Nga prof. as. dr. KOLE TAHIRI
Çfarë mund të kujtosh më parë për një figurë të tillë me «stofin» dhe përmasat e akademikut ?
Profesor Bedri Dedja, është i mirënjohur në mbare trojet shqiptare si shkrimtar, studjues e drejtues i arsimit dhe shkollës..
Në këto shënime do të ndalem në ndonjë moment të njohjes sonë dhe në disa «grimca », disi te veçanta nga «sofra» e tij shkencore, të cilat, mendoj se flasin sadopak për personalitetin rrezatues dhe meritat e tij në shërbim të arsimit dhe shkollës shqipe.
Rastësia ka vëndin e vet në jetën e njeriut… !.
Rastësi befasuese. 1958.
Në hollin e Institutit « Lenin » të Moskës, një grup i vogël studentësh takohet me të riun simpatik e ëndërimtar, të ardhur nga Tirana. Ai vëzhgonte me nostalagji ambjentet e institutit ku kishte mbaruar fakultetin e pedagogji-psikologjisë në vitin 1953, fakultet të cilin vazhdonim edhe ne. U takua me profesorin e tij të letërsise për fëmije, prej të cilit kishte mbresa të pashlyera. Më vonë mësuam se Bedri Dedja kishte mbaruar edhe degën e letërsise për fëmijë, si diplomë të dytë. Që në atë takim më lindi ideja se ky djalosh thatanik, me flokë kaçurrela, i talentuar, modest dhe energjik, me emrin Bedri do te shkonte larg, parashikim të cilin e vërtetoi koha.
Rastesia e dyte. Peshkopi, 1962.
Kryeredaktori i parë i gazetës «Mësuesi» (Bedri Dedja), si «gjeolog» i palodhur vinte në kërkim të «xeheve» midis armatës së mësuesve e kuadrove të arsimit, duke shkelur deri në zonat më të thella. Aty na u krijua mundësia të kalonim së bashku disa mbasdite e mbremje me të. Atë kohë, unë jepja mësim në shkollën pedagogjike të atij rrethi…
…Në vitin 1964 mora një shkresë nga Ministria e Arsimit, në të cilën më kërkohej që të kryeja një studim pedagogjik. Një detyrë e tillë u ishte ngarkuar edhe specilalistëve të tjerë që shërbenin në rrethe të ndryshme të vendit. Pra, u bë e qartë se kryeredaktori i gazetës “Mësuesi“ i dëgjonte mendimet e mësuesve që vinin nga rrethet e tjera të Shqipërisë dhe se fjala e tij kishte autoritet në ministri.
Pas disa javësh pune në Ministrinë e Arsimit, më dërgojnë në Institutin e Studimeve Pedagogjike, që sapo ishte krijuar. Bedri Dedja kishte qënë ideatori dhe nismëtari për krijimin e tij. U paraqita tek drejtori dhe pas prezantimit me të iu bashkangjita sektorit të pedagogjisë. Aty gjeta edhe mësuesen e talentuar dhe erudite, zonjën Fatbardha Gega, të cilën e njihja edhe më parë. Drejtor Bedriu e kishte tërhequr atë në këtë institut, me qëllim që ajo ta pergjithësonte përvojën e saj të pasur si mjeshtre e mësimdhënies së lëndës së psikologjisë dhe si model i përkryer për mësueset e ardhshme, të cilat do të mbaronin shkollën pedagogjike të Tiranës.
Kam dëshirë të kujtoj pjesëmarrjen e Tij në sesionet shkencore të rretheve të largeta veriore të Shqipërisë si Kolesian, Kukës, Bajram Curr, Mat, etj., pa përmendur ato të zonave e rretheve të tjera ; te sjell në mëndje stafin e parë e të sukseshëm të bashkëpunëtorëve shkencorë të ISP, të perzgjedhur me aq kujdes nga Ai. Të kujtoj me dhimbje e konsideratë ish bashkëpunëtorët e ngushtë, të cilët nuk janë më midis nesh, si « Mësuesen e Popoullit » Fatbardha Gega, Selaudin Carçanin, njërin nga psikologët e talentuar të lëne krejtësisht në harresë, mësuesin e talentuar të fizikës dhe metodistin e punës prodhuese Pëllumb Gjebrean, pa përmendur të tjerët që sot janë në pension. Ata i kujtoj me dhimbje në shpirt e konsideratë nga Brukseli i largët.
I nderuari Bedri ! Besoj se nuk i keni harruar as ata bashkëpunëtorë të zgjedhur prej Jush, ish drejtues të kabineteve pedagogjike të rretheve, si p. sh., I. Dizdari e F. Luli nga Shkodra, Gj. Simoni e C. Dizdari nga Lezha, A. Kuka nga Burreli, Abdyl Paralloi nga Elbasani, Kristaq Shtëmbari nga Fieri e deri tek V. Terpo nga Gjirokastra; të kujtojmë drejtorët e shkollave eksperimentale, si p.sh. të përkushtuarin e mirënjohur Mark Vuji (Lezhe) «Mesues i Popullit», të shkathtin A.Hoxha (Durres) etj. etj.
«Gjeologu» që kërkonte potenciale intelektuale dhe aftësi letrare e gazetareske.
I respektuari Bedri ! Këtu, larg Shqipërise ku jetoj sot, kujtoj me nderim këmbënguljen Tuaj për të parë në vënd e për të verifikuar të dhënat, për t’u njohur direkt me mësues të përkushtuar, të zotët por të lënë në harresë e mbi këtë njohje, për të ngritur probleme shoqërore, etj. Po sjell vetëm ndonjë shëmbull, sepse raste të kësaj natyre kanë ndodhur me letrarët e rinj, me gazetarët e shtypit pedagogjik etj. Me të drejtë, asokohe e pate konsideruar vehten «gjeolog» që kërkon «fragmente jetësh», energjish potenciale mendore që dremisnin në gjirin e mësuesve, talente të reja, etj.
Nuk mund t’i harroj udhëtimet Tuaja të largëta e të mundimshme deri ne Sllovën e largët të Dibrës për t’u njohur me mësuesin artist, gjuhëtarin e aftë N. Plaku, përkrahjen e dhënë studjuesve të talentuar si M. Quku (Shkoder), Mark Vuji (Lezhë), A. Kadiu (Dibër), etj. etj.
I tillë ka qënë udhëtimi Juaj në këmbë në malet e egra shkëmbore të Xibrit (Mat), për të nxjerrë në dritë figurën e ndritur të mësuesit Isa Bajraktari, djaloshit nga Babina e Tropojës që dha jetën në krye të detyrës në ato male, në vitin 1947. Ne ato vite të largëta (1972) pat’ bërë jehonë preludi Juaj letrar «Monolog me Malet», kushtuar mësues Isës. Në sajë të hulumtimeve Tuaja, këmbënguljes e argumenteve bindese që dhatë atëhere, Isa Bajraktarit iu dha titulli «Mesues i Merituar» dhe shkollës së atij fshati, emri i tij.
I paharruar ka mbetur rasti i vogëlushit nga Dukagjini i thellë (Shkodër), me aftësi të jashtëzakonshme llogaritëse, të cilin e sollët në Tiranë, i bëtë testimin psikologjik, shkruat për të një artikull shkencor në revistën «Arsimi Popullor» dhe ndërmjetesuat për t’i caktuar një mësues me normë të reduktuar për t’u marrë me të. Ka qënë diçka e spikatur.
Meritë të veçantë përbën «zbulimi» dhe nxitja nga Ju (mbase për herë të parë) si dhe përkrahja që u dhatë gazetarëve të rinj të gazetës « Mësuesi » që drejtonit, si : Bekim Çomo nga Elbasani, i ndjeri Sabah Sinani nga Puka, Gj. Kola nga Lushnja, V. Hunçi nga Korça, Haki Zllami, drejtori Zogaj nga Bajram Curri, etj. etj.
Ju profesor Bedri Dedja, si rrallëkush më parë, nxisnit me dashamirësi mësuesit veteranë e pensionistë për të transmetuar pervojën dhe kujtimet e tyre te vyera nëpër artikuj apo libra të veçantë. Kujtoj sot mes tyre K. Kocin «Mesues i Popullit», Kolë Xhumarin, Sofokli Papariston, Zenel Hekalin, Halim Shpuzën, etj.
Krijuesit e rinj me aftësi letrare përbejnë një kapitull të veçantë, me të cilët Ju themeluat dhe ngritët në këmbë letërsinë tonë artistike për fëmijë.
I dashur Bedri ! A mund të numërohen diplomat e kursantëve pasuniversitarë dhe disertacionet që keni udhëhequr, reçensionuar, apo thjesht studjuar shoqërisht, për të ndihmuar studjuesit e ardhshem? E pra, të gjitha këto të kanë marrë kohën e shtrejtë dhe energjitë fizike e mendore.
Frojdi i madh, diku nënvizonte se « … ia vlen për të sakrifikuar, qoftë edhe tërë jetën, për të ndihmuar e bërë të lumtur, qoftë edhe një njeri të vetëm». Por sa jetë të tilla njerëzish, të cilët i «zgjuat», i nxitët, i frymëzuat dhe u hapët shtigje e perspektiva të reja apo që u dhatë ndoshta drejtim të ri në jetë, qëndrojne mbi shpatullat tuaja ? Ata janë të shumtë dhe me kontribute të mira në fushën e arsimit dhe shkencave pedagogjike e psikologjike.
Por sa është edhe numri i atyre mësuesve e kuadrove të arsimit, të cilët ju kanë patur pedagog, ata qe kanë ndjekur fjalimet, referatet, kumtesat e mbajtura, ata që kanë lexuar shkrimet dhe librat tuaj kushtuar psikologjisë dhe pedagogjisë ? Pra, një armatë e tërë njerëzish që për një kohë afër gjysmëshekullore janë përgatitur e kualifikuar si mësues, si edukatorë, si specialistë të pedagogjisë e psikologjisë, si kuadro drejtues nga vetë Ju dhe librat tuaj. Pra, ndihmesa juaj është evidente.
E bëra këtë listë, jo te vogël emrash dhe detyrash për disa arsye:
1. Per mua, një nga çështjet më kryesore ka të bejë me «gjeografinë» krahinore të atyre që janë «zbuluar», nxitur e përkrahur nga ju me ato mundësi që dispononit. Ne keto lista nuk gjënden as më të voglat dallime krahinore, fetare, raciale, klanore etj. të kësaj natyre.
2. Është vështirë të gjenden midis tyre persona që kanë patur lidhje gjaku, familjare, farefisnore, krahinore me Atë, me familjen apo njerëzit e tjerë të rrethit të Tij. E pra, nepotizmi është sëmundje e rrezikshme që është ndeshur dhe ndeshet rëndomë në jetën tonë të përditshme.
3. Cilit prej stafit të këtij drejtuesi të studimeve pedagogjike i janë vënë kushte të tjera, me perjashtim të aftësive profesionale, figurës morale, interesit të punës studimore-shkencore? Midis tyre do të gjeni studjues të përkushtuar, si V. Hoti nga Shkodra, F. Rama nga Tiranan, S. Carçani nga Gjirokastra, M. Islami nga Kolonja, apo B. Çomo, R. Uçi, Ilinden Spasse, inxhinjerin Pajtim Bejtja, agronomin H.Veshi, psikologun L. Hajdaraga, historianët e arsimit tonë si I. Gogaj e Q.Kashari etj. Këta morën më vonë tituj e grada shkencore, botuan monografi e libra të ndryshëm, bënë emër të mirë në studimet pedagogjike e psikologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX-të. Po kështu, sektori i botimeve, revista « Yllkat » me Ramadan Pasmaçiun, piktorin Vlash Dobroniku etj.
4. Vëreni me kujdes dhe perpiquni që të gjeni midis tyre persona me merita luftarake, partiake, politike, pushtetare, bij ose bija të pamerituar partiakësh, pushtetarësh, etj. etj. Më lehtë gjenden midis tyre të tillë që kanë patur «cene» në biografi, se sa nga ata që permenda më lart. A nuk përbën kjo një mrekulli dhe çudi për atë kohë dhe a nuk mbetet aktuale edhe për ditët tona?
Për mua, sa më shumë qe distancohemi në kohë e hapsirë, aq më i dukshëm bëhet ky dimesion i veprimtaries Tuaj udhëheqëse e drejtuese.
A nuk flasin të gjitha këto cilësi për ndergjegje profesionale të një kualiteti të veçantë, për figurën atdhetare, qytetare e morale të këtij njeriu, për dinjitetin e tij ? Te marra se bashku, me ato që do të plotësojnë koleget e mij, ish bashkëpunëtorët tuaj, ato do të zbukuronin çdo biografi e do të përbenin krenari për çdo intelektual të përmasave dinjitoze.
Profesor ! Ju shpej u bëtë personalitet i njohur në mbarë vendin. Ndiqeshin me vemendje reportazhet, shkrimet dhe sugjerimet tuaja. Kujtoj këtu rastin e mësues Isës apo të supertalentuarin nga Dukagjini, për të cilët kam folur më lart.
Sa herë që shkonim me shërbim në Vlorë, kujtoja propozimin tuaj për të ngritur një mikroklub në Kusbaba, përballe detit, apo rastin e propozimit për ngritjen e një këndi lojrash për fëmije tek Ura e rrugës së Elbasanit në Tiranë, të cilat u bënë realitet. A nuk jane këto e te tjera të kësaj natyre kënaqësi e meritë për ideatorin e tyre, shkrimtarin për fëmijë Bedri Dedja ?! Pa dyshim, po.
Një studjuesi, i cili në të ardhmen mund të merrej me këtë figurë, do t’i sugjeroja që mos të linte pas dore këtë aspekt të veprimtarisë së tij, këto «thërrime» nga sofra shkencore e njerëzore e profesorit Bedri Dedja.
E kam për nder dhe e quaj fat që për më se tre dhjetëvjeçarë kam qënë pranë këtij personaliteti, kam bashkëpunuar e komunikuar me të si vartës, nxënës, koleg, bashkëpunëtor, si shok e mik që na lidhnin detyrat dhe puna studimore shkencore e pedagogjike. Madje, edhe gjatë kohës që na patën dërguar me qarkullim, Atë në Elbasan dhe mua ne Bajram Currin e largët, nuk e shkëputëm bashkëpunimin shkencor. Profesor Bedri Deda udhëhiqte ato kohë me kopetencë shkencore disertacionin tim të doktoraturës.
Njeriu dhe qytetari i nderuar.
Edhe pse ishte antar i PPSH, Bedriu ka qënë një demokrat i spikatur deri në fund të jetës së tij. Besonte në idealet e vërteta komuniste, të cilat, për fat të keq nuk i pa të realizuara në jetë. Pavarësisht këtij fakti, mendoj se po të kishin qënë të gjithë komunistët shqiptarë si Bedri Dedja, do të ishin shmangur shumë të këqija që regjimi komunist e diktatorial u solli shqiptarëve.
Në rast se do të pranohej për një moment që armata e madhe e mësuesve, pedagogeve e kuadrove të arsimit të ndahej në dy grupime te medha :
a) Në ata (grupimi i parë), të cilët, së bashku me institucionet përkatese u morrën me zbërthimin, propogandimin dhe që vendosën në themel të tërë përmbajtjes dhe veprimtarisë së shkollës politikën dhe ideologjinë e partisë në pushtet dhe mësimet e diktatorit (trekëndëshi revolucionar me punën prodhuese e stervitjen ushtarake, bllokun e lëndëve ideologjike, boshtin ideologjik, fillin e kuq marksist-leninist), duke e politizuar e ideologjizuar në mënyrë të tejskajshme shkollën dhe,
b) Në grupin tjetër, i cili merrej me përmbajtjen shkencore të shkollës dhe modernizimin e saj, me trajtimin pedagogjik, psikologjik, metodik të kësaj përmbajtjeje, etj., me aq sa lejonin kushtet, me studimin e përvojës e kulifikimin e kuadrit mësimor, me analizën e historisë së mendimit pedagogjik shqiptar, etj.
Përvoja historike, për fat të keq ka provuar se grupimi i parë u përpoq, me vetëdije e pavetëdije, të zbatonte politikën enveriste, pra, të shkatërronte shkollën, ndërsa grupimi i dytë, me aq sa e lejonin kushtet, u perpoq ta mbronte dhe ta ndërtonte ate. Ne krye te ketyre dy grupimeve qëndronin dy akademikët e njohur të fushës së arsimit.
Ndër figurat më të spikatura të grupimit të dytë qëndronte akademik Bedri Dedja, me stafin e tij. Në rast se gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të, në sajë të punës së madhe të një populli të tërë dhe përpjekjeve të armatës së mësuesve e pedagogëve ka patur edhe arritje pozitive, nuk ka dyshim se Bedri Dedja ka pjesën e vet të meritave në këtë drejtim.
Ky personalet i arsimit shqiptar ka qëne, mbi të gjitha, njeri me integritet e personalitet të spikatur. Njeri me aftësi krijuese të ndryshme, i përkushtuar e me pikësynime të qarta, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të vëna, i paepur në punë e përpjekje, serioz e korrekt në punë, optimist dhe i thjeshtë.
Ai rrezatonte energji pozitive dhe optimizëm. Me shëmbullin dhe fjalën e tij të mënçur, u jepte drejtim punëve, ngjallte besim e shpresa tek të tjerët dhe i mobilizonte në punë. Veçohej për takt të veçantë në marrëdhëniet me vartësit. Nuk kapej pas cikërrimave ; punën e sejcilit e maste me rezultatet konkrete. Kur paraqitej rasti, i mbronte me vendosmëri vartësit e vet.
I ndershëm, i drejtë, i sinqertë, i vëmëndshëm dhe i komunikueshëm me të gjithë.
Vëzhgues i mprehtë, dëgjonte me kurreshtje e mësonte nga të tjerët, nuk preferonte të mbante shënime, por regjistronte në kujtesën e vet të fortë gjërat më thelbësore ; i pëlqente të meditonte dhe të ëndërronte. Për energji fizike e vullnet mund të garonte me cilindo. Duke anuar nga temperamenti kolerik, i duheshin përpjekje për të qënë sa më i ekuilibruar, për të mos shpërthyer në situata të vështira, për të mos u treguar arrogant e prepotent me kuadrin apo në shoqeri. Edhe me këtë prani, ai ruante gjakftohtësinë dhe ekuilibrat përkatës.
Njeri me karakter, i mirë, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Bedri Dedja e ka patur mirëkuptimin armë të shëndoshë. Vetëm në dy raste, mbaj mend se jo vetëm nuk më ka lëshuar pe por përkundrazi, më ka kritikuar. Të dy rastet kanë të bëjnë me këndvështrime jo të njëjta.
Me aq sa e kam njohur, në mardhëniet dhe komunikimet jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët, ai ka qënë, siç e kam thënë edhe më lart : dashamirës, i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, sado larg qofshin, tolerant, qytetar i devotshëm dhe i respektuar.
Bedri Dedja, bashkëshorten e vet, z. Pandora e ka dashur dhe respektuar shumë. Ajo i është bërë krah, këshilltare dhe ndihmesë e papërtuar, ndonse edhe vetë ka qënë krijuese. Bedriu, për shkak të detyrave shtetërore dhe krijimtarisë, i ka lënë Pandorës mbi supe barrën më të rëndë të kujdesit të përditshëm dhe mirërritjen e femijëve. Dy fëmijët e tyre, Edlira dhe Taulanti jetojnë e punojnë, e para në Zvicer dhe i dyti në Kanada. Ata, me dashuri e respekt po merren sot me botimin e veprave të prinderve të tyre. Ju lumtë !
Ne shenjester te buraokrateve, te paafteve dhe «vigjilences revolucionare»
Në kohën kur Bedri Dedja punonte me përkushtim dhe energji të pashtershme për çështjen e arsimit dhe shkollës, burokratët, të paftit, partiakët, smirëzinjë, etj. nuk flinin ; ata «vigjilonin», mbronin parimet politike e ideologjike të partisë mëmë. Jo rrallë, problemet që ata ngrinin i kanë kushtuar Atij shume shqetësime personale, familjare e shoqërore, madje edhe kanë rrezikuar seriozisht karierën e tij.
1. Një herë, nuk më kujtohet mirë viti, u patëm dërguar kabineteve pedagogjike të rretheve një broshurë të shaptilografuar nga drejtoria jonë, për metodikën e punës studimore shkencore në fushën e arsimit dhe shkollës. Pas dy-tri vitesh, i «ngarkuari» i drejtorise sonë më pyet nëse e kisha dërguar unë një matreial të tillë në kabinetet pedagogjike të rretheve . I përgjigjem se atë material metodik e kishim hartuar unë dhe profesor Bedriu e më pas e kishim dërguar në bazë, siç quhej atëhere. “Me vjen shume keq“, u shpreh “vigjilenti“ dhe shtoi, se “…në atë material ka gabime të rënda ideologjike“. Komision i specialistëve, i ngritur për këtë qëllim, pas verifikimeve të kujdeshme konstatoi se akuzuesi « …nuk e kishte kuptuar terminologjinë pedagogjike e psikolgjike, e cila ishte përdorur në atë punim ». Këto zhbirilime njerëzish të paaftë, për të justifikuar rrogën që merrnin, të tjerëve u sillnin shqetësime serioze e jo vetëm kaq, por bëheshin edhe pengesë në punë.
2. Pak më vonë, shkrimtari (Bedriu) botoi një përrallë për vogelushët, të titulluar, me sa më kujtohet, «Shkolla e Pyllit». Pësëri Bedriu akuzohet për gabim të rëndë ideologjik. Ishin shkelur parimet e «luftës së kllasave», referenca politike më themelore e teorisë marksiste-leniniste. Shkrimtari, ndonse i organizuar në parti, kishte pranuar në shkollën e pyllit figura të «deklasuara» si ujku, çakalli, dhelpra, korbi, etj. Për më tepër, këta armiq të luftës së klasave në pyll bënin mësim në një lëndinë, së bashku me «proletariatin», me «kllasen punëtore » të kafshëve të pyllit që përfaqesoheshin nga lepuri, gjirafa, sorkadhet, breshkat, arinjtë, kanarinat, derrat, etj. Zallamahi e madhe ! Llogaridhënia dhe puna armiqësore qenë bërë objekt diskutimesh në organizatën bazë të partise dhe në Lidhjen e Shkrimtareve dhe Artistëve. Mbi shkrimtarin shkarkoheshin rrufe të ashpra. Netë pa gjumë, tronditje shpirtërore, alarme në familje, dyshime në opinionin shoqëror, etj. Por këto paralajmeronin të tjera «lekundje» tërmeti edhe më të forta. Sidoqoftë, edhe kësaj radhe, shkrimtarin e «ruajtën».
3. Por sfidat nuk kanë të mbaruar. Midis pedagogëve të paorganizuar në parti qarkullonin thashetheme. Çudi !? Kush i sajonte dhe kush i përhapte ato?! Thuhej se kishte mekanizma që merreshin me këtë punë ! Perflitej se Bedri Dedjes, njëri prej figurat kryesore të komitetit të parisë për Tiranen (Xh. Gj. shënimi im) « ..ia kishte bërë benë….» Kaq duhej që thashethemnaja të mbulonte Tiranën. Për këtë arsye, në katedrën tonë u organizuan disa mbledhje të egra. Çfarë kishte bërë ende ky njeri “i pabindur“ ? Pedagog Bedri Dedja kishte hartuar tekstin e «Psikologjise Sociale» për kursin pasuniversitar të pedagogjisë e psikologjisë dhe diku atje, kishte bërë «sakrilegjin e madh», duke sjellë në thonjeza një citat të Marksit, po, po, të Karl Marksit! Por hataja qëndronte në faktin se citati nuk ishte marrë direkt nga vepra e tij, por nga një autor “revizionist“. Kjo u vinte kapakun të gjithave: veprës, punës dhe jetës së tij.
Tashti më vjen me të vërtetë çudi per këto që po shkruaj, por atëhere këto gjëra kanë qënë tejet me pasoja serioze. Më kujtohen mirë, pasi unë i kam mbajtur vetë proces-verbalet e atyre mbledhjeve. Si mos të të bënte përshtypje kur konstatoje se në mbledhjet tona, si asnjë herë tjetër, patën marrë pjesë njëri-pas tjetrit disa të deleguar nga dekanati, nga ministria, nga shtëpia botuese, nga komiteti i partise për Tiranen. Dyndje e vërtetë ! Për habinë tonë, të deleguarit shtronin problemin, rëndësinë e tij, shqetësimet që kishte shkaktuar «lart» Bedri Dedja dhe na lihej neve « kopili në derë», pra, duhej të ishim ne ata që do të argumentonim “krimin“ e tij dhe t’i jepnim “denimin e merituar“, dënim i cili do të shqyrtohej më pas në istancat partiake.
Çuditërisht, shkrimtari dhe studjuesi u ruajt edhe kesaj here! Në realitet, ai peshonte tejet më rëndë se të gjithë akuzuesit, të marrë së bashku. Nga ana tjetër, edhe vogelushët, të cilëve u drejtohej libri, vështirë se arrinin deri tek kuptimi i « …rendësisë së luftës së klasave për zhvillimin e shoqërisë njerëzore….» !?!
I dashur Bedri ! Të kërkoj të falur edhe në emër të kolegëve të katedrës se, me perjashtime të disa shpjegimeve që bënte profesor Hamit Beqja, nuk u gjet një burrë midis nesh që të të dilte në krah. Përvoja tregonte se “Çfarë të bënte Partia, nuk t’a bente as Perëndia“. Sejcili prej nesh përtypej, sipas mënyrës së vet, pa u kuptuar se çfarë thoshte. Ato ditë, ne përsërisnim fjalet e një shkencëtari gjerman : “Në Mesjetë, një matematicieni gjerman i bënë të ditur se Galileo Galileun e kishte dënuar me vdekje kisha katolike: djegie publike në turrën e druve ! Po perse, pyeti matematicieni i habitur?! Pasi ia sqaruan se Galileu kishte deklaruar se toka sillej rreth diellit, plaku kishte thene : «Këtë e kanë ditur edhe shkencëtarë të tjerë përpara tij, por ata s’kanë guxuar ta pohojnë se kanë patur femije». Mos të harrojmë se ky shëmbull vjen nga Mesjeta e erret… !
Tani, pas kaq kohësh, dikush do të shtrembërojë buzët; një tjetri do t’i duken keto gjera ekzagjerime, madje edhe mua më vjen të buzeqesh kur i kujtoj. Po atëhere ?!
Në ato vite i kisha të freskët dy shembuj: – Pedagogut e docentit Arif Gashi, diplomuar në Moskë për filozofi i del deshmitar në gjyq studenti i tij, të cilit i drejtonte dipllomen. Pasoja : profesori dënohet me disa vjet burg, vite që i vuajti në Ballsh, me të dënuar të tjerë politikë.
Po ashtu, e kishim të freskët rastin kur u përhap thashethemi se ish z/ministrit, profesorit Hasan Duma, sekretari i partise për Tiranen « … ia kishte bëre benë Hasanit !», madje nuk dihej as akuza. Rrodhi fare pak ujë në Lanë dhe kolegu ynë fatkeq u dënua me disa vjet burg.
Këto nuk ishin hamëndje, as nuk kishin ndodhur kohë më parë, por ishte realitet i atye viteve të mbrapshta. E shpreh me bindje, se po të kalohen lehte, të nënvleftësohen e, aq më keq, të harrohen këto gjëra, ato do të përsëriten, në varjante të reja, po aq, e me tepër terrorizuese.
Nuk është e veshtirë të kuptohej se çfarë terrori pat’ përjetuar profesor Bedri Dedja në ato kohëra diktatoriale !
Niçe, në kohën e vet pat’ shprehur këtë mendim : «Me të drejtë thuhet se një popull karakterizohet, jo aq nga njerezit e tij të medhenj, se sa nga mënyra se si sillet ndaj tyre». Pavarsisht sfidave, vështirësive, njerëzve të këqij që ndeshen gjatë rrugës dhe madje edhe në diktaturë, e Mira ngadhnjen, veprat dhe sjelljet e mira të njerëzve nuk harrohen ; ato do të dalin një ditë në dritë. Mirenjohja nuk duhet të vdesë kurre !
Këndej kuptohet se nuk janë të pakta arsyet që ne, ish koleget Tuaj, profesor Bedri Dedja, së bashku me armatën e madhe të arsimtarëve, t’Ju kujtojmë me nderimin dhe respektin më të madh.
Prof. As. Dr. KOLE TAHIRI
Bruksel, shtator 2010