Ka nisur protesta e PD në Kukës kundër vizitës së kryeministrit Edi Rama i cili vijon fushatën elektorale. Kreu i qeverisë do të prezantojë kandidatin socialist për kryetar bashkie, Safet Gjici.
Protestuesit e opozitës kanë marshuar në këmbë nga sheshi “Skënderbej” në qendër të Kukësit në drejtim të aeroportit. Në fshatin Bicaj ata kanë çarë kordonin e parë të forcave të policisë dhe po i afrohen vendit ku do zhvillohet mitingu i socialistëve, i rrethuar nga forca të shumta FNSH-je.
Opozita i ka bojkotuar këto zgjedhje duke akuzuar mazhorancën se nuk garanton proces të lirë dhe të ndershëm. Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhdekretoi 30 qershorin si datë zgjedhjesh pikërisht për shkak të krizës politike që kishte përfshirë vendin. Por kryeministri Edi Rama nuk u tërhoq duke vijuar me fushatën elektorale, ndërsa e diela e zgjedhjeve mund të kthehet edhe në një konfrontim civil me pasoja shoqërore të paimagjinueshme.