“Në ligjin e shtypit mendoj unë duhet të vihet vetëm një nen i fortë: Ai që është kundër bashkimit kombëtar dënohet me 10 vjet burg”
Ka qënë një kohë kur në Parlamentin e Shqipërisë mungonte fjalori i rrugës. Ka pasur edhe asokohe debate të ashpra, përplasje të forta mes deputetëve të krahëve të kundërt, ka pasur edhe krisma në paralment, por gjuha ishte e zgjedhur. Në parlamentin e 22 viteve më parë, bëhej debat për çështje emergjence të Shqipërisë, siç ishte rendi e siguria por edhe çështja e lirisë së medias. Ishte një seancë paralmentare e shtatorit të vitit 1997, kur diskutohej per miratimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7756, date 11.10.1993 “Për shtypin”. Në këtë seancë spikasin me fjalime shumë deputetë të djathtës e të majtës, ndër ta edhe shkrimtari Dritëro Agolli, që ishte në atë kohë deputet i PS-së. Ai ka një pikëvështrim interesant për lirinë e medias dhe versionin e tij për dënimin e gazetarit me burg. Gazeta Shqiptare sjell për lexuesit pjesë të vogla të këtij debati, përqëndruar tek diskutimet e Agollit, të njohura për batutat e tij, që shpesh shkaktonin të qeshura në të dyja anët e politikës. Ja cili ishte faji i një gazetari që sipas Agollit, e çonte atë në burg.
Unë ndërhyj kot, po e shoh që u bë një gjë shumë e mirë që e hoqëm ligjin ekzistues për median, që ishte një torturë e shtypit, që gjithë gazetarët jetonin me frikë. Unë e provoj në veten time që 1577 artikuj janë shkruar kundër meje dhe nuk u kam dhënë ndonjë përgjigje dhe nuk vija nëpër gjyqe për të bërë këtë. Por, unë mendoj që, megjithëse është në Kushtetute, duhet vënë një ligj, një nen i tillë dhe ne po ta bëjmë këtë do të bëjmë shumë mirë që të themi që ai që bën propagandë kundër pjesës tjetër të Shqipërisë, Kosovës etj., dënohet me ligj, sepse ekziston një dukuri e tillë dhe duhet bërë një gjë e tillë”, shprehej Agolli në vitin 1997.BW