Kanadaja hap 107 mijë vende të reja pune, ja profesionet më të kërkuara

Aktualitet Sociale

Kanadaja prej disa vitesh tashmë po zhvillon një politikë favorizuese në raport me ardhjen e  emigrantëve në vend. Arsyeja kryesore ka të bëjë me nevojën e fuqisë punëtore në profesione të ndryshme. Kështu siç ka raportuar Instituti Kombëtar i Statistikave në Kanada, ekonomia e vendit krijoi 107 000 vende të reja pune vetëm gjatë muajit prill të këtij viti, një shifër shumë më e lartë se parashikimi  dhe shkalla e papunësisë shënoi rënie me 0,1 përqindjeje në 5,7%. Këto shifra janë shumë më të larta se parashikimet e ekonomistëve të cilët prisnin 15 000 vende të reja pune në muajin prill dhe një normë të pandryshueshme të papunësisë. Papunësia shënoi rënie pavarësisht nga një rritje mujore prej 0, 5% e popullsisë në kërkim të një vendi pune, bën të ditur Statistika e Kanadasë. Personat të cilët përfituan më tepër nga kjo rritje e konsiderueshme e vendeve të punës regjistrohen të rinj mes moshës 15 dhe 24 vjeç, të cilët ishin më shumë se 47 000 në prill për të zënë një vend pune, kryesisht  për shkak të rritjes së punësimit me kohë të pjesshme. Rritja e vendeve të reja të punës ka ardhur për shkak edhe të mijëra emigrantëve të kualifikuar profesionalisht që janë punësuar në Kanada gjatë kësaj periudhe.  Më herët shteti kanadez pati deklaruar se do të pranonte rreth 300 mijë emigrantë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim përthithjen e një krahu të kualifikuar të punës si dhe krijimin e një diversiteti në shoqëri. Sigurisht që, nga kjo mundësi mund të përfitojnë edhe shqiptarët, sidomos kur bëhet fjala për të rinjtë, pasi pjesa më e madhe e popullsisë së Kanadasë është në plakje. Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit që ju keni, informacione rreth vizave kanadeze mund të merrni në adresën http://www.vfsglobal.ca/Canada/Albania/albanian/.  Profesionet më të kërkuara në Kanada janë: kuzhinier, menaxher restorantesh, infermier, arkitekt, mjek, dentist, biolog, mjek familjeje, farmacist, psikolog, asistent social, elektricist, hidraulik dhe ndërtues.

Profesionet më të kërkuara në Kanada

Kuzhinier, menaxher restorantesh, infermier, arkitekt, mjek, dentist, biolog, mjek familjeje, farmacist, psikolog, asistent social, elektricist, hidraulik dhe ndërtues

Share: