“KE të rekomandojë hapjen e negociatave”-Hahn: Maqedonia progres të brendshëm, Shqipëria, shqetësim…

Aktualitet Kryesore Politikë

Komisioneri Evropian për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn shpreh besimin se Komisioni do të rekomandojë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fund të majit.

Megjithatë, edhe nëse Komisioni ndërmerr një vendim të tillë, do të jenë vendet anëtare ato që do ta thonë fjalën e fundit.

Sipas Hahn, rekomandimi do të bëhet në bazë të kritereve të rënë dakord reciprokisht nga vendet anëtare të BE.

Hahn beson se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë merituar hapjen e negociatave, të cilat u shtynë qershorin e vitit të kaluar.

“Marrëveshja historike për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe marrëveshjet e miqësisë me Bullgarinë janë sinjale për të gjithë rajonin që rezolutat e mosmarrëveshjeve të gjata janë të mundshme. (Maqedonia Veriore) ka bërë gjithashtu përparim të mirë kur është fjala për reformat e brendshme. Vendi meriton një dritë jeshile për hapjen e negociatave të pranimit sa më shpejt që të jetë e mundur – para ose pas verës”, tha Hahn.

Sa i përket Shqipërisë, Komisioneri Hahn beson se vendi meriton gjithashtu fillimin e negociatave për shkak të reformave të brendshme, veçanërisht reformës në drejtësi, por që gjithashtu duhet të trajtojë problemet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

I pyetur për Samitin e sotëm të Ballkanit Perëndimor në Berlin, Hahn tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të zhbllokohet, si dhe se të gjitha vendet anëtare të BE do të mbështesin zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Share: