Skandal: libri “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës” i Nexhat Dacit, me rreth 800 faqe nga gazetat e përditshme!

Kritikë Letrare Kulturë

Nga Sali BYTYÇI

Koha jonë është kohë e skandaleve të pafund, po edhe kohë e mosreagimit të vendosur të opinionit publik ndaj tyre.

Në kohën kur Kosova po zbrazet nga njerëzit e saj, dikush i punëson brenda disa muajve katër fëmijët e vet në PTK, tjetri punëson djalin e dajës, i treti e punëson pak pa dalë në pension vjehrrin (prapë në PTK), i katërti, pasi e ka punësuar baxhanakeshën në PTK menjëherë pas luftës, tani ia punëson edhe djalin e baxhakeshës në PTK, ndërsa kryetari i të ashtuquajturës Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës mbledh shkrime gazetash e mediesh elektronike, për të botuar kështu një libër voluminoz, në ballinën e të cilit e vë portretin e vet!

Pas botimit skandaloz të Fjalorit Enciklopedik, për të cilin nga buxheti i Kosovës i shpenzoi rreth gjysmë milioni euro, skandalet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës vazhdojnë edhe më tej. Një skandal i radhës i saj është botimi i librit të Nexhat Dacit, tani kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, Prishtinë 2018.

Ky skandal i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nuk është as i pari, as i fundit.

Në krye të librit ka një dedikim, i cili do të ishte mirë të citohej në tërësi, por unë po citoj vetëm disa rreshta. Pas falënderimeve për bashkëshorten, bijat dhe djalin, Nexhat Daci tregon për vështirësitë që ka hasur si kryeparlamentar, me ç’rast e veçon bashkëshorten e vet: “E tërë barra e pritjes dhe e përcjelljes së burrështetasve si dhe e delegacioneve të ndryshme nga e gjithë Bota, i ra bashkëshortes sime, e cila me dinjitet dhe krenari kryente shërbime të këshilltares dhe të asistentes. Kushtet e jetës ishin tejet të vështira pas luftës, pa energji elektrike, pa të ardhura, pa orendi në shtëpi…”.  Pastaj familjes: “I falënderohem nga zemra Familjes për përkrahje dhe shumë durim, për periudhën e montazheve dhe të thashethemeve në vitin 2006, e tutje, kur pata presione të ndryshme, pa pasur mundësi të tregoja të vërtetën”.

Pra, atëherë nuk kishte mundësi të tregonte të vërtetën për “montazhet”, dhe tani i erdhi koha e së vërtetës, po si e tregon këtë të vërtetë dhe me çfarë argumente, do të shihet kur t’ia hedhim një sy sipërfaqësor këtij libri.

Çfarë niveli akademik është kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mund të kuptohet edhe nga vetë fakti më i thjeshtë, tek një fjalë: “i falënderohem”! Njeriu i falënderohet vetes, ndërsa e falënderon tjetrin, por Daci nuk e bën dallimin e kësaj, edhe pse pretendon të bëjë shkencë të lartë dhe politikë të lartë, ndërkaq çështjen e “energjisë elektrike”, për agregatet e Kuvendit që i ka dërguar në shtëpi, nuk e di si e sqaron!

Në intervistën dhënë Burim Etemajt dhe Bajram Lanit (Epoka e re), viti 2006, në pyetjen e gazetës, a është arrogant, Nexhat Dacit përgjigjet: “Unë mendoj se jam mjaft arrogant. Nuk them tepër por bile do të duhej të isha edhe pak më arrogant”. (f. 874).

A nuk është arrogancë e llojit të vet vënia e fotografisë  personale në kopertinë të librit për kinse lindjen e vështirë të shtetësisë së Kosovës?! Po mbledhja e shkrimeve të të tjerëve në libër autorial, a nuk është edhe kjo një arrogancë sui generis?!

Recensentë të librit janë Arsim Bajrami dhe Xhyljeta Mushkolaj. A e kanë parë përmbajtjen e këtij libri këta “recensentë” a jo, kjo çështje mbetet e hapur: më parë jo se po.

Libri ka gjithsej 1078 faqe.

 

Libri i Nexhat Dacit – hajni e dyfishtë

Libri i Nexhat Dacit, “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, nuk ka ndonjë strukturë, përveçse nëse do të merret strukturim radhitja e shkrimeve sipas viteve: 2000, 2001, 2002 e deri më 2006.

Ky libër, në të cilin autori pretendon të tregojë për lindjen e vështirë të shtetësisë së Kosovës, në kopertinë ka portretin e autorit, i cili në fakt nuk është autor, po përmbledhësh shkrimesh të gazetave dhe të opinioneve, një libër që ka një parathënie njëfaqëshe e që nuk ka përfundim; një libër që titullin e ka në gjuhën angleze, por që nuk ka rezyme as në shqip as në anglisht!

Pjesa e parë, menjëherë pas Parathënies, fillon me një tekst autorial, por që lexuesi kurrë nuk e kupton kujt i drejtohet apo ku është i publikuar, apo kujt ia thotë dërguesi i këtij mesazhi, pra dihet dërguesi i mesazhit, po nuk dihet marrësi. Pastaj vazhdon me tekstin “Zgjedhjet e para lokale në Kosovën e çliruar – (2000)”, ku në dy faqe tekst, sjell kujtime nga ato zgjedhje. Shkrimi i tretë, dy faqe e gjysmë, për zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë, në vjeshtë të vitit 2000. Shkrimi i katërt, 5 faqe, për betejën politike me mjetet demokratike për zgjedhjen e presidentit etj.

Nga faqja 27 deri në faqen 72, kujtime nga zgjedhjet e para lokale në Kosovë më 2000 e deri te Kuvendi i karrigeve në dhjetor te vitit 2006, janë shkrime kujtuese dhe opinione për “lindjen e vështirë” të shtetësisë së Kosovës. Ndonëse shkrimi i parë i këtij libri dihet kush e ka shkruar, por nuk dihet kujt i drejtohet, në këtë pjesë ka mjaft tekste të cilat nuk dihet kush i ka shkruar, janë komunikata partiake apo çfarë janë! P.sh. tekstin e fundit, “Koha pas Kuvendit VI të LDK-së”, i cili fillon kështu: “Ditët që pasuan pas Kuvendit VI të LDK-së kalonin në bashkëbisedim me përkrahësit e Dacit” (f.72); në shkrimin para tij, “Kuvendi VI i LDK-së”, paragrafi i tretë fillon kështu: “Në Kryesinë e punës së Kuvendit ishte edhe kandidati pro Daci z. Lulzim Zeneli” (71). Kush flet këtu? Narratori i fshehtë. Në këtë tekst, në paragrafin në vazhdim shkruan: “Qarkullonin të thëna edhe nga qarqe të mirinformuara se në një Bankë (bankë me shkronjë të madhe – vër.ime, S.B.) të Prizrenit 2 net para mbajtjes së Kuvendit janë tërhequr 200.000 E dhe me to janë paguar delegatët e dy Degëve të LDK-së, asaj të Gjakovës dhe të Mitrovicës” (71); dhe menjëherë pas këtyre të thënave: “nga qarqe të mirinformuara”, shtohet: “Këto perceptime u vërtetuan edhe gjatë numërimit të votave që mori secili kandidat për Kryetar të LDK-së. Në këto zgjedhje fitoi z. Sejdiu, president i vendit i cili pati 14 vota delegatësh më shumë se Daci, Rezultati ishte 53% të votave kishte Sejdiu dhe 47%” (71).

Në të gjitha këto raste nuk dihet kush flet.

Pjesa e dytë, që emërtohet “Viti 2001”, (ff. 75-103), 8 shkrime.

Pjesa e parë fillon pas Parathënies, pa ndonjë emërtim të veçantë, ndërsa pjesa e dytë, emërtohet “Viti 2001”.

Kjo pjesë fillon me tekstin “Vazhdon përkrahja e BE-së për institucionet e reja në Kosovë”. Teksti ka pak më shumë se një faqe, në fund të tij shkruan “Dhjetor 2001”, po nga leximi i këtij teksti nuk kuptojmë a është kujtim, a është pjesë e ditarit, a është pjesë e ndonjë interviste, a është fjalim në Kuvend, apo kujt i drejtohet ky shkrim. Shkëputim një fragment nga ky shkrim: “Aktualisht dokumentacioni ruhet në mënyrë manuale, në formë të letrës. Së treti, menaxhimi ekzistues i dokumenteve e pamundëson përhapjen e informatave. Nevojitet një sistem, me të cilin opinioni mund të marrë informata më lehtë, apo të shtrojë pyetje mbi punën e Kuvendit” (f. 76).

Lexuesit i mbetet të vendosë për llojin e këtij teksti.

Teksti i dytë, “Ka shumëçka që na bashkon”, 5 faqe, është një intervistë për gazetën “Rilindja”. Pas këtij teksti, shkrimet tjera janë shkrime të gazetave: një shkrim i Bardhyl Ajetit, i botuar në botën sot, 19. 12. 2001; në vazhdim një tekst i Nita Lleshit, për gazetën “Koha ditore”, i Idriz Morinës (“Bota sot”), shkrim i Zijadin Gashit, po pa emër të gazetës ku është botuar, një shkrim i Lundrim Aliu (Koha ditore).

Kjo pjesë përfundon me një shkrim të Edona Abdullahut, për gazetën “Rilindja”.

 

 “Viti 2002” (ff. 105-275), 49 tekste.

Në këtë pjesë që ka 170 faqe, janë 10 intervista të Dacit: 1. intervistë në gazetën apo revistën  “Ura” (4 faqe gjysmë), Lundrim Aliu (Koha ditore); 2. intervistë dhënë Botës sot”, Idriz Morina dhe Besnik Kada (Bota sot); 3. intervistë gazetës “24 orë”; 3. intervistë gazetës “24 orë”; 4. intervistë Zijadin Gashi (Zëri); 5. intervistë Arlinda Deskut (Java); 6. intervistë Nexhat Hazirit (Kosova sot); 7. intervistë, nuk shënon as kujt ia ka dhnë, as për cilin medium; 8. intervistë dhënë gazetës “Newsletter”; 9. intervistë Idriz Morinës (Bota sot); 10. intervistë e gjatë për gazetën “Rilindja”. Të tjerat janë shkrime autoriale të gazetarëve të ndryshëm, po ka mjaft edhe komente, editoriale dhe shkrimë t ndryshme të botuara në gazeta pa emër të autorëve të tyre.

Në këtë pjesë i shfrytëzon edhe të vdekurit, siç është me Teki Dërvishin!

Po në këtë pjesë është edhe një shkrimi i Ramush Tahirit, ish-këshilltar i Dacit, në 5 faqe, “Kosova dhe fati i saj”, po në të cilin nuk përmendet emri i Dacit askund.

 

Viti 2003

Në këtë pjesë janë 6 intervista të Dacit, shkrimet tjera janë nga autorë dhe mediume të ndryshme.

  1. Hapet me një shkrim të Dacit për vitin e ri 2003 (Rilindja); 2. intervistë me Dacin (Ekskluzive VIP), 3. intervistë Gazmend Sylës (Koha ditore), 4. intervistë dhënë Sven Lindholm dhe Franklin De Vrieze (ASI newleter), 5. intervistë Kosovës sot, Ylli Kaloshi (Zëri) 6. intervistë dhënë Esat Ahmetit për Deutsche Welle

 

Viti 2004

Edhe në këtë pjesë janë 6 intervista të Dacit, të tjerat si zakonisht janë shkrime të gazetarëve të ndryshe, po edhe mjaft shkrime të gazetave dhe medieve të ndryshme, po të botuara pa emër të autorëve.

Intervistë dhënë Idriz Morinës (Pavarësia), 2. intervistë tjetër dhënë Idriz Morinës (Pavarësia), 3. intervistë dhënë F. Musës (Bota sot), 4. intervistë Bajrush Morinës (Bota sot), intervistë Bajrush Morinës (Bota sot), 5. intervistë gazetës “Zëri”, në 9 pjesë, 6. intervistë dhënë Arlind Deskut e Bul Salihut (Java).

Ka gazetarë që kanë më shumë se 6-7 shkrime në një vit për Dacin apo rreth Dacit,

 

Viti 2005

Në këtë pjesë ka gjithsej 3 intervista, dy shkrime drejtuar gjykatës së Hagës, tri fjalime etj., të tjerët janë shkrime të gazetarëve apo të mediumeve të ndryshme.

1.një intervistë dhënë Zijadin Gashit (Zëri), 2. intervistë dhënë Leonard Kerqukut (Lajm), 3. intervistë dhënë RTK-së.

Pastaj një shkrim i Dacit për Gjykatën e Hagës, letër e Dacit anglisht presidentit të Gjykatës së Hagës, Theodor Meron, fjalim mortor për Enver Haradinajn, fjalim përkujtimor me rastin e vrasjes së Fehmi Aganit, letër Dacit në anglisht nga H. G. Ulrich, fjala e Dacit në Seancë solemne të Kuvendit, letër e Medlin Ollbrajt Dacit (anglisht), fjala e Dacit me rastin e lumturimit të Nënës Tereze, letër e Dacit Medlin Ollbrajt,

Shkrime nga media të ndryshme, letra që ka marrë nga personalitete të ndryshme, komunikata të Kuvendit etj.

Viti 2006

Në këtë pjesë janë 10 intervista të Dacit.

1.intervistë e Dacit dhënë Burim Etemajt dhe Bajram Lanit (Epoka e re), 2. intervistë Gani Tërshnjakut (Bota sot) në dy vazhdime, 3. intervistë dhënë Zijadin Gashit (Zëri), 4 ), intervistë e Dacit dhënë Deutsche Velles (Epoka e re), 5. intervistë Arben Atashit (Epoka e re), 6. 7. intervistë Bajrush Morinës (Bota sot), 8. intervistë dhënë Halil Ajdinit (Fakti), 9. intervistë Petrit Musollit e Vedat Vllasaliut (Java), 10. intervistë e Lulzim Zenelit dhënë Rugova.Net.

Në këtë pjesë është edhe një intervistë e Gani Gecit dhënë Idriz Morinës (Bota sot) dhe një intervistë e Hysen Gërvallës dhënë Bajrush Morinës (Bota sot).

Në fjalë mortore e Dacit për presidentin Ibrahim Rugova.

Nga viti 2002 deri te viti 2006, janë 39 intervista, të tjerat janë shkrime të gazetarëve të ndryshëm, të botuara në shtypin e përditshëm ose komente të radios e televizionit!

 

Përfundim

Në librin e  Nexhat Dacit, “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, janë përmbledhur shkrime në të cilat pasqyrohet veprimtaria e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, po edhe e Kuvendit të Kosovës në përgjithësi. Në të janë përmbledhur shkrime të gazetave për Dacin, po edhe shkrime në të cilat, në mes të tjerëve, përmendet edhe Daci.

Intervistat e tij, në aq pjesë që janë dhënë në gazeta, në aq pjesë janë dhënë edhe në libër, me tituj, mbitituj e nëntituj.

Libri përbëhet nga editoriale, letra urimi, letra drejtuar personaliteteve të ndryshme, fjalime mortore, letra të marra nga personalitete të ndryshme, intervista të të tjerëve, si Gani Geci, Hysen Gërvalla, Lulzim Zeneli etj., ku përmendet Daci etj.

Libri ka 1008 faqe tekste, 35 faqe album me foto kolor, 25 faqe indeksi i emrave, 14 faqe bibliografi e Dacit,

Në sy të parë, libri i Nexhat Dacit “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës” të krijon iluzionin se është një studim për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për pengesat që ka hasur ky proces mjaft i vështirë. Këtë iluzion ta shtojnë edhe emrat e recensuesve, Arsim Bajrami e Xhyljeta Mushkolajt, të cilët janë ekspertë të fushës së jurisprudencës, por kur e shfleton dhe sheh çfarë përmban, iluzionet që ka shkencë aty, shuhen.

Fundi fundit, një akademik, pa marrë parasysh fushën për të cilën ka arritur gradën që mban, mund të shkruajë një libër politik apo edhe artistik, në të cilin në mënyrë shkencore apo artistike ndriçon temën për të cilën është përcaktuar të shkruajë, po çfarë shkence apo arti ka në librin e Nexhat Dacit për lindjen e vështirë të shtetësisë së Kosovës?

Po Nexhat Daci është shembulli më i keq në Kosovës se si një shef administrativ (kryetar i Akademisë), keqpërdor vartësit e tij, Arsim Bajrami e Xhyljeta Mushkolaj, për t’i bërë pjesë të një keqpërdorimi, siç është përmbledhja e shkrimeve të gazetave për t’i botuar pastaj si botim akademik, kinse shkencor, për përfitime personale.

Nga një shikim sipërfaqësor, shihet se më shumë se 80% e librit të Nexhat Dacit, “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, përbëhet nga shkrime të marra nga gazeta të ndryshme, pra nga prona e tjetrit, dhe kjo përbën përvetësim të pronës së huaj; për këtë pronë të huaj autori, përveç përfitimit të pamerituar të meritave të huaja, ai edhe nga buxheti i Kosovës ka përfituar honorar akademik, që përbën vjedhjen e tij të dytë!

Në këtë libër, të botuar në emrin e tij personal, pa fijen e etikes, Nexhat Daci ka përvetësuar mundin e disa dhjetëra gazetarëve e gazetareve, ai ka përvetësuar mundin e shumë medieve, të shkruara dhe elektronike, pastaj për këtë përvetësim të pronës së huaj nga buxheti i Republikës së Kosovës ka përvetësuar edhe mjete të konsiderueshme materiale. Me këtë rast ka bërë dy vepra penale, për të cilat, çdo ligj i një shteti ligjor do ta dënonte.

Asnjë institucion në Kosovë nuk mund të matet me skandalet që bën Akademia e Kosovës si institucioni më i lartë; bile lartësia e skandaleve të saj është shumë më e lartë se lartësia akademike që ka kjo akademi në Kosovë!

Botimi luksoz, me kopertina të forta dhe me mbështjellës (në të dyja me portretin e “autorit”), na i kujton botime e librave me “fjalime dhe artikuj” të udhëheqësve komunistë, të Titos, Enverit etj., përmes të të cilave edhe krijohej kulti i Udhëheqësit komunist, por në asnjë libër të këtyre udhëheqësve ideologjikë nuk janë botuar shkrime gazetash për ta, siç ndodh në librin e Dacit, po edhe librat e tyre nuk i ka botuar Akademia e Shkencave!

Dhe krejt në fund: Sa para ka përfituar si honorar Nexhat Daci për këtë libër që kryesisht përbëhet nga shkrime të gazetave?! Sa para janë dhënë për ata që i kanë mbledhur shkrimet nga gazetat, për radhitësit e shtypit, për recensentët, për redaksinë, pastaj për botimin e këtij vëllimi voluminoz dhe me letër cilësore?

Këto duhet ndriçuar dhe autori i vërtetë i këtij botimi skandaloz duhet të japë llogari!

 

 

 

Share: