Inaugurohet “Pallati i Drejtësisë”, Gjonaj: Jemi në moment historik për fatin e vendit

Aktualitet Sociale

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të mjediseve të reja të “Polit të Drejtësisë” ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj bërë një bilanc të Reformës në Drejtësi, tre vite nga ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht më 22 Korrik 2016.

Teksa foli për drejtësinë e re, Gjonaj u shpreh se “lufta për ideimin, hartimin dhe miratimin e kësaj reforme ka qenë e vështirë, por beteje pas beteje, ia dolëm. Ia dolëm për t’iu dhënë shqiptarëve një shprese të re, për të pasur drejtësinë që ata meritojnë, një drejtësi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Ja dolëm për ti dhënë Shqipërisë me këtë reformë një mundësi më shumë për të qenë nesër me meritë, me dinjitet, plotësisht të barabartë në fushën e zbatimit të ligjit si anëtare e ardhshme e familjes europiane.

Në fjalën e saj, Gjonaj nënvizoi se ndaj Reformës në Drejtësi është ofruar mbështetje e vazhdueshme buxhetore për ta jetëzuar në mënyrën e duhur.

“Ndjehem e vlerësuar që ndodhem në funksionin e Ministres së Drejtësisë, në këtë moment tepër të rëndësishëm dhe historik për fatin e vendit, për shpresat dhe për të ardhmen e tij. Sot jam këtu jo si ish eksperte e grupit të hartimit të reformës, por në cilësinë e Ministres së Drejtësisë. Para jush ndihem mirë që Qeveria ku bëj pjesë dhe personalisht Kryeministri i vendit, Rama, i kanë dhënë dje dhe vazhdojnë ti japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare. Pak ditë më parë, Këshilli i legjislacionit dhe Komisioni i ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ndërmorën të fundit detyrim në reflektim të vendimit të gjykatës Kushtetuese duke i dhënë KLGJ-së dhe KLP-së të gjitha instrumentat ligjorë për të ushtruar funksionin e tyre, me një kuadër ligjor tashmë të plotësuar.

Në mënyrë të vazhdueshme mbështetja buxhetore për Reformën në Drejtësi ka qenë në mënyrë konstante e padiskutueshme në programet tona buxhetore. Kryeministri i vendit, Qeveria shqiptare ka alokuar një buxhet tej mundësive të saj, por e bindur që është gjëja e duhur në funksion të jetësimit të reformës në drejtësi, të vetëdijshëm se kjo ka një vlerë të shumëfishtë sot dhe nesër për fatet e vendit; një investim jo vetëm për të sotshmen, por për të nesërmen e fëmijëve tanë”, – u shpreh Gjonaj.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ministrja e Drejtësisë garantoi se ndaj tyre dhe organeve të reja që do ngrihen do të ketë mbështetje të vazhdueshme sipas kushtetutës dhe ligjit.

“Ju siguroj se si anëtarë e qeverisë në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, por njëkohësisht dhe si koordinatore kombëtare antikorrupsion e konsideroj prioritet bashkëpunimin me ju, në kufijtë e parashikuara nga kushtetuta dhe ligji. Pres me padurim që luftës kundër korrupsionit t’i bashkohen edhe institucionet e reja, të SPAK-ut dhe BKH-së, si institucionet kyç, që shpresoj fort, do të shënojnë kthesën e duhur në betejën kundër pandëshkueshmërisë ndaj fenomenit të korrupsionit ndër vite”, – tha Gjonaj.

Share: