“Burracaku”- përditshmëri shqiptare nga fabulisti Feri Lamaj

Kulturë Libri

Nepotizëm

Është parë s’është parë
Vunë ministër një gomar

Gjindja tha: Goxha ministër
Me samar e me kapistër

Ç’iu qep mezi, ç’iu qep kali…
Eh, gomar, c’të polli halli!

Dhe kërrici prêt një qoshe
Tok me pelën kuqaloshe…

Por një cep kërkon dhe mushka
Ndryshe zemërohet krushka

Në katund plasi debati:
More, s’ngeli soj veshgjati!

Flet me plak i muhabetit:
Le t’i rrojne, me nder qytetit!

Se katundi pa gjë s’ngeli
Boll janë: lopa, qeni, gjeli…

 

Mulliri

Njëqind vjeç i mbushi Plaku.
Teksa ngrohej te oxhaku,
po ankohet nga stomaku:
– Prej dy orësh nuk jam mirë,
ndiej urth edhe thartirë…

Plaka nuk e humb toruan:
– Ke një shekull, që veç bluan
drithë bash nga më i miri,
të të rrojë stomak “mulliri”!
Eh, ç’mulli, që prej qëmoti,
qysh kur rronte Don Kishoti…

 

Peshku shpatë

Ç’i tha Macja: – O i ngratë,
tash që të lëpij në pjatë,
mu në grykë më ngeci fjala:
s’shoh kund shpatë, po veç hala…

Peshku çekiç

Diç e kilikos nga poshtë!
Doemos, është Peshku gozhdë..

 

Burracaku

Gjeli flet me një Rosak:
– Nuk je burrë, po burracak;
Rosa “mak, mak” dhe ti “mak, mak”!
Ja, kjo është burrëri:
Pula “ka, ka, ka”, por unë “ki, ki, ki”…

 

Mustaqet

Një ditë vere, mu te vau,
një Maçoku i pall Kau:
– Të betohem, më kënaqe,
të ka vënë Macja mustaqe!

Ia ngul Maçi mirë e mirë:
– Janë mustaqe, s’jane brirë…

 

Miku

Një mesditë një mesoburrë,
që s’e pata njohur kurrë,
më ndaloi me nxitim:
– Tungjatjeta, miku im!
Ku ke humbur këto kohë?
Mos më thuaj “Nuk të njoh!”
S’ia fus kot, s’jam me sklerozë;
fotot tona u bënë bozë.
S’është rrenë apo truk,
jemi miq në …facebook.

Celulari me dy karta

Dhelpra zuri post të ri,
Drejtoreshë në Qeveri.
Celularin, dale, dale,
me dy karta personale.

Bëri provën shpejt e shpejt,
tak i ra numrit të vet;
thirrja zgjatej pa hesap:
– A t’ia hap a mos t’ia hap!

 

Drejtësia

Shkundi brirët Dash përçori:
– Drejtësinë dreqi e mori,
se Majmuni, prokurori,
ju betohem, paça Krishtin,
për çdo çështje “ngjyen gishtin”…

– Po gjyqtarja, zonja Dhelpër, –
tej, në pllajë pall Pulishti, –
për çdo firmë që zhgrap në letër,
“ngjyer feçka gjer te bishti”…

Share: