Universi i veprës studimore të profesor Ymer Çirakut

Kulturë Reportazh / Profil

Shkruan Jolanda LILA- Tiranë

“Sado e shigjetuar, e qesëndisur, apo e refuzuar nëpër kohë të ndryshme e nga kahe të ndryshme letrare e jashtëletrare, kritika letrare shqiptare dëshmohet si një realitet prezent dhe me ndikimin e autoritetin e vet.” – Profesor Ymer Çiraku

 

Image result for ymer ciraku

Vepra studimore e profesor Ymer Çirakut është e larmishme, sepse mbulon shumë periudha, autorë dhe vepra, si në zhanrin e poezisë, ashtu edhe atë të prozës. Ndonëse boshti kryesor i opusit të tij studimor shtillet rreth letërsisë bashkëkohore shqipe, interesimi i këtij studiuesi, ka qenë i pandërprerë edhe për periudha të tjera letrare, veçanërisht për rivlerësimin e autorëve të anashkaluar, të anatemuar padrejtësisht, apo të panjohur për publikun e gjerë. Shqyrtimet kritike për disa prej autorëve kryesorë të letërsisë arbëreshe, kanë sjellë sipas rastit, fakte e dëshmi letrare si p.sh. në studimet për Jul Varibobën, Jeronim De Radën, Dushko Vetmon (F. Solano) dhe Lluka Perronen.

Me punën e tij sistematike dhe serioze, ai njihet sot si një studiues me profilin e vet të spikatur. Veçanërisht identifikohet me kontributin në formësimin e mendimit kritik letrar për letërsinë e sotme shqipe.

Konçiz, si në të folur ashtu edhe në të shkruar, profesor Ymeri spikat për mendimin sintetizues në studimet e tij, ku argumenti përcaktues, ia zë vendin tiradës së fjalëve e shembujve mbushamendës. Tekstit letrar nuk i mbivendos komentin, por analizon me sy kritik pjesët përbërëse të tij.

Thukëtinë e stilit krijues e tregon edhe strukturimi i veprave të tij, vepra të cilat, më tepër sesa për karakterin voluminoz, shquhen për qasjet origjinale, gjuhën e argumentit të qartë dhe për përcaktimet përmbledhëse të tipareve thelbësore të çështjeve të ndërmarra për studim. Akademizmin e tij e përzien me tharmin e letërsisë, duke e bërë tekstin tërheqës dhe studimin të kuptueshëm për të gjitha nivelet e lexuesve. Mesa duket, përvoja e gjatë e mësimdhënies, prej gati 4 dekadash, e ka sprovuar dhe latuar stilit e tij për t’u përqendruar tek thelbi. Kjo na sjell ndërmend edhe teorinë e Stefan Cvajgut për padurimin e lexuesve, të cilët, kërkojnë gjithnjë esencën dhe jo ujërat.

Përveçse në fushën e kritikës, profesor Ymer Çiraku, ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme edhe në studimet historiko-letrare, gjë që manifestohet sidomos në tekstet didaktike. Si bashkautor i teksteve të letërsisë për shkollat e mesme të vitit të parë, të dytë dhe të tretë, ai ka kontribuar për periodizimin e letërsisë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX dhe të letërsisë shqipe bashkëkohore. Pra, janë një korpus shumë i gjerë veprash dhe autorësh me vlera kombëtare, që paraqiten dhe analizohen në këto tekste mësimore.

Prirja që e karakterizon qasjen e tij studimore, është vëzhgimi i plotë dhe jo përndarës i letërsisë shqipe në mbarë hapësirat gjeografike të saj. Këtë e pohon edhe në veprën Shqyrtime kritike nga historia e letërsisë shqipe (2012), kur shprehet se: “…procesi i zhvillimit të letërsisë shqipe, në çdo kohë, ka funksionuar si unitet e jo në kahje ndarëse, siç mund të jetë menduar gabimisht ndonjëherë. Pra, kemi një unitet artistik brenda diversitetit të prirjeve e stileve krijuese.”

Image result for ymer ciraku

 

Shtegtimet përgjatë fëmijërisë

 

Profesor Ymeri lindi me 3 janar të vitit 1952. Në një intervistë të dhënë në shtypin e shkruar disa vite më parë, ai e sheh këtë muaj si shënjues të periudhës së pikënisjes apo të fillimit, muaji i cili, spërkatet me doza optimizmi e shprese. Duket sikur ai ka marrë shumë nga aureola e kësaj simbolike, sepse edhe vetë, si natyrë, është shumë optimist, paqësor, vullnetmirë dhe komunikues. Madje, të jep përshtypjen se edhe në shtrëngatat më të forta të jetës, ai mund ta gjejë paqësisht shtegun e dritës së qashtër.

Njeri besnik dhe mbështetës për këdo, që përçon energji pozitive dhe që përpiqet të shohë të mirën dhe të bukurën, edhe aty ku duket sikur nuk ekziston. Qetësia dhe forca e arsyetimit që përdor, i japin trajtat e njeriut të çiltër dhe të dashur dhe jo rrallë, nga miqtë e kolegët ai shihet si çelësi për zgjidhjen e problemeve të ndryshme profesionale e njerëzore, ndërsa nga studentët, shihet si profesori me të cilin mund të konsultohen për gjithçka.

Kujtesa e tij e jashtëzakonshme, e kthjellët dhe e shkathët, shoqëruar edhe me kujdesin e madh për fjalën që artikulon, e bëjnë atë përherë energjik, miqësor, por edhe autoritar në marrëdhënie me të tjerët.

Profesor Ymer Çiraku, lindi në qytetin bregdetar të Sarandës, por për shkak të profesionit të babait të vet si ushtarak, ai e kaloi fëmijërinë në disa qytete. Kështu, në moshën 4-vjeçare u zhvendos në Përmet dhe në moshën 10-vjeçare deri në përfundim të gjimnazit, jetoi në Gjirokastër.

Kur flet për fëmijërinë, profesor Ymeri shprehet: “Fëmijërinë e kam kaluar në Përmet e Gjirokastër. Një shtegtim i fortë imagjinativ mes Frashërit e Leusës, mes Zagorisë e Mashkullorës. Mes tyre, u krijua natyrshëm impresioni për shkrimtarët e dijetarët përkatës të kësaj hapësire”. Nga babai trashëgoi disiplinën për punën sistematike, ndërsa nga nëna sjelljen dhe komunikimin e ngrohtë njerëzor. U dashurua pas letërsisë që në fëmijëri dhe studimet e larta i nisi pikërisht në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1971.

Pas përfundimit të studimeve (1975), punoi një vit si mësues në gjimnazin “Hasan Tahsini” të Sarandës dhe më pas u përzgjodh në grupin e studentëve të dalluar për të nisur të parin kurs pasuniversitar për Kritikë letrare (1977-1978). Studimet pasuniversitare, sollën një kthesë të rëndësishme në jetën e profesorit, sepse ai u vendos përfundimisht në Tiranë, duke iu dedikuar në mënyrë të thelluar procesit studimor. Ai caktohet si kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), konkretisht në sektorin e Letërsisë shqipe pas Luftës së Dytë Botërore.

Përveç punës në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, profesor Ymeri u angazhua si gazetar i letërsisë e kulturës në gazetën “Zëri i popullit”. Për dy vjet radhazi, në këtë gazetë ai shpërfaqi qasjet, analizat dhe mendimet kritike për letërsinë në përgjithësi, por edhe për probleme të tjera të fushave të ndryshme të artit.

Puna në gazetë e ndihmoi për zhdërvjelltësinë e shkrimit dhe të komunikimit me publikun e gjerë dhe kjo nuk kaloi pa u vënë re në rrethet kritike. Ai u angazhua edhe si inspektor i kulturës në Kryeministri për tre vjet radhazi, derisa në vitin 1991 nisi punën si pedagog i brendshëm në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në departamentin e Letërsisë, ku kishte qenë si lektor i jashtëm qysh më 1984. Prej kësaj kohe, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për përgatitjen e brezave të ndryshëm universitarë, si dhe për hartimin e disa programeve të lëndëve të tilla si: “Metodika e punës shkencore”, “Historia e kritikës letrare shqiptare” dhe “Letërsia shqipe e pas luftës së dytë botërore”. Gjithashtu, ai ka kontribuar veçanërisht për paraqitjen e poezisë shqipe dhe tipareve përdalluese të saj.

Në vite të ndryshme, ka qenë i ftuar të mbajë kurse ligjëratash për letërsi shqipe në disa universitete si p.sh. në Tetovë, Korçë dhe Elbasan.

Roli i tij ka qenë i pranishëm edhe për konturimin e universitetit, planprogrameve dhe zhvillimit institucional, pasi ka qenë pjesë e strukturave të ndryshme drejtuese universitare, si: shef departamenti i letërsisë (1995-2008), Zv. Dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë (2008-2016), Kryetar i Këshillit të Profesorëve të Fakultetit, si dhe aktualisht është Anëtar i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.

Përveçse ka një pjesëmarrje aktive nëpër konferenca të ndryshme shkencore, profesor Ymeri është edhe drejtues dhe organizator i disa prej ngjarjeve të rëndësishme shkencore në vendit tonë. Kështu, për më shumë se 10 vjet, ai ka qenë bashkëdrejtor dhe bashkësekretar shkencor i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë. Njëherësh, që prej periudhës së themelimit, është edhe anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Studime Albanologjike”, botim i Universitetit të Tiranës.

Pasioni i tij për arsimin është konkretizuar edhe në angazhimet e suksesshme që ka pasur në lidhje me kurrikulat e arsimit parauniversitar. Për disa vite ka qenë Kryetar i Komisionit për miratimin e programeve dhe teksteve të letërsisë për Arsimin e Mesëm, në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Pavarësisht angazhimeve të shumta në fushën e drejtimit dhe të menaxhimit, profesor Ymeri nuk e ka lënë kurrë pas dore dashurinë e madhe për letërsinë dhe për kërkimin shkencor. Emrin e tij e mbajnë mjaft artikuj studimorë dhe libra shkencorë të botuar në kohë të ndryshme, ku ndër më kryesorët përmendim monografitë dhe botimet universitare: “Struktura e një krijimtarie letrare” (2002), Letërsia shqiptare, vepra dhe autorë” (2001),”Metodikë e punës shkencore” (bashkautor, 2004), “Kritika letrare në revistën Shejzat”, (bashkautor, 2014), si dhe librat me artikuj e me studime letrare, të tillë si: “Në zbërthim të kodeve letrare” (1998), “Gjurmime në letërsinë shqiptare” (2003), “Bota poetike e Martin Camajt (2003), Shqyrtime kritike nga historia e letërsisë shqipe (2011) dhe “Qasje letrare” (2017).

Ai është edhe bashkautor i teksteve të letërsisë për shkollat e mesme, si dhe Anëtar i redaksisë për pjesën e poezisë shqipe, në botimin Antologjia e poezisë ballkanike, botuar në vitin 2006 në Athinë.

Gjerësisht njihet si një mentor i përkushtuar për studentët me të cilët zgjedh të bashkëpunojë dhe si një dashamirës i madh për të rinjtë e talentuar, të cilët, nuk heziton t’i afirmojë dhe mbështesë në rrugën e tyre.

Edhe kur zhgënjehet, pavarësisht shijes së keqe që i lë kjo ndjesi, sërish profesori nuk e helmon shpirtin, por sheh të mirat e jetës dhe vlerat e mirëfillta njerëzore. Urojmë që energjitë e tij pozitive të jenë po aq të pashtershme dhe vullneti i tij i hekurt të vijojë të nxjerrë në dritë vepra të tjera studimore, të cilat, krahas studimeve të tjera albanologjike, kontribuojnë që letërsia shqipe të njihet e të vlerësohet sa më gjerë nga lexuesi, brenda e jashtë vendit.

 

Image result for ymer ciraku

Image result for ymer ciraku

Share: