Vjedhin banesën e emigrantit, autorët marrin 5 mijë euro. Ku ishin fshehur paratë

Aktualitet Kronikë Kryesore

Hajdutët “kthejnë përmbys” shtëpinë në Krujë, duke vjedhur orenditë, materiale ndërtimi dhe pesë mijë euro.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në fshatin Nikël të Krujës, në banesën e familjes Elezi, e cila nuk ishte prezente në momentin që autorët “bastisën” shtëpinë. Familja Elezi ndodhet në emigracion, në Greqi, ndërsa kryefamiljari Besnik Elezi një javë më parë mësohet se kishte sjellë nga vendi fqinj materiale të ndryshme, që do t’i shërbenin për përfundimin e banesës.

Ka qenë vetë Besnik Elezi, i cili kishte konstatuar vjedhjen në orët e vona të ditës së diel, ndërkohë që ishte kthyer nga Greqia për të kryer disa punime në banesën e tij. Ai ka lajmëruar Policinë, duke e vënë në dijeni për ngjarjen. Blutë nisën hetimet duke mbajtur një procesverbal për dëmet e shkaktuara nga autorët, ndërsa të afërm të Elezit thonë se përpos orendive shtëpiake, veglave të ndërtimit dhe materialeve janë vjedhur edhe pesë mijë euro, të cilat Besniku i mbante të fshehura në këllëfin e një jastëku.

Daja i Besnik Elezit, Zeqir Bardhi, thotë se dyshimet janë te njerëzit e afërt që kanë ditur lëvizjet. Sipas dajës, Besnik Elezi, emigrant në Greqi, para një jave kishte sjellë materialet dhe më pas ishte larguar sërish për në vendin fqinj, ndërsa ishte mbrëmjen e së shtunës ku konstatoi vjedhjen.

Zeqir Bardhi thotë se hajdutët kanë shqyer jastëkët dhe kanë gjetur shumën prej 5 mijë eurosh, të cilat i kanë marrë dhe janë larguar bashkë me materialet e ndërtimit dhe dyshekun e krevatit. “Kanë marrë çfarë kanë dashur, materiale dhe pajisje për ndërtim. Kanë marrë çfarë u ka pëlqyer, mbi një milion lekë bënte vetëm gjeneratori. Hoqën të gjitha pajisjet dhe i çmontuan, morën edhe frigoriferin.

Madje kanë marrë edhe dyshekun e krevatit, pasi mendonin se ka lekë. Porta kryesore nuk është hapur fare, prenë telat dhe më pas i lidhën prapë. Vjedhjen e konstatoi Besniku në orën 12:00 të natës, kur erdhi nga Greqia. Kur pa portën e shtëpisë të thyer, lajmëroi Policinë. Ata (autorët) kanë punuar me qetësinë më të madhe. Dyshoj se ka ndërhyrje të afërt, mund të ketë persona që e kanë njohur shumë mirë gjendjen këtu dhe punuan me qetësinë më të madhe.

Nipi i solli materialet nga Greqia”, tha daja i pronarit të banesës. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Policia thotë se në banesën e familjes Elezi janë vjedhur orendi dhe vegla pune, ndërsa thekson se nuk bëhet fjalë për vjedhje parash.

Share: