (Aleksandar Novik), Bullgaria (Anton Pançev), Gjermania (Diter Nehring) etj. Krahas bisedave a intervistave të gjuhëtarëve të njohur, që edhe janë dalluar si mbrojtës të shqipes së njësuar (si Isa Bajçinca, Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Kujtim Kapllani, Valter Memisha, Aristotel Spiro, Anila Omari, Ali Jashari, Artur Lamaj, Mimoza Kore, Kujtim Kapllani, Idriz Metani, Begzad Baliu etj. aty ka edhe biseda a intervista të përkthyesve të njohur (Shpëtim Çuçka, Edmond Tupja, Viktor Bakillari) sikundër ka edhe intervista e vlerësime për shqipen standarde nga shkrimtarë nga Kosova (Ibrahim Kadriu) dhe Shqipëria (Bardhosh Gaçe); nga gazetarë të shquar si Hamit Boriçi dhe studiues të historisë së letërsisë shqiptare (Floresha Dado, Kristaq Jorgo) etj.
Krahas intervistave që i kushtohen mirëfilli mbrojtjes së standardit e dukurive të kulturës së gjuhës, në boshtin tematik të maturisë që duhet treguar kur pranojmë huazime, po edhe të nevojës për të mos e quajtur të shteruar punën mbledhëse e pohuese të fjalëve shqipe nga gurrat popullore dhe botimet e reja letrare dhe nga përkthimet, në libër ka edhe intervista të tjera interesante, si ku shprehen mendime të vlefshme për t’u pasur në vëmendje si p.sh.: “Gjuha standarde nuk është pronë vetëm e specialistëve, por është edhe vendim politik në fund të fundit” (Ardian Ahmedaja); “Harxhohet shumë kohë kundër standardit, më mirë të harxhohet kohë për mësimin e shqipes” (Gianni Belluscio); “Shqipja ka fjalë të bukura” (Ismail Syla); “Vetëm malësitë i ruajnë fjalët e shqipes se qytetërimi nuk ruan asgjë” (Abdullah Zymberi); “Vazhdimësia e shqipes nga ilirishtja” (Nelson Çabej); “Sot përjetojmë urbanizimin gjuhësor me një përzierje të fuqishme të shqipes” (Bardhyl Demiraj).
Në hyrjen e librit, gazetarja Mentore Murati bën apel për ruajtjen e gjuhës shqipe, duke theksuar se duhet të kultivojmë një dashuri më të madhe për gjuhën shqipe dhe për fjalën shqipe. Thjesht, si nuk duhet ta degradojmë shqipen, por ta duam si gjënë më të shenjtë.
Ajo falënderon edhe recensuesit e librit, gjuhëtarët e shquar prof. dr. Gjovalin Shkurtajn, prof. dr. Bardhosh Gaçen, prof. Shpëtim Çuçkën – një ndër përkthyesit më të njohur dhe më të rëndësishëm në Shqipëri dhe prof. Viktor Bakillarin për vlerësimin aq të lartë që i bënë librit. Së fundi, ajo nuk harron të shprehë mirënjohjen edhe për profesor Qemal Muratin, babain e saj i cili i dha shtysën për përgatitjen e këtij libri dhe njëkohësisht është edhe redaktor i këtij botimi.
Libri i Mentore Murati, që po i vjen në dorë lexuesit, intelektualëve dhe niveleve të tjera të shoqërisë në një periudhë agresive tranzitive, përveçse shpërfaq një thirrje është dhe një kontribut i nevojshëm për të përcjellë shqetësimin mbi zhvillimet aktuale dhe në të ardhmen lidhur me fondamentin më të rëndësishëm të identitetit të një kombi siç është gjuha standarde.