Nga ENDRI BIMI
Mirash Ivanaj (1891-1953), një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptar i panjohur në ditët e sotme. Ai ishte një nga intelektualët më të spikatur, pedagog, publicist, jurist, filozof, poet por Ivanaj dallonte dhe për cilësitë e karakterit të tij, si një njeri serioz,patriot, trim, i palëkundur në bindjet e tij, idealist,i ndershëm por mbi të gjitha ai do të mbahet mend për drejtësinë ekzemplare që shpaloste në jetën e përditshme dhe në veprimtarinë e tij në punët e shtetit.
Ivanaj rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi, ku mësimet e para i mori në Mal të Zi dhe Serbi, kurse studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy laura për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj. Duhet nënvizuar se në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja të përvetsuara falë intelektit të tij të shfaqur që në vogëli dhe vullnetit të tij të palëkundur. Ivanaj, gjatë studimeve në Itali dhe më pas kur u kthye në Atdhe duke ju përkushtuar punëve tepër delikate që iu ngarkuan, ka bërë një jetë të veçuar, i lidhur ngushtë me librin, fletoret, dokumentet që hartonte. Pasi erdhi në Atdhe, në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi,bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti.
Si drejtor i gjimnazit shtetëror në Shkodër, 1925-1930, ai u njoh nga afër me problemet e arsimit në Shqipëri dhe pengesat që dilnin në këtë shtet të ri shqiptar që përpiqej të konsolidohej por duke pasur pengesë ndikimin e fqinjëve. Puna e tij e shkëlqyer në gjimnazin e Shkodrës si drejtor me vullnet të hekurt, i rreptë,i palodhur, duke futur disiplinën si kusht themelor për mbarëvajtjen e punëve, i aftë në hartimin e qarkoreve dhe dokumenteve të tjerë që e zhdërvjellsuan shkollën në të gjithë komponentët përbërës të saj. Kjo punë e vyer e Ivanajt krijoi jehonë të madhe në të gjithë drejtuesit e shkollave shqiptare por dhe tek vetë drejtuesit e shtetit që po shikonin tek ky njeri një intelektual me vizion përparimtar dhe një atdhetar me moral të kristaltë.
Në vitin 1930 për të qenë më afër të vëllait, i vetmi njeri i afërt që i kishte mbetur, filloi punë si mësues në gjimnazin e Tiranës ku vazhdoi të dallohej për aktivitetin e tij të pashembullt e këmbëngulës në edukimin e brezit të ri. Ivanaj që kur ndodhej në Shkodër mendonte që përball gjendjes së arsimit të kohës diçka mund të bënte në nivel kombëtar, tej kufijve të një shkolle të mesme. Dëshira e tij për të drejtuar punët e arsimit në Shqipëri, nuk buronte aspak nga ndonjë ambicie personale, as nga lëvdatat e shpërblimet ose jeta luksoze që mund të pasonte, por ai kërkonte ta shndërronte e zhvillonte arsimin shqiptar, për ta bërë atë kombëtar e laik duke e afruar me arsimin perëndimor por me një profil tërësisht shqiptar.
Më në fund erdhi dhe koha e Mirash Ivanajit për të udhëhequr dikasterin e Arsimit aq të vlerësuar por dhe aq problematik në periudhën që kalonte i gjithë vendi ynë. Ivanaj i cili ishte një republikan i bindur, kur mbreti Zog e ftoi për të bërë pjesë në kabinetin monarkist, në janar të vitit 1933, pranoi me kënaqësi, duke i lënë mënjanë bindjet politike për hir të interesave kombëtare. Ivanaj nuk veproi që të bëhet ministër, por u bë ministër që të veprojë.
Që në javët e para si ministër Arsimi, shiheshin premisat për një sukses në përpjekjet e tij për reformimin e arsimit shqiptar, për arsye se pasionin i tij i madh për këtë fushë dhe mbështetja nga mbreti Zog, të cilin ai e konsideronte një dorë të fortë burrështeti, e shtynë atë të ndërmarrë nisma që askush s’kishte guxuar ti vinte në jetë më parë. Ndër masat e para, që ndërmori si ministër, ishte rishikimi i strukturës së dikasterit dhe personelit të tij. Në fillim shkurtoi postin e sekretarit të përgjithshëm, dhe për të forcuar Normalen e Elbasanit, Aleksandër Xhuvanin e dërgoi drejtor të saj. Mbetej i vetmi ministër pa sekretar të përgjithshëm. Duke pasur me kohë në kokë idenë e reformimit të arsimit shqiptar dhe duke marrë premtimin se nuk do t’i ndërhynte askush në punën e tij, madje as Mbreti vetë, Ivanaj iu fut çështjes se studimit për të njohur sa më mirë e sa më saktë gjendjen, si nevojë e domosdoshme paraprake për reformën. Në një kohë rekord, ai formuloi me dorën e tij studimin e argumentuar nga ana historike, kombëtare, kulturore e patriotike të reformës arsimore. Vlen të theksohet si një dukuri e papërsëritshme në administratën shqiptare të të gjitha kohërave, që duke filluar nga shkresat e zakonshme e deri tek dekret-ligjet e programet e arsimit shqiptar, të cilat i merrte nga përvoja e madhe arsimore e shteteve të huaja por dhe nga praktika e kaluar vendase, ai i zgjodhi, përshtati, përktheu e redaktoi vetë.
Pasi e bëri atë studim sintezë, i paraqiti mbretit nevojën urdhëruese të shtetëzimit të shkollave private, sepse ekzistenca e tyre, sipas tij mund të komprometonte pa shpresë shpëtimi, formimin e një brezi të shëndoshë, për afirmimin tonë si popull dhe si shtet. Aq më tepër për popullin shqiptar dhe vendin tonë, ku historia fatkeqësisht me të papriturat e saj të shekujve të pushtimit të gjatë, kishte lënë mjaft boshllëqe dhe mjaft mangësi lidheshin me disiplinën shtetërore, e cila nga ana e saj ishte e lidhur aq ngushtësisht me ndjesinë e bashkimit kombëtar të popullit. Duke analizuar thellë rrezikun e shkollave të huaja, Ivanaj përfundonte se edhe sikur të huajt të vinin në Shqipëri me qëllime të vërteta mirëbërëse, nuk mund të kryenin misionin për shkak se problemi i edukimit moral, patriotik e shoqëror, që ishte më i rëndësishëm se ai i diturisë në Shqipëri, ishte e domosdoshme të ndiqej një rrugë tjetër e njëjtë për të gjithë nxënësit shqiptar, larg ndryshimeve shoqërore, fetare e krahinore.
Më konkretisht në këtë studim për ndryshimin e gjendjes së arsimit shqiptar, Ivanaj i propozonte Mbretit: së pari, ndryshimin e neneve 206 dhe 207 të Statutit Themeltar të Shtetit (kushtetuta e Mbretërisë), që lejonin hapjen e shkollave të huaja e klerikale në Shqipëri. Së dyti, të përjashtohej ndërhyrja direkte e Italisë në arsimin shqiptar dhe, në qoftë se interesat e shtetit e kërkonin, mund të lihej vetëm një organizator italian për shkollat profesionale, si këshilltar teknik, pa asnjë të drejtë drejtimi. Së treti,pranimi i një organizatori italian për edukatën fizike dhe të jetë në rolin e këshilltarit, me kontratë. Së katërti, Enti Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, si shoqatë për edukimin moral, patriotik e sportive për rininë qytetare, të bëhej seksion i veçantë i Ministrisë së Arsimit dhe mund të pranohej për arsye politike, si në rastet e mëparshme, vetëm një këshilltar por jo më nëpunës italianë për të drejtuar këtë shoqatë. Së pesti, për bursat e jashtme, që jepte Italia për studentët shqiptarë, ato mund të pranoheshin me kusht që studentët të zgjidheshin nga qeveria shqiptare, pa asnjë ndërhyrje të Italisë. Më në fund Ivanaj, do të shtronte çështjen edhe në rrafshin teorik, ku vuri në dukje, se sa kohë shkolla kishte të bënte me formimin e njeriut, ajo ishte një veprimtari mjaft komplekse pedagogjike, psikologjike e shoqërore.
E krijuar në kushte historikisht të vështira, në periudhën e fundit 13 – vjeçare (1920 – 1933), organizimi shkollor, ishte zgjeruar. Por për fat të keq argumentonte Ivanaj, nuk u afirmua nën drejtimin kombëtar nga ana e shtetit, dhe të paktën, nën një drejtim të njësuar, të qartë dhe të sigurt. Prandaj, ai do të kërkonte masa radikale për përmirësimin themelor të tij.
Në datën 10 prill 1933, një ditë e madhe për arsimin shqiptar dhe me shumë emocione për vetë Ivanaj-in, pas hartimit të programit për reformën e ardhshme arsimore, e paraqiti atë në Parlament, ku shpaloste gjendjen e arsimit kombëtar dhe analizonte rrugët e reja e masat radikale që do të ndërmerreshin për përmirësimin rrënjësor të tij. Këtu shqetësimi i tij më i madh, mbetej ideja që shkolla të ishte gjithëshqiptare, dhe në radhë të parë e mbi çdo gjë, të edukonte atdhetarë që ti shërbenin Shqipërisë në rrugën e saj të konsolidimit kundrejt përpjekjeve të huaja për ndërhyrjen në sovranitetin e institucioneve tona.
Falë bindjes që sollën argumentet e Ivanaj-it, më 11 Prill 1933, Parlamenti miratoi ndryshimin e Statutit dhe me 22 prill 1933 u sanksionua nga Mbreti. Pasi mori miratimin e mbretit për platformën e re që paraqiti, nisi nga puna gjerësisht e thellësisht për të projektuar atë që ka hyrë në histori me emrin:
“ Refoma Ivanaj ”, një vepër origjinale shqiptare, e pa importuar dhe e pa imituar me individualitet shqiptar për krijimin e një shkolle kombëtare e laike që në një të ardhme jo të largët,sipas Ivanajt, do të formonte zyrtarë të mirë e me ndërgjegje, por edhe ndonjë dijetar.
Shtetëzimi e laicizmi i shkollës shqiptare
Më 26 prill 1933, ndryshimi u zbatua me mbylljen e të gjitha shkollave private dhe të huaja në Shqipëri. Për ndryshimin e neneve të Statutit të Shtetit Shqiptar thuhej:
Neni 206 : Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptar, janë një e drejtë ekskluzive e shtetit. Jepen vetëm në shkolla shtetërore, shkallësh të ndryshme sipas ligjit. Arsimi fillor, për të gjithë shtetasit shqiptar është i detyrueshëm dhe jepet falas. Shkollat private të çdo lloj kategorie qofshin, që kanë vepruar deri më sot, mbyllen. Neni 207 : Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtura prej komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj.
Kështu, viti i ri shkollor 1933–1934 shënoi fillimin e njësimit të arsimit shqiptar, në të gjitha kategoritë e shkollave. Shkollat fillore e të mesme private e të huaja, që u mbyllën sipas Reformës Arsimore: shkolla shqiptare private jofetare,shkolla shqiptare klerikale myslimane, katolike, ortodokse; shkolla të huaja për shqiptarë; shkolla private të minoritetit grek.
U suprimuan shkollat e mesme: shkolla Normale Femërore të Korçës, Institutit privat Femëror“Naim Frashëri”,Institutit Privat Femëror “Kyrias”, shkollës Normale femërore katolike të Stigmatinëve. Në vend të gjitha këtyre, në shtator të 1933, u themelua në kryeqytet Instituti Femëror“Nana Mbretneshë”me dy degë, normale dhe gjimnaziale. Në Korçë me ish nxënës të shkollës Normale femërore u krijua një shkolle 4-vjeçare e quajtur qytetëse dhe në Shkodër, një degë e ulët femërore e Gjimnazit. U suprimua dega normale e Shkollës Teknike dhe nxënësit e saj u shpërndanë në shkolla të tjera. Me largimin e personelit italian, shkollat profesionale italiane të Beratit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, u suprimuan dhe në Berat, Korçë e Durrës u krijuan shkolla qytetëse 4-vjeçare, me program teorik e praktik sipas nevojave rajonale. Shkolla teknike e Tiranës, që u shtetëzua u plotësua me një personel të zgjedhur, dhe u bënë ndryshime në strukturën dhe programin e saj. U suprimua gjimnazi ushtarak i Tiranës dhe shkolla bujqësore e Lushnjës. Nxënësit e tyre u shpërndanë nëpër gjimnaze të tjerë dhe në shkolla bujqësore.
Reforma e Ivanajt kishte një karakter të qartë kombëtar, por në rastin e mbylljes së shkollës teknike në Tiranë dhe atë fillore amerikane në Korçë, ajo u kthye në frymë me karakter thellësisht nacionalist. Zbatimi i kësaj reforme përkonte dhe me acarimin e marrëdhënieve italo-shqiptare. Kështu që reforma Ivanaj mund të shihet dhe si një ndalim që i bëhej “ politikave italiane për rritjen e ndikimit ekonomik, politik, kulturor, në gjithë jetën e vendit, që po merrte formën e një protektorati dhe po rrezikonte vetë qeverisjen e mbretit Zog, që kishte filluar me kohë të shqetësohej për arrogancën në rritje të përfaqësuesve italianë në Shqipëri. Reforma nuk preku Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës, sepse ajo në bashkëpunim me shtetin shqiptar, sipas një ligji të caktuar , i nënshtrohej kontrollit të shtetit dhe i jepte llogari shtetit. Po kështu, nuk u cenua Liceu i Korçës, i cili edhe pse punonte me gjuhë të huaj, por me bashkëdrejtues shqiptar dhe në pjesën më të madhe me mësues shqiptar, Ivanaj nuk e konsideroi shkollë të huaj dhe ajo mori emrin, Liceu Kombëtar i Korçës.
Viti shkollor 1933-1934, niste punën për herë të parë në historinë e Shqipërisë vetëm me shkolla shtetërore, kombëtare e laike. Por Ivanaj, me gjerësinë e personalitetit të tij, si humanist, edhe pse vete ateist, nuk lejoi që të përgojohej feja në shkollë e të përbuzej, sepse sipas bindjes së tij, prekeshin ndjenjat fetare të popullit, një e drejtë civile e pamohueshme. Reforma Ivanaj-it ishte radikale, ajo preku të gjitha dukuritë e punës së shkollës, si premisë për një të ardhme të ndritur për arsimin shqiptar.
Figura e mësuesit e problematikat e shkollës
Në kuadrin e përgjithshëm të Reformës Arsimore, meraku më i madh i Ivanajt, ishte figura e mësuesit, si faktor vendimtar në mbarëvajtjen e punës së shkollës. Ai diti të çmojë dhe të vlerësojë në të gjitha dukuritë personalitetin e mësuesit, duke e vendosur atë në lartësinë e detyrës fisnike si figurë kryesore në shkallëzimin e hierarkisë intelektuale të vendit.
Tashmë, askush nuk do të nëpërkëmbte të drejtat e mësuesve dhe asnjë nuk duhej të harronte të drejtat e tyre. Por, edhe në të njëjtën kohë, asnjë prej tyre nuk mund të bënte pjesë në radhët e arsimtarëve, në qoftë se nuk e meritonte atë detyrë të rëndësishme. Për të pastruar në radhët e mësuesve nga elementë, që nuk mund të çonin punën përpara, sipas kërkesave të Reformës, ai mori masa shumë të shpejta, jo vetëm për largimin e tyre nga mësuesia ose nxjerrjen në pension, por edhe lëvizjen e shumë arsimtarëve. Ndër fjalimet që mbante në Parlament për këtë problem ai do të shprehej: “Janë vënë në disiplinë,në rregull,në detyrë e në mision të gjithë ata arsimtarë të cilët dikur detyrën e merrnin si tallje e rrogën si mision.” Gjatë periudhës prill-shtator 1933 , u bë numri më i madh i lëvizjes së kuadrit, gjatë gjithë periudhës 15- vjeçare, 1925–1939. U hoqën nga arsimi 41 mësues, ku bënin pjesë persona të pazot. Po ashtu u transferuan 200 të tjerë, midis tyre edhe disa me kërkesën e tyre. Vendet e liruara u zëvendësuan me të rinj, që kishin shkolla të mesme. Në emërimet e reja Ivanaj mori parasysh vetëm aftësitë. Për ta vërtetuar më së miri këtë shërben fakti i ndodhur në Korçë në vitin 1933, ku u krijua një vështirësi për emërimin e një mësueseje, sepse të katër kandidatët për të vetmin vend pune kishin nota të njëjta në maturë. Ministri e zgjidhi menjëherë problemin, pasi urdhëroi të merrej në punë ajo që i kishte notat më të mira gjatë katër viteve të shkollës së mesme. Drejtësia e Ivanaj-it ishte e tillë, saqë asnjë nuk trokiti në portën e ministrit për t’u ankuar, madje ndër arsimtarët në këtë kohë qarkullonte shprehja: “Zoti mund të gabojë, por Ivanaj, jo.”
Shpejt i hodhi sytë tek pagesa e rrogave të arsimtarëve, të cilat me parregullsitë e vonesat ishin bërë shumë shqetësuese për kohën. Ishte i vetmi Ministër Arsimi, i cili e mori me seriozitetin më të madh çështjen e rrogave dhe kërkoi nga Ministria e Financave, jo vetëm zgjidhjen e çështjes së rrogave, por edhe të pagesave të tjera suplementare që u takonin atyre. Ivanaj tërhoqi vëmendje dhe mori një sërë masash të tjera në lidhje me lejet e tepërta, që merrnin arsimtarët, ose raportet mjekësore të falsifikuara. I rreptë u tregua ai edhe ndaj pastërtisë vetjake dhe rregullit dhe hijeshisë së veshjes, por jo luksit. Për veshjen e kohës së mësimit në shkollë ai kërkoi uniformë. Deri në vitin 1933, kuadri i arsimit, nuk kishte dalë asnjëherë rregullisht në fillim të vitit shkollor, gjë që sillte shqetësim në radhët e mësuesve dhe dëm të punës së shkollës. Të gjitha masat e Ivanajt, të cilat synonin disiplinimin e punës së mësuesit, jo vetëm që nuk sollën asnjë pakënaqësi në punë, por përkundrazi, mobilizim e entuziazëm. Në qendra të rëndësishme të vendit pati intelektualë të cilët kërkuan të jepnin vullnetarisht orë mësimi në shkolla.
Që të vinte në udhë të drejtë serioze dhe të qëndrueshme veprimtarinë e shkollës shqiptare, Ivanaj i kushtoi vëmendje të madhe disiplinës, si themeli i punës. Prandaj fillimisht, duke vërejtur shkelje, shthurje në radhët e nxënësve, sidomos të atyre të shkollave të mesme, Ivanaj lëshoi një radhë qarkoresh dhe udhëzimesh të reja, për t’i prerë rrugën dhe për t’i ndaluar të gjitha aktet anti – disiplinore. Ishte e kuptueshme që vetëm me masa administrative, aq më tepër me masa të forta, nuk mund të sigurohej disiplinë e qëndrueshme. Por, megjithatë , fillimisht ato masa e dhanë përfundimin e duhur. Kërkesat rigoroze dhe masat e dënimit të Ivanajt, nuk kishin dhunë ndaj personalitetit të nxënësit. Si edukator i drejtpërdrejtë, si drejtor dhe si ministër jo vetëm nuk i njohu mjetet e dhunës, por përkundrazi i dënoi ato. Aq më tepër ai dënonte fyerjen e nxënësve me fjalë anti – pedagogjike, që në Shqipëri nuk i pranonte as pedagogjia e edukatës popullore.
Ai porosiste gjithnjë që të veprohej me respekt dhe sinqeritet saqë ai mbi të cilin aplikohej masa disiplinore të kuptonte mirë se ajo ishte e hidhur si ilaçi i mjekut, që shërben jo për të munduar të sëmurin por për ta shëruar atë. Në mbështetje të formimit të disiplinës, Ivanaj bëri kujdes të veçantë për ngritjen e autoritetit të mësuesit, të drejtorit të shkollës, posaçërisht të këshillit pedagogjik si organ vendimmarrës, duke ia shtuar dhe fuqizuar në kompetencat e tij.
Përveç rinisë shkollore, Ivanaj si sekretar shteti me botëkuptim të përparuar në të mirën e përgjithshme të brezave të kombit, të vetë atdheut, donte të angazhonte përveç rinisë shkollore, edhe të gjithë rininë qytetare të vendit, në një shoqate sportive e kulturore kombëtare. Për të vënë këto detyra nën drejtimin dhe udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit, Enti Kombëtar “Djelmenia shqiptare” futej tashmë në strukturën e dikasterit, si seksion i tij i veçantë.
Ishte koha, kur kriza ekonomike në Shqipëri ishte në kulmin e vet, por Ministri me kulturën, patriotizmin dhe aftësitë e energjitë e tij, arriti të shtojë buxhetin ekzistues të dikasterit të tij, duke i marrë buxhetit të përgjithshëm të shtetit, për vitin 1934, 1/5, e shumës së tij të përgjithshme. Dhe kjo dha shpejt rezultatin. Në fund të vitit shkollor 1933-1934, Shqipëria kishte 62 shkolla fillore me shumë se një vit më parë.22) Në shërbim të shtimit të mëtejshëm të shkollave në të ardhmen, Ministri u kujdes posaçërisht për shkollën Normale të Elbasanit, në radhë të parë për shtimin e kapacitetit të saj. Sipas ligjit, që sanksionoi Reforma, për herë të parë shteti shqiptar, përfshiu në buxhet edhe shpenzime për shkollimin shqip të fëmijëve të diasporës shqiptare. Bursat e studimit ishin bërë një problem tepër serioz dhe kishin krijuar një shqetësim shumë të madh për padrejtësitë dhe abuzimet në dhënien tyre. Prandaj dora e fuqishme e Ivanajt, për të vendosur kritere të shëndosha dhe për t’ i zbatuar ato, përbën një kapitull të rëndësishëm në reformën e tij. Masë e rëndësishme, që mund t’i vinte fre abuzimeve në ndarjen e bursave, ishte përqëndrimi i tërë bursave të studimit, që jepte shteti, vetëm në Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë, Ivanaj bëri edhe një ndarje racionale të kontingjentit të bursave, që shkollimi i lartë dhe i mesëm, t’i shërbente sa më shumë nevojave më aktuale të zhvillimit të vendit.
Tre muaj pasi erdhi në krye të Dikasterit, “Ivanaj i tmerrshëm” deklaroi se nga bursat do të përfitonin vetëm ata, që meritonin dhe që kishin nevojë për një ndihmë të tillë. Për herë të parë u fut me të vërtetë konkurrimi për ndarjen e bursave. Nga kontingjentet e bursave të brendshme, ai caktoi mbi 60% të tyre për shkollat profesionale, ku kishin përparësi shkollat pedagogjike, për t’i dhënë vendit më shumë mësues. Kjo ishte edhe një masë demokratike në rrafshin shoqëror sepse shkollat profesionale, në përgjithësi ishin të preferuara për shtresat shoqërore me mundësi të kufizuara ekonomike. Meqenëse zëri i bursave në buxhetin e Ministrisë së Arsimit ishte shumë i ngarkuar, me guxim që e karakterizonte, ai e përgjysmoi atë.
Gjysmën e atyre të ardhurave e shfrytëzoi për rrogat e mësuesve, për shtimin e numrit të shkollave dhe për nevoja të pajisjes së tyre. Natyrshëm shkurtimi solli edhe pakësimin e bursistëve. U shkurtuan 700 bursa për studente jashtë shtetit dhe për nxënës brenda vendit. Për përparimin e bursistëve sidomos për ata që studionin jashtë shtetit, Ivanaj-i ndoqi me vëmendje të veçantë, duke kërkuar raportime të rregullta, si për përparimin dhe jetesën e tyre në përgjithësi.
Ishte Ivanaj, ai që do ti priste bursën e shtetit studentit Enver Hoxha, i cili studionte në Francë, me motivimin e bazuar në fakte sepse gjatë tre vjetëve nuk kishte dhënë asnjë provim. Këtë veprim E. Hoxha nuk do tja harronte kurrë,Ministrit hijerëndë, sepse kur erdhi në pushtet, disa vite pas mbarimit të luftës, do ta burgoste idhullin e arsimtarëve e arsimdashësve shqiptar.
Si intelektual atdhetar me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë për detyrën e rëndësishme që mori përsipër, Ivanaj nuk la komponent të veprimtarisë shkollore, qoftë edhe të dorës së dytë, pa i kushtuar kujdesin e merituar. Ishte i pari Ministër Arsimi, që kërkoi nga të gjitha shkollat e vendit të dhënat statistikore për vijimin e shkollave fillore, sipas seksit dhe sipas raportit fshat-qytet. Dhe, për ta futur sadopak në rrugëzgjidhje këtë problem, ai u përpoq që të nxiste dhe të vinte në lëvizje tërë organizmat shtetërore dhe njësitë administrative të mundshme.
Reforma u sintetizua në Dekret ligjin Organik të Arsimit e u dekretua nga Mbreti me 26 shtator 1934. Sipas dekretligjit të vitit 1934, në prefektura, nënprefektura e komuna krijoheshin komisionet shkollore, që ndiqnin edhe vijimin e shkollës. Vetëm pas shkurtit 1933 kurset për analfabet që ishin hapur vite më parë, nisën të gjallërohen. Së pari, ai u bëri thirrje arsimtarëve që sipas mundësive të jepnin mësim vullnetarisht në ato kurse, katër ditë në javë, nga 2 orë në ditë. Veç për analfabetet qytetarë të lirë, Ivanaj kërkoi që ata të jepnin mësime falas edhe për analfabetet e burgosur. Autoriteti i tij bëri që kurset të jepnin shpejt përfundime të shkëlqyera. Për herë të parë në historinë e shkollës shqiptare, shërbimi shëndetësor në shkolla u fut në vitin 1933. Sigurisht që kjo çështje kishte lidhje me shumë tregues e faktorë të mirërritjes së gjithanshme në familje e shoqëri, por aq sa i erdhi për dorë si Ministër Arsimi, ai u përpoq që të paktën në shkolla të vihej nën një farë kontrolli gjendja shëndetësore e nxënësve dhe, të merrej ndonjë masë e mundshme parandalimi ose kurimi për sëmundje epidemike. Në vitin 1993 u sigurua në qytetin e Tiranës shërbimi poliklinik për nxënësit e shkollave, pranë spitalit të përgjithshëm civil, ku sipas urdhrit të prerë të Ministrit, do të kontrolloheshin të gjithë nxënësit para se të futeshin në klasën e parë të shkollës fillore.
Dorëheqja e Mirash Ivanaj-it
Edhe pse reforma të tilla në perëndim ishin bërë afër dy shekuj më parë, që në kohën e revolucioneve të borgjezisë kombëtare, mendimi dhe nisma e Mirash Ivanajt patën kundërshtarët. Reforma preku dhe alarmoi qarqet drejtuese të shkollave private dhe të huaja brenda dhe jashtë vendit. Kleri katolik në Shkodër, me përkrahësit e tij dhe përfaqësues të minoritetit grek në Gjirokastër, ju kundërvunë ashpër Reformës. Kurse kleri mysliman dhe ai ortodoks nuk bënë kurrfarë reagimi. Posaçërisht anën e shtypit dhe me tërë mjetet propagandistike, që dispononte, kleri katolik doli fuqishëm në mbrojtje të shkollave të tij, me argumente historike, për ndihmesën e meshtarëve katolikë në lëmin e arsimit shqip dhe të gjuhës shqipe. Në qytetin e Shkodrës u krijua një tension i madh dhe u bënë trazira nga grindjet, që u nxitën midis nxënësve të besimeve të ndryshme fetare. Në Shqipërinë e Poshtme, në prefekturën e Gjirokastrës; u krijua një shqetësim edhe më i madh. Autoritetet shtetërore greke, të cilave iu mbyllej porta e ndërhyrjes në Shqipëri, e paraqitën shtetëzimin e shkollave minoritare greke, si masë për të ndaluar mësimin e greqishtes në ato shkolla. Prandaj, me anën e konsullatave të tyre në Shqipëri, dhe të agjenturës së tyre dhe të disa klerikëve ortodoksë, organizuan një fushatë sistematike me propagandë shpifëse kundër shtetit shqiptar. Për ta bërë çështjen shqetësim ndërkombëtar, u vu në lëvizje shtypi grek dhe në disa qendra të Greqisë së veriut u bënë mitingje, protesta në mbrojtje të shkollave private minoritare, sikur minoriteti grek në Shqipëri persekutohej.
Qeveria italiane nuk doli hapur në mbrojtje të shkollave të saj në Shqipëri, kurse në kanale diplomatike ka një mori dokumentesh, që tregojnë fare haptas, shqetësimin e shtetit italian për shkollat e saj në Shqipëri. Qeveria italiane shfaqte shqetësim jo të vogël edhe për shkollat e klerit katolik, ku gjuha italiane, letërsia italiane dhe kultura italiane në përgjithësi, zinin vend të rëndësishëm në programet dhe praktikat e atyre shkollave. Për sa u përkiste shkollave profesionale italiane, në të vërtetë ligji nuk parashikonte mbylljen e tyre, mësuesit duhet të lidhnin një kontratë pune me Ministrinë e Arsimit dhe se ato shkolla do të vareshin këtej e tutje nga një seksion i kësaj Ministrisë. Dhe, krahas drejtorit teknik italian, do të vendosej një drejtor administrativ shqiptar. Mirëpo, shteti italian, që donte dorë të lirë, e tërhoqi shpejt personelin. Pas dy vjetësh, çështja e shkollave private, mori karakter ndërkombëtar, sepse në një anë kleri katolik, me përkrahjen e heshtur nga diplomacia italiane dhe qeveria greke në anën tjetër, iu drejtuan Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Sipas reformës, minoritetit i siguroheshin po ato të drejta, si për të tërë shtetasit shqiptare. Mbyllja e shkollave private nuk vinte në masa shtrënguese pakicën greke në Shqipëri, që të hiqte dorë nga ajo që formon thelbin e jetës së saj si etni më vete. Megjithatë, çështja kishte karakter juridik dhe Komiteti i Lidhjes ia drejtoi Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës, i cili e zgjidhi në të mirë të kërkesës greke, me 8 vota pro dhe 3 kundër. E manipuluar sipas interesash të caktuara ndërkombëtare, të cilat shkonin në dëm të Shqipërisë, Lidhja e Kombeve, plotësoi kërkesën greke për minoritetin e tyre në Shqipëri dhe nuk pyeti për çështjen e shkollimit shqip.
Qeveria shqiptare iu nënshtrua vendimit të Gjyqit Ndërkombëtar dhe shkollat private minoritare greke u rihapën. Prandaj, Ivanaj, që kishte deklaruar se nuk do të pranonte asnjë ndërhyrje në punën e tij, më 16 gusht 1935, dha dorëheqjen, me argumentin:
” Vetëm në shkollat e shtetit, pa as më të voglin cenim të të drejtave individuale ose kolektive, djelmënia jonë mund të edukohet si e tillë e të fitojë ndjesinë dhe ndërgjegjen kombëtare, moralin dhe disiplinën shtetërore.
Në kuptimin e sakrificës për atdheun e për mbretin, nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministror e të pranoj çfarëdo ndryshimi në zbatimin e nenit 207 të Statutit të Mbretënisë”.
Një tentativë e tillë radikale në fushën arsimore ishte e destinuar të dështonte sepse shteti shqiptar ishte tepër i dobët ekonomikisht, ku në mbarë botën kishte krizë dhe, i pafuqishëm politikisht sepse politika ekspansioniste italiane kishte si objektiv kryesor Ballkanin, kështu që mbreti u detyrua të kthehej në partneritetin e mëparshëm italo-shqiptar. Megjithatë, vepra e Ivanajt mbetet një ndërmarrje tepër e guximshme po të merret parasysh se u krye në vitin 1933, në një mjedis të brendshëm tepër konservator, intolerant, ndaj çdo risie dhe, nga pikëpamja ndërkombëtare kjo reformë, prekte interesat e një grupi shtetesh të mëdha e të vogla dhe të disa institucioneve fetare etj. Në dorëheqjen e tij, Ivanaj, përmbushi deri në fund një detyrë patriotike duke përfaqësuar shembullin e shtetarit model,të pa korruptuar,përparimtar i udhëhequr nga interesat kombëtare dhe jo ato vetjake. Edhe pse reforma e tij u la përgjysmë ajo kohë ndryshimesh e idealizmi në punët e Arsimit do të kujtohej e do të merrej shembull për realizimin e ndonjë projekti arsimor.
Motoja e Ministrisë së Arsimit në kohën e Mirash Ivanaj-it ishte: Asnjë favorizim, prandaj asnjë person nuk afrohej tek Ministri për ndonjë favor apo lëshim që dilte nga normat ligjore, shtetërore dhe morale personale.
Në vitin 1929 Mbreti Zog dekoroi Mirash Ivanaj-in me urdhrin “Kumandar i urdhrit të Skënderbeut” dhe saktësisht pas 74 vjetësh,në vitin 2003,Presidenti i Republikës i akordoi Prof. Dr. Mirash Ivanaj-it urdhërin “Nderi i Kombit” me motivacionin “Figurë e shquar e kombit dhe e kulturës shqiptare, reformator i madh i arsimit dhe i shkollës kombëtare shqiptare, luftëtar i papërkulur i indipendecës, lirisë dhe progresit kombëtar e shoqëror”.