Nusrat Jahan Rafi, u lye me vajguri dhe u dogj e gjallë në shkollën e saj në Bangladesh. Krejt kjo, vetëm pse raportoi në polici se drejtoi i shkollës së saj e ngacmoi seksualisht.
Ky raportim i kushtoi me jetë vajzës 19 vjeçare nga Feni.
Siç raporton BBC, ky akt ngriti vëmendjen tek të tjerët se sa të dobëta janë në Bangladesh viktimat e ngacmimeve seksuale dhe sa pak të drejta kanë.
Ajo kishte raportuar se më 27 mars të këtij viti, drejtori e kishte thirrur në zyrën e tij dhe me të shkuar ajo, ai kishte filluar ta prekte në pjesë të ndryshme të trupit.
Në polici kishte shkuar me ndihmën e familjes së saj, ditën kur ndodhi abuzimi.
Në Bangladesh, aq më pak në qyteza të vogla siç kishte jetuar Nusrat, raportimi i ngacmimeve seksuale sjell pasoja.
Viktimat shpesh përballen me paragjykime, edhe pse ngacmimet janë në numër të konsiderueshëm.
Më 27 mars kur kishte shkuar në polici, drejtori i shkollës u arrestua, por, gjërat u përkeqësuan për Nusratin.
BBC raporton se një grup studentësh e politikanë vendas, disa prej tyre që njihnin edhe drejtorin, u mblodhën në rrugë për të kërkuar lirimin e tij. Ata fajësonin Nusratin.
Familja thotë se shqetësoheshin për sigurinë e saj dhe disa ditë nuk shkoi në shkollë.
Por më 6 prill, ditën kur vendosi t’i kthehej prapë shkollës, ndodhi më e keqja.
Me të mbërritur në klasë, dikush dyshohet se e thirri Nysretin në katin më të lartë të shkollës, atje ku po e priste vdekja.
Disa persona, që tashmë janë arrestuar, të veshur me burka, e kishin rrethuar dhe i kishin kërkuar ta tërheqë çështjen e raportuar kundër drejtorit.
Ajo, me fjalë, kishte refuzuar dhe ishte vetëmbrojtur, por grupi i hodhi në trup vajguri dhe i vunë flakën.
Shefi i Policisë për Hetime, Banaj Kumar Majumder, thotë se vrasësit e kishin planifikuar që kjo vrasje të dukej si vetëvrasje, por qe e kotë, pasi dikush kishte raportuar më herët për rastin dhe vajza, e cila thuajse ishte djegur e tëra, u shpëtua për pak minuta.
Ajo arriti të japë një deklaratë të shkurtër pak minuta para vdekjes tragjike.
Në spital, kishte mbërritur me 80% të trupit të saj të djegur.
Në pamundësi për t’u trajtuar aty, u dërgua në Dhaka, por në ambulancë ajo kishte ndërruar jetë, pasi s’arriti t’u mbijetojë plagëve.
BBC në Bangladesh raporton se pas vdekjes së saj mijëra njerëz u mblodhën në qytetin Feni për funeral.
Deri tani, 15 persona janë arrestuar. 7 prej tyre dyshohet t’i kenë vënë flakën. Mes tyre. studentë që mbështetnin drejtorin. Drejtori ndërkohë vazhdon të mbetet në paraburgim.
Kryeministri Sheik Hasina ka takuar familjarët e viktimës dhe u ka premtuar mbështetje në çdo aspekt.
Gjithashtu, ai ka kërkuar nga viktimat e dhunës seksuale t’i raportojnë padrejtësitë, sepse çdo ngacmues do të ndëshkohet.
Një numër i madh i qytetarëve, kryesisht gra, protestuan në Bangladesh me ditë të tëra, duke kërkuar drejtësi për viktimat.(TemA)