Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje kreut të PD-së Lulzim Basha dhe protestave të opozitës. Ai në një konferencë me gazetarët u shpreh se nuk ka shanc që qeveria të rrëzohet, derisa të jetë ai Kryeministër. Rama për herë të parë ka zbuluar mesazhin që i ka dërguar Lulzim Bashës, kur nisi aksionin opozitar të protestave.
“Një mesazh kam për mikun tim Lulzim Bashës. Ka kohë, shumë kohë më përpara. Po ta përsëris prapë, nuk je vonë akoma të kthehesh nga kjo rrugë. Për një arsyje shumë të thjeshtë, llogarinë ata që të ndjekin do ta kërkojnë ty. Por ti s’je lider, që ta tërheqësh partinë e vet nga një stacion për të qeverisur, në një stacion që të thonë aman ik. Eja të flasim për të diskutuar, por jo për të bërë pazar. Flasim dhe dialogojmë për të gjetur një zgjidhje.
Nuk ka shanc teorik, jo më praktik, që të marrësh të rrëzosh një qeveri legjitime me zgjedhje, ku ti ke qënë pjesë e qeverisë me këto forma. Synimi është që të vendoset vëndi në kushte pamundësie. Qëllimi është të shkatërrohet themeli kushtetues, procesi zgjedhor, për të konfirmuar që o ne në pushtet, o këtu vetëm qamet. Nuk do t’ja dalin, ju siguroj. Në çdo protestë ka gjithmonë dhe më pak njerëz, sepse nuk e duan dhunën dhe nuk e mbështesin djegjen e mandateve. Shumica ka qënë, është dhe do të mbetet kundër këtij grupi. Nuk rrëzohet qeveria për sa kohë unë jam këtu dhe kjo forcë politike është në qeveri.
Jeta ekonomike mbrëmë mori një goditje tjetër. Mbrëmë nuk u goditën ata që qëlluan me molotov, apo që i paguan kush e di se sa miliona lek. Mbrëmë u goditën ata që presin turistët për të ushqyer familjet e tyre. Mbrëmë u godit çdo biznes i vogël. U goditën ata që çdo mëngjes shkojnë për të hapur derën e fabrikës, serës apo dyqanit“, – tha Rama.
Konferenca live e Kryeministrit Edi Rama: