Arbëreshi Nikollë Keta, autori i tingëllimës së parë shqiptare

Libri Reportazh / Profil

Fjala “sonet” rrjedh nga italishtja “sonetto” që do të thotë “tingull”, apo “zë” kurse në shqip është inkuadruar si “tingëllimë”. Soneti e ka origjinën në poezinë tradicionale gojore provansale që ishte një këngë e vjetër italiane. Gjithsesi famën më të madhe soneti e ka marrë falë “Këngëtores” (“Il Canzoniere”) të poetit Françesko Petrarka, i cili paraqet volumin më të famshëm të tingëllimave në të gjithë letërsinë evropiane.

Me termin “sonet petrarkian” ose “sonet shekspirian” nuk u referohemi vetëm soneteve të këtyre autorëve, por quhen kështu ngaqë këta dy autorë janë perfaqësues të këtyre dy formave të soneteve.

Në Shqipëri soneti e ka zanafillën tek Arbëreshët e Italisë, pikërisht me tingëllimat e Nikollë Ketës.

Nikollë Keta (Nicola Chetta, 1740?-1803) ka qenë një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765). Më 1777, Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqishte. Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii

Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,

Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,

Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

 

E veshi e ngjeshi me zakon, me urtësii,

Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,

Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,

E nani prift klisha kurorë e vee.

 

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi

Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei

Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi

Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,

Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

Nicola CHETTA

Më 1763, Keta hartoi një fjalor italisht-shqip prej 240 faqesh, i cili më 1779 u zgjerua mjaft deri në 640 faqe me rreth 10.000 fjalë. Një kopje e këtij Vocabulario italiano-albanese ende e pabotuar ruhet në Koleksionin Shqiptar në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagë41. Libri i tij Tesoro di notizie su de’ Macedoni, 1777 (Thesar njoftimesh mbi maqedonët), në kapakun e brendshëm të të cilit u zbulua tingëllima e mësipërme, është një trajtesë historike etnografike në italishte, deri diku jo pa atë shkallë fantazie tipike për kohën, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve e të emigrimit të tyre në Itali. Ajo u botua pjesërisht në revistën “La Sicilia” në Palermo më 1867.

 

Share: